Albspirit

Media/News/Publishing

Takimi sekret me Ramën, flet Fatos Nano: Ja për çfarë folëm

Ish-kryeministri, Fatos Nano ka komentuar sonte për një media takimin e tij me Edi Ramën. I kontaktuar nga “Balkanweb” lidhur me temën e këtij takimi, Nano nuk dha detaje por tha se “nuk bëhet fjalë për çështje timoni, por destinacioni”. Ai gjithashtu përdori edhe shprehjen e kryeministrit Rama “nuk keni parë gjë akoma”. Përvec mundësisë së bisedës për rolin e ardhshëm të Ilir Metës tek e majta, Rama ka nisur të shqyrtojë koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve nëse del parti e parë. Fatos Nano ka lidhje të forta me të paktën dy parti që janë në koalicion me opozitën, PAA dhe PBDNJ prej nga pritet të dalin 4 deputetë, një numër i konsiderueshëm që mund të vlejë për një koalicion të PS vetëm me parti me elektorat të kufizuar. Po ashtu vetë Nano ruan lidhjet dhe ndikimin edhe me Ben Blushin i cili pritet të marrë të paktën 2 deputetë. Blushi ka qenë zëdhënësi i Nanos në vitin 1997 ndërsa u bë tri herë ministër në qeveritë e majta deri në vitin 2005. Sot rreth orës 17.30 pasdite ish-kryeministri Fatos Nano ka hyrë pas shumë vitesh në atë zonë për t’u futur në vilën e kryeministrit aktual. Lideri historik i Partise Socialiste dhe kryetari i sotem i socialistëve, kanë ndenjur për më shumë se dy orë së bashku. Të njëjtat burime tregojnë se më pas Edi Rama është larguar drejt Tiranës, ndërsa Fatos Nano drejt Golemit në shoqerinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë Ëngjëll Agaçi. Nuk dihet se për çfare ka folur Edi Rama me paraardhësin e tij, po kjo nuk është hera e parë që të dy takohen larg vëmendjes së mediave.

Please follow and like us: