Albspirit

Media/News/Publishing

Ema Andrea: Nëse do ju përshtatesha shijeve që nuk më shkojnë, kam frikë se do “vrisja“ artisten brenda meje

Ema Andrea është njëra prej aktoreve më karizmatike në Shqipëri. Pas përvojës se saj të fundit me shfaqjen “Equus”, në një intervistë për KultPlus ka folur edhe për shumë pika të tjera që lidhen po me artin. Ajo ka folur edhe për natyrën e saj rebeluese, sikurse që ka treguar haptas se ajo tashmë nuk bashkëpunon me këdo, duke kujtuar gjithmonë për rrugëtimin e saj drejt krijimit të identitetit, të cilin nuk i ka dhuruar askush, por që e ka fituar me sakrificë. Ema Andrea në këtë intervistë ka treguar edhe për rolin në pritje, rol i cili do të përmbushte shpirtin e saj artistik.

Ardianë Pajaziti

Si asnjëherë më parë, Shqipëria po dallohet për ngjarjet e shumta kulturore, prej këndvështrimit artistik, përjashto sasinë, sa cilësi po gjen në këto aktivitete?
Ema Andrea:
Ke të drejtë, sasia është më e madhe. Cilësia jo gjithmonë. Mendoj se në përgjithësi arti në Shqipëri tenton të jetë lokal, i mbyllur, pak kurajoz në shprehësi dhe në formën e komunikimit. Shpesh sheh ngjarje që i përkasin ose një grupi të vogël njerëzish, ose vetëm artistit që i bën. Duket shpesh që artistët kanë më shumë interes të shohin ngritjen e vetës së tyre, karrierës, plotësimit të egos së tyre nëpërmjet artit, sesa të ushqejnë artin brenda vetës. Ky diskuilibër bën që në shumë ngjarje artistike, arti të humbasë misionin e tij. E keqja është që askush nuk flet publikisht,e kam fjalën kritika. Artistet duhet të kuptojnë që publiku ka kërkesa shumë më të mëdha se sa ato që u ofron arti këtu. Në fund të një aktiviteti artistik, çfarë mbetet? Çfarë gjurmë lë ? Ku lëvizi kjo vepër apo aktivitet? Cila ishte prurja, qasja? …duket sikur prej vitesh po përsërisim vepra të ndryshme të realizuara njësoj.

Dhe shpirti artistik, ku po rri më shumë, në organizimet e institucioneve publike apo ato vetanake?
Ema Andrea:
Shpirti artistik lidhet fort me mënyrën e të jetuarit dhe integritetin e artistit. Edhe organizimet vetanake, siç i quani ju, janë të ndërvarura nga institucionet. Shpirti artistik është gjithmonë aty. Varet si e trajtojnë bartësit e këtij shpirti, artin brenda tij. Puna varet nga institucionet, shpirti artistik jo! O e ke o nuk e ke!

Jeni mjaftë e angazhuar në projekte të ndryshme, por përpos projekteve ju njiheni edhe si aktore rebel, ku shpesh herë reagoni për pakënaqësi të ndryshme, sa po ndikojnë në karrierën tuaj?
Ema Andrea:
Rebelimet e mia janë shpesh për fenomene që prekin komunitetin apo dinjitetin e një komuniteti, artistik apo shoqëror. Po rrezikojmë të jemi dele në rresht për shume motive. Unë nuk bëj dot ndryshe. Është shumë vonë për të ndryshuar krejtësisht! Utopike apo idealiste nuk e di! Mua më duket normale, për derisa nuk fyej (me dashje) komunikoj, dhe mbi të gjitha nuk dhunoj lirinë e askujt!
Më ka kushtuar për kohë të gjatë, të qenit e vetme, dhe si e tillë, e rrethuar me paragjykime e gjykime (për të cilat s’jam munduar aspak ti ndryshoj) Njerëzit mendojnë dhe sillen sipas kutit të vet, ndaj s’mund të harxhoja kohë për tu mbushur mendjen të tjerëve. Më ka kushtuar mundësi të pakta për të bërë art, teatër më së shumti, aq të pakta sa sot, kur ngjitem në skenë dëgjoj ende shprehje habitore mbi aktrimin tim, sikur ditën e parë që kam hipur në skenë! Përpjekjet për të mos njohur arritjet e mia si aktore apo si regjisore, që shpesh kanë qenë të suksesshme, janë bërë një dhimbje që bashkëjeton me mua! Diku në memorien e dikujt, edhe pse përpiqet të më mohojë është vepra ime, unë këtë e di! Kjo tradhti e ulët është problem i pasqyrës së atyre që “me që nuk i lashë të qetë” e tani “ të dielave kapardisen me teshat e mia” Kjo mënyrë të jetuari apo reaguari, më ka ndihmuar të fitoj betejat me vetën, dhe të rritem si artiste brenda vetes çdo ditë, të jem më e ndjeshme, ëndërrimtare dhe gjithmonë me këmbë në tokë. Më ka ndihmuar të kuptoj thirrjen time të brendshme, të dua artin dhe këdo që do artin, ani se nuk është gjithmonë pjesë aktive e prodhimeve artistike!

Pse nuk synoni të jeni brenda institucioneve, për të sjellë atë që sipas jush mungon?
Ema Andrea:
Deri më sot, nuk e kam menduar, më duket sakrificë e madhe të heq dorë nga krijimtaria ime. Kam përshtypjen që nëse je brenda një institucioni, impenjimet dhe etika s’do më lejonin shumë hapësirë për të krijuar. Por, nuk do të thotë që nuk do të ndryshoj mendje. Nëse do ta bëja, do të ishte një vendim i fortë, për të cilin do të punoj çdo ditë që t’ia vlejë për komunitetin dhe shoqërinë! E nëse jo, unë di të tërhiqem!

Ku e shihni teatrin sot?
Ema Andrea: Lokal. Në estetikë e në kërkim. Flet më së shumti, ende me mjete tashmë të superuara, ndonjëherë edhe arkaike! Ka suksese dhe lëvizje spontane, por nuk është ende në ndryshim. Mendoj se duhet të lirohet nga kufijtë dhe të rikthehet në dimensionin që i takon artit në hapësirë e në kohë! Duhet të jemi shumë për një sistem ku të mund të lëvizin vlerat e jo të krijojmë sërish të njëjtën forme, në shije e bashkëpunim! Hapësira e madhe i frikëson disa…. ndoshta shumicën…ndaj nuk ndodh ndryshimi! Jeta e një artisti s’duhet të ketë lidhje me pasjen e një vendi të sigurtë pune dhe as të varet prej tij!

Po teatrin e Kosovës, ndoshta prej distancës të duket më e ëmbël, apo e kundërta?
Ema Andrea:
Kosova, për shumë arsye, duket pak më e hapur. Artistët e Kosovës duket se lëvizin më tepër në hapësirë, dhe kjo i ka ndihmuar të ndryshojnë, ti kenë kufijtë e krijimtarisë shumë më të gjera se sa ne Shqipëri. Në Kosovë, me sa shoh, portat e bashkëpunimeve janë hapur prej kohesh, dhe kjo gjë padyshim që e ka bërë të jetë ndryshe, si në aspektin e kërkimit artistik ashtu edhe në atë të menaxhimit të vlerave! Edhe pse është përshtypje prej larg, arritjet në festivale të rëndësishme, dhe bashkëpunimet e suksesshme me artistë jo vetëm lokal, vërtetojnë të paktën gjysmën e përshtypjes sime!

Flasim pak edhe për thumbimet në raport Kosove -Shqipëri, qoftë debate televizive, humori, letërsi, muzikë…, ku shpeshherë ka tendencë që të kritikohen në të dyja anët, si i sheh këto thumbime?
Ema Andrea:
Si hidh e prit mes dy vëllezërve apo motrave, të cilët prindërit i kanë mësuar të jenë gjithmonë në garë se kush është më i mirë! Pak mendësi e vjetër për mendimin tim! Shumë e vjetër!

Si do të dëshiroje të ishin raportet kulturore në mes këtyre dy vendeve?
Ema Andrea:
Më vjen pak çudi që nuk kemi gjithaq raporte. Kemi të njëjtën kulturë, gjuhë, mënyrë të kuptuarit, edhe pse histori të ndryshme, ndaj duhej të ishte shumë i lehtë e i natyrshëm bashkëpunimi. Në fakt nuk ndodh kështu. Bashkëpunojmë shumë pak, nëse me bashkëpunim do të quanim “vizitat” kulturore që i bëjmë rrallë njëri tjetrit! Të paktën kemi qerasi (ndonjëherë) ofrojmë ndonjë shtrëngim dore, apo karamele dëshirash, sepse jo rrallë as këto nuk i kemi për njëri tjetrin. Studentet mund të bashkëpunojnë, artistët e rinj, institucionet, organizatat e pavarura, individët!

Personalisht, ju konsideroheni si një aktore mjaft karizmatike, por jo të shohim edhe në projekte të Kosovës, do të doje të ishte ndryshe?
Ema Andrea:
Nuk kam bashkëpunuar shpesh me artistët kosovarë,por të gjitha herët jam ndjerë shumë mirë! Të jem pjesë e projekteve në Kosovë, është pjesë e dëshirës për të zgjeruar kufijtë e artit. Tanimë duhej ish bërë rutinë, bashkëpunimi mes artistëve Shqipëri e Kosovë!

Po në Shqipëri, sa je e kënaqur me aq sa të ofrohet?
Ema Andrea:
Nuk jam e kënaqur, por në të njëjtën kohë nuk kam asnjë ankesë! Unë kam zgjedhur rrugë tjetër. Nuk pres të më ofrohet bashkëpunim. Nëse pres, asgjë s’do të ndodhë! Nëse pres, do të më duhet tu përshtatem shijeve që nuk më shkojnë, një mënyrë pune që nuk më pëlqen. Nëse e gjitha kjo do të ndodhte kam frikë se do “vrisja “ artisten brenda meje! Jo faleminderit! Arti është çfarë unë jam! Jetën time nuk e lë në dhomën e pritjeve dhe në dorën e askujt! As unë nuk jam e gatshme të bashkëpunoj me këdo! Kam tanimë një rrugë dhe një identitet të cilin nuk ma dhuruan, por e fitova me djersë e sakrifica! Arti është mënyra ime e të jetuarit, dhe për të jetuar, nuk priten oferta apo jo? Jetohet dhe kaq! Jetohet me ata që të ngjajnë në mendje, shpirt e vepër! Kështu e kam jetuar, dhe u jam mirënjohëse të gjithë atyre me të cilët krijova, të cilët më besuan dhe më ndihmuan të rritem! Unë s’kam shume dalje në skenë apo kinema, por artin brenda meje e kam rritur dhe ushqyer çdo dite, ndaj jam e kënaqur me rrugën time, që më përket në të mirë e në të keqe! Gjunjët e mi përulen prej respektit e jo prej dhimbjes nga pamundësia! Goja ime përtyp mendimet e mia dhe kafshatat e djersës sime! Nuk krahasohem me askënd dhe as ndihem viktimë apo heroinë! Kështu zgjodha!

Sapo jeni paraqitur edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës me shfaqjen “Equus”, shfaqje e cila është pritur mirë edhe nga audienca, por edhe nga mediet, por vetë Ema, çfarë përvoje pat me këtë shfaqje?
Ema Andrea:
Në këtë shfaqje u gjenda “ në shtëpinë time” që ditën e parë të provave! Një proces i mrekullueshëm krijimtarie, kërkim dhe pasion, profesionalizëm dhe integritet artistik. Një shfaqje e cila në tërësinë e vet më frymëzoi, kolegët, atmosfera, kërkimi profesional, dedikimi. Jetova në dimensionin e vërtetë që teatri i mirë ma fal sa herë i qasem. U ndjeva pjesë e një akti artistik tatoo në historinë moderne të teatrit . Jam krenare që jam pjesë e ngjarjes Equus,dhe jam me fat që Mustafic më zgjodhi sërish të punoja me të! Jam e lumtur që zgjodhi pikërisht ata artistë për të bashkëpunuar! Besoj se është fillimi i një rrugëtimi, shpresoj të gjatë e në ngjitje! Equus, Mustafiq dhe gjithë kolegët e mi më bënë të jetoj një dimension pa kohë, pa gjeografi brenda një krijimtarie që më lëvizi rropulltitë e mendjes dhe qenies! S’mund të ishte veçse një shfaqje e tillë, ku fjala sukses artistik merr kuptimin e vërtetë!

Pothuaj në të gjitha projektet, për partnerë keni aktorët më të treguar, cilat janë anët negative dhe ato pozitive që të jeshë pjesë e një kaste të rafinuar?
Ema Andrea:
Partnerët e mirë dhe profesionistë dinë ta “humbasin” karrierën, apo ta fillojnë nga e para sa herë nis një proces krijimtarie! Këtë përulje kam edhe unë për profesionin! Ndaj ndihem njëjtë edhe kur punoj me më të mëdhenj si dhe me studentët e mi. Pak gjëra ndërrojnë! Përpara procesit jemi të gjithë njëlloj! Unë përpiqem të mësoj nga eksperienca e më të rriturve dhe nga pasioni, dëshira dhe energjia e brezit të ri, nga mënyra e tyre krejt ndryshe e krijimit! Jam gjithmonë studente në këtë profesion! Kur bashkëpunoj me artistë e kam fjalën, dhe jo me teater lërues që gjejnë ca lekë për të deliruar dhe frustrojnë bashkëpunëtorët në emër të parasë (rrallë jam gjendur në të tillë situatë por nuk ja fal vetes ) jam e lehtësuar se në këto raste nuk i kam marrë paratë! ( në fakt ka ndodhur vetëm 1 herë).

Dhe krejt për fund, ke luajtur në mjafte role, cilin rol do ta synoje që do të përmbushte shpirtin tuaj artistik?
Ema Andrea:
Rolin që nuk më ngjan, sepse më ngjan!/KultPlus.com

Please follow and like us: