Albspirit

Media/News/Publishing

Nardi Olli: Tirana, krimi më i madh i Edi Ramës


Pavarësisht tambureve të propagandës dhe demagogjisë të Ramës prej vitesh, tashmë edhe në pozitën e kryerilindistit, çdokush e ka kuptuar në thelb se Tirana jo vetëm nuk është zhvilluar pozitivisht, por vijon të bëhet edhe më e pabanueshme.

Veprimi energjik i Ilir Metës si kryeministër ne vitin 2000, për rehabilitimin e Parkut Rinia dhe Lumit të Lanës nga Brryli e deri tek bashkimi i Unazës me Rrugën e Kavajës, me “bujari” iu delegua Ramës, i cili nuk refuzon kurrë të huazojë apo të tjetërsojë meritat e të tjerëve. Legjenda urbane mori dhenë e opinioni publik filloi ta shihte atë jo vetëm si një showman egocentrik, por edhe si një njeri që po vinte dorë të fortë në menaxhimin e territorit.

Ndryshimet ligjore në kuadër të decentralizimit, i dhanë “mundësinë” e artë në dhënien e lejeve të ndërtimit, në një periudhë kur “uria” për strehim ishte në nivelet maksimale. Fatkeqësisht, ky moment shënon edhe fillimin e procesit famëkeq të betonizimit dhe rrënimit të strukturës urbanistike të kryeqytetit.

Pa dashur të bëj ekspertin, por thjesht nga pozitat e qytetarit që e vuan çdo ditë këtë fakt, lehtësisht konstaton se Rama jo vetëm e përçudnoi kryeqytetin, por nuk vendosi asnjë standard për ndërtimet, duke shkaktuar kështu një tjetër dëm ta parikuperueshëm.

Ndërtimet e kryera gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kanë as standardet minimale jo vetëm në respektimin e distancave mes tyre, respektimin e hapësirave publike rrugëve dhe trotuareve, por as në elementët e sigurisë sikundër mbrojtjes nga zjarri, mungesës së shkallëve të emergjencës, parkingjeve nëntokësorë apo edhe parametrave më minimalë të urbanizmit të trojeve që u dhanë për ndërtim. Babëzia për 20% eliminoi çdo standard.

Për rrjedhojë Tirana sot është i vetmi kryeqytet në botë pa trotuare dhe ka hyrë në histori si Spider City (Qyteti mermingë). Por kjo nuk mjaftoi. Në pamundësi për të zbatuar shpërfytyrimin total të kryeqytetit, si kryebashkiak, po e realizon sot si kryeministër dhe kryebashkiak ‘de facto’, duke shpërdoruar Veliajn, i cili nuk as forcën, as vizionin, por as edhe dëshirën për të ndalur këtë krim në vijimësi.

Ëndrra e tij për betonizimin edhe të sheshit Skënderbej jo vetëm nga kullat që priten të ndërtohen rreth tij, është shtrirë edhe në betonizimin e gjithë sipërfaqes së tij, duke penalizuar një herë e përgjithmonë rehabilitimin e trafikut dhe transportit publik në aksin Dëshmorët e Kombit dhe zgjatimin e tij drejt Bulevardit të Ri, e për rrjedhojë në gjithë qytetin.

Kostot ambientale që do të prodhojë ky betonizim së bashku me ndotjen katastrofike që do të shkaktojë parkingu nëntokësor janë të paparashikueshme. Ekspertët kanë folur dhe tundin pa pushim kambanat e alarmit, por askush nuk ka vesh të dëgjojë.

Ata kanë paraqitur prova dhe argumente shkencorë të padiskutueshëm për rrezikun që i kanoset kryeqytetit, por propaganda dhe demagogjia e qeverisë vijon ta shesë këtë katrahurë si një tjetër sukses. Aq i dashuruar është rama e tashmë edhe Veliaj me betonin sa në humorin e zi qyetar dëgjon shpesh të thuhet se “nëse iu pret damarët atyre të dyve, në vend të gjakut nxjerrin beton”.

Nuk i mjaftoi Tirana, por me projektin famëkeq të Rilindjes Urbane e shtriu këtë paranojë kriminale në shumë qytete të Shqipërisë, ku padyshim Korça mbetet viktima e tij më e madhe, pas Tiranës. Pas pak ditësh kryerilindisti dhe sejmeni i tij në Bashki, do të inaugurojnë bëmën e tyre më të re dhe do ta shesin si mrekullinë e tetë të njerëzimit, por as pallavrat për gurëzimin nga gjitha trevat e Shqipërisë, as “sherri” me grekët për gurët e Çamërisë, nuk do të mund të fshehin faktin e hidhur se Tirana, pas kanabizimit dhe kriminalizimit të pushtetit, është krimi më i madh që kryer Edi Rama./CityNews/

Please follow and like us: