Afrim Krasniqi: Sekreti i formulës që përkthen votat në mandate 2017

Fushata elektorale po mbyllet dhe nëse lexon median, dëgjon studiot televizive dhe shikon se çfarë deklarojnë politikanët është e lehtë të kuptohet se shumica e tyre nuk e njohin sistemin zgjedhor dhe formulat e kalkulimit të mandatave. Konkretisht, mund të ndodhë që një parti të fitojë 3-5% të votave në nivel kombëtar, por për shkak të sistemit mund të mos fitojë dot asnjë mandat deputeti. E kundërta, mund të ndodhë që një parti të fitojë 0.4% të votave kombëtare por mund të fitojë mandat parlamentar, siç ndodhi realisht me PKD më 2013 ose me 0.8% siç ndodhi me PBDNJ më 2013. Një parti mund të fitojë votat kombëtare, por mund të mos jetë partia më me shumë mandate parlamentare (më 2009 PS kishte 10 mijë vota më shumë se PD, por kishte 3 mandate më pak sesa PD, partia e dytë politike në votat proporcionale).

Për të kuptuar sistemin e kalkulimit të votave dhe përkthimit të tyre në mandate le të analizojmë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2013 në Tiranë. Në këto zgjedhje PS fitoi 16 mandate, PD 11, LSI 3, PDIU dhe PR nga 1 mandat. Dy të fundit përfituan nga qenia në koalicion me PD. Siç shihet PDIU mori një mandat edhe pse kishte më pak vota sesa FRD, e cila për shkak se konkurroi e vetme dhe nuk kaloi pragun 3% nuk mori asnjë mandat. Nëse të njëjtat vota do të përkthehen në formulën e vitit 2017 (konkurrim pa koalicione, por secili subjekt politik më vehte) atëherë kemi një shpërndarje të re të mandatave: PS merr 17, PD 13, LSI mbetet me 3, PR dhe PDIU nuk fitojnë mandat. Nëse PDIU dhe LIBRA fitojnë mbi 14 mijë vota, atëherë ato sigurojnë automatikisht nga një mandat parlamentar, mandat që merret nga PS dhe PD, në varësi nga ndarja e votave fundore të tyre.

Formula shpjegohet në tabelën bashkëngjitur, për partitë që kalojnë pragun 3%. Shifrat e partive pjesëtohen me numrin e mandateve derisa arrihet mandati i fundit parlamentar, numri 34 në Tiranë. E njëjta logjikë vlen edhe në qarqet e tjera. Formula është penalizuese për partitë e reja dhe partitë e vogla politike dhe është e favorshme për dy partitë e mëdha politike. Votat e humbura (nën 3%) të partive të tjera de facto përkthehen në mandate për dy partitë e mëdha, kryesisht për shkak të uljes së numrit të votave të vlefshme në kalkulim dhe koeficientit të lartë të tyre.

Mësimi? Sistemi është në thelbin e tij, i padrejtë dhe disproporcional. Por është një sistem që është pranuar nga pjesa më e madhe e partive, i votuar nga dy partitë e mëdha dhe aleatët e tyre besnikë dhe që aplikohet prej vitit 2008 në Shqipëri. Mësimi më i rëndësishëm është se sistemi duhet rishikuar.

Deri atëherë, partitë e treta dhe të vogla politike duhet të shfrytëzojnë kohën në dispozicion për të maksimaluzuar shanset për mandat në qarqet ku kanë koeficient të lartë votash dhe kanë shanse për mandat. Votat kombëtare janë kujtim personal dhe i vlejnë historikut të zgjedhjeve, kurse mandatet parlamentare përkthehen në fuqi politike, mandat qeverisës dhe rol aktiv në vendimmarrjen politike.

Mësimi i tretë, për shkak të brishtësisë së sistemit, mund të ndodhë që partitë e vogla të jenë përcaktuese për koalicionet post-zgjedhore pasi dy partitë e mëdha kanë pamundësi reale të fitojnë të vetme mazhorancën qeverisëse. Ekzistojnë 50% shanse që njëra nga partitë e mëdha të marrë e vetme 70 mandate, por në thelb, ato janë mandate edhe për shkak të votave të partive aleate që palët kanë përfshirë në listën e saj shumëemërore (PD) ose partive aleate që kanë rënë dakord ta delegojnë votën dhe përgjegjësinë tek partia kryesore (PS).

Ka një shprehje të njohur, “në detaje fshihet djalli” që vlen në këtë rast. Partitë do të duhet ta analizojnë e kalkulojnë formulën e përkthimit të votave në mandate. Skema e hartuar nga Instituti i Studimeve Politike www.isp.com.al dhe database www.vota.al i ndihmon dhe i inkurajon ta realizojnë këtë.