Albspirit

Media/News/Publishing

Si fillova të tjetërsohem pas lidhjes së parë (Histori personale)

* Lidhja ime e parë dhe e vetme përfundoi me një tradhëti nga ai me të cilin prej 6 vjetësh planifikonim të ardhmen bashkë. Gjithçka ndodhi më pas.

Sot ishte dita! Epo alteregoja ime do të shpërthente patjetër një ditë. Isha me fat që ishte një ditë Pranverë-Verë e që mund të vishja një nga fundet e koleksionit tim. Zgjodha një fund ‘pencil’ të kuq pas trupit me gjatësi poshtë gjurit, fundja e kuqja tërbon edhe demin thonë e jo më një mashkull.

Po pyesni veten se ku shkova? Të takoja një mashkull për herë të parë që kur u ndava nga ish-i im mediokër i shumë viteve që tani kishte mbetur thjesht një fotografi e fshirë, dikur e hedhur në Facebook me ‘Privacy Edit’, ‘Only Close Friends’. Pas disa ditëve të qarash patetike, një pirgu me facoleta, 9 poezive depresive dhe një hetimi të hollësishëm në rrjetet sociale të femrës që ai po më tradhëtonte, ishte koha që ta lija këtë histori pas krahëve. Mund të kishte shkuar më keq, ai t’më linte shtatzanë.

Nejse, sot nuk do ju flas për gjëndjen time post-ndarje, por për aventurën time të parë pas së cilës do të rridhnin një sërë ngjarjesh. Një takim që kishte nisur nëpërmjet një dating-site (sajt njohjesh). Cmenduri, të paktën për shoqet e mia të ngushta!

Ato prej ditësh janë të alarmuara për vendimet që po marr dhe cmendurirat që po bëj ditë pas dite. Ndjej që në mendjen e tyre po transformohem nga vajza e mirë në një ‘bitch’. E kujt do t’ja merrte mendja që unë, idealistja e dashurisë sublime që lind vetëm nga rastësia hyjnore do të dilja me dikë që e kisha njohur në ‘Tinder’? Epo ja që ne zbulojmë veten tonë cdo ditë që kalon!

Mbasi analizova në detaje disa profile dhe përzgjodha me kujdesin më të madh fotot e mia (në asnjë prej tyre fytyra nuk më dukej plotësisht dhe madje dukesha misterioze dhe intriguese), vura re se peshkimi po shkonte ‘ala grande’. Fundja meshkujt bëhen shumë të parashikueshëm kur bëhet fjalë për një bjonde… I kategorizoja dhe seleksionoja të gjithë nga fotot dhe fjalia e parë prezantuese. Eleminova shumë dhe në fund më mbetën disa relativisht ‘cilësorë’.

Për të mos u zgjatur, sot dola me një mashkull esmer, sexy, me mjekër, trup i palestruar, 1.89 i gjatë, sy jeshil në blu dhe me një tatuazh në kraharor (të paktën vetëm një i dukej në foto, se cfarë i dukej përballë do t’ju tregoj më vonë…). Hë goca, e si të mos dalësh me një mashkull të tillë, më thoni?? Në bisedë ishte mjaft tërheqës, me sens humori dhe me bagazh, fundja asnjëherë nuk më kanë tërhequr meshkujt që nuk dinë t’i japin drejtim një bisede e që flasin më zhargone të tipit ‘Ckm’ apo ‘Cpb’. Po e quaj Lester, një mashkull intrigues e me sy depërtues.

Fjalia e tij e parë në chat, ‘Edhe përballë kaq mister ngjall?’ Epo nuk mund ta mohoj që më pëlqeu. Pas disa ditësh bisede në chat, ‘torture’ dhe sprovash për të parë sa do të rezistonte, vendosa të pranoj për të dalë në takim. Evitova Bllok-un dhe e lash takimin me të në një zonë tjetër, emrin e së cilës nuk dua ta zbuloj, afër shtëpisë së njërës prej shoqeve të mia të ngushta. Pse? Sepse sigurisht që nuk mund të ngjitesha në urban me taka, kështu që i ndërrova këpucët tek shtëpia e saj. Dola prej andej duke e lënë shoqen time me gojë gjysmë të hapur e sy të zgurdulluar sikur po më njihte sot për herë të parë. Drejtova trupin, nxora përpara gjoksin tim mesatar që mbulohej nga një bluzë e thjeshtë dhe e bardhë dhe ndjeja që impostimi që më krijonin takat si dhe fundi ‘pencil’ po më theksonin një nga armët e mia të forta, fundshpinën.

Numrin nuk ja kisha dhënë ende Lesterit, ishim organizuar për vendin nëpërmjet chat-it dhe emri im për të ishte një emër i zakonshëm. Nuk besoj se dukej shumë i sajuar, fundja unë njoh shumë vajza me një emër të tillë në Tiranë. Një njoftim!
-‘U ula në tarracë nga ana lindore, po të pres me padurim’, më shkruante.
-‘4 minuta dhe jam aty’, i ktheva. Nuk doja të tregoja emocion sic po bente ai. Epo unë isha femra!

E dallova që në hyrje të ambjentit të tarracës, kishte zgjedhur një tavolinë disi të vecuar, me shumë fat për një lokal të tillë të frekuentuar edhe pse jo në Bllok. Zgjedhja më pëlqeu, ishte takimi i parë kështu që duhej pak qetësi dhe privatësi nga turma që na rrethonte aty. Lodhja e takave po më shtohej edhe pse kishin kaluar vetëm pak minuta që kur i vesha. Thirra në ndihmë të gjitha forcat dhe eca gjithë vetbesim drejt tij. Ndjeja kokat e meshkujve që ktheheshin për t’më parë nga maja e kokës time të mbuluar me flokë bjondë e që ndalonin tek fundshpina. Testosteron në ajër…

Edhe pse nuk e tregoja, po dëfrehesha me fytyrën e Lesterit që dallonte qartazi xhelozi ndaj meshkujve të panjohur. Për pak sekonda mbërrita në tavolinën metalike që ai kishte zgjedhur për ne. Ai u ngrit në shenjë respekti që kur isha disa hapa larg. Epo i fitoi disa pikë me këtë xhest.

-‘Më në fund kam nderin të të takoj përballë bjondinkë’, më tha teksa u përkul për t’më puthur në të dyja faqet. Ndjeva që parfumi im i pëlqeu. ‘Je bërë shumë e mirë’, shtoi.
-‘Faleminderit. Po ckemi, si je?’, i thash pak thatë teksa mendoja që e prishi atmosferën me atë ‘bjondinkë’. Teksa po e takoja duke u ngjitur pak në majat e gishtave edhe pse me taka, vura re një brune që po më shikonte shtrembër.

Unë isha përballë tij. Një mashkulli. Lesterit, sic e quajta. Ish-i im ishte mashkulli im i parë, kishim ndenjur bashkë shumë vite sa projektuam bashkë të ardhmen tonë kurse kjo tani ishte dicka tërësisht e re, e panjohur dhe mbi të gjitha shumë shpejt pas ndarjes. Mbi të gjitha ne ishim njohur nga Tinder-i, as nga shoqëria e përbashkët, as nga rastësia, as në punë por nga Tinderi! Ndjeva një dridhje që më përshkoi trupin e u përpoqa ta neutralizoja. ‘Kjo nuk jam unë’, mendova. ‘unë nuk dal kështu me meshkuj, nga një dating site, e cfarë pritshmërie mund të ketë Lesteri nga unë nisur nga kjo, që kërkoj një ‘one night stand’ me siguri! Shoqet e mia nuk po më njohin më, unë nuk jam më unë, unë jam tashmë një ‘bitch’ ‘. ‘Mjaft!’, mendova, sa për një moment mendova se e thashë me zë. Duhej t’i shkoja deri në fund, fundja ai tani më kishte parë fytyrën tërësisht. Fytyrën dhe fundshpinën nën atë fund super të ngushtë të kuq, por c’rëndësi ka kjo tani? Sa shumë mendime në pak sekonda.

Adoleshencën e kisha kaluar e mbyllur në një kolegj ku meshkujt e vetëm me të cilët kisha kontakt ishin librat, por kjo nuk më kishte penguar që në bisedë të isha sfiduese, intriguese dhe interesante, por kësaj rradhe aftësitë e mia duheshin shpalosur përballë. Isha e aftë vallë? Sigurisht, ‘emri që kisha sajuar për veten time’ nuk do më linte aspak në baltë!

 

Please follow and like us: