Albspirit

Media/News/Publishing

Gazeta “Shqip” klonohet për të shpërndarë lajme të rreme kundër Ramës përpara zgjedhjeve

Një portal i ri me domain në Mali të Afrikës ka kopjuar pamjen e gazetës “Shqip” dhe shpërndan lajme të rreme në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit -një formë e re dhe e rrezikshme piratimi që sipas gazetarëve synon të keqinformojë publikun.

Nga Ivana Dervishi/

Fushata elektorale në Shqipëri ka arritur kulmin, ndërsa vetëm pak ditë larg zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit portalet mediatike në vend, të porsakrijuara ose të hershme, gëlojnë nga artikujt e shumtë politikë.

Sponsored by Revcontent
Ëndërrimi I Të Rinjve? Është Një Realitet! -10 Vite / 7 Dite, Asnje Mjek!

Një ndër portalet që po merr qindra pëlqime dhe dhjetra shpërndarje të artikujve është dhe portali më i ri Gazeta-Shqip.ml (gjithashtu me domain Gazeta-Shqipi.com) – i cili pretendon të gënjejë lexuesit se është faqja zyrtare e të përditshmes 11-vjeçare “Shqip”.

Portali i ri figuron i regjistruar më 14 qershor, sipas të dhënave të domainit dhe ka kopjuar krejtësisht pamjen e gazetës së vërtetë Shqip, ndërkohë që përhap lajme të pavërteta në emër të portalit origjinal.

Artikuj të caktuar politikë kanë marrë mbi 500 pëlqime në faqen e rreme të Shqip në Facebook përmes shpërndarjes së sponsorizuar të lajmeve, pavarësisht se faqja ka vetëm 972 pëlqime. Postimet në këtë faqe janë manipuluar që të duken se vijnë nga adresa zyrtare e Gazetës Shqip, por në raste të caktuara shfaqen edhe me diferencën .ml të domainit.

Domaini “ml” përfaqëson një domain të ofruar falas nga qeveria e Malit në kontinentin Afrikan në vitin 2013, në një përpjekje për të rritur përdorimin e teknologjisë në vend.  Identiteti i personave që fshihen pas këtij domaini ruhet nga privatësia e përdoruesit në të dyja rastet, si tek gazeta-shqipi.com ashtu dhe te gazeta-shqip.ml dhe nuk është e mundur të zbulohet.

Duke shprehur shqetësim të thellë për këtë keqpërdorim të emrit të gazetës Shqip, kryeredaktori i portalit, Erion Abule tha për BIRN se “piratimi rrezikon të dëmtojë reputacionin e gazetës dhe të mashtrojë lexuesit besnikë të saj përmes shkrimeve të sponsorizuara”.

“Dënojmë keqpërdorimin e faqes sonë për të fituar disa ‘like’ më shumë, por edhe për të bërë propagandë në favor të një partie apo një tjetre në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit,” tha për BIRN Abule.

“I bëjmë thirrje lexuesve të gazetës Shqip online që ta injorojnë një faqe të tillë pirate, e cila nuk ka lidhje me lajmet dhe informacionin e vërtetë të medias sonë,” shtoi ai duke saktësuar se portali i vërtetë ka mbi 650 mijë pëlqime në Facebook dhe mbart domain www.gazeta-shqip.com.

Megjithëse shprehet se rasti i imitimit të një gazete ekzistuese është vërtet i veçantë [një formë e re e fake news], sipas gazetarit Blendi Salaj kjo ilustron se jemi në një etapë kur teknologjia mund të përdoret edhe kundër nesh dhe se lexuesit duhet të jenë shumë të kujdeshëm.

“Publikut i lind nevoja të jetë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm me lajmet që lexon. Vetë lexuesi duhet të sigurohet se i merr lajmet në një media të besueshme. Nëse lexon gjëra andej-këndej, të cilat nuk di as kush i ka shkruar, e as pse i ka shkruar, sot rrezikon të keqinformohet në mënyrë të plotë”,  tha Salaj për BIRN.

“Sot shumë portale shqiptare botojnë lajme të pakonfirmuara, sensacionalizma e të pavërteta të lloj-llojshme për të përfituar klikime. Ndaj besimi i publikut tek gazetarët po humbet,” shtoi ai.

Portalet e shumta mediatike në Shqipëri operojnë në mënyrë kaotike dhe jashtë çdo rregullimi ligjor. Ato akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën për kopjim të lajmeve dhe shumica prej tyre postojnë lajme pa autorë të deklaruar.

Ish-drejtori për një dekadë i Gazetës Shqip, Besnik Myftari tha për BIRN se i vjen keq të shohë integritetin e gazetës të cenohet, ndërsa shtoi se situata duhet të kontrollohet.

“Duhet të vendoset një ligj dhe të ndërhyjë një institucion që të rregullojë këtë punë,” përfundoi Myftari.

Të mërkurën (21 qershor) personat pas faqes së rreme hapën një tjetër portal www.gazeta-shqip.net me të njëjtën pamje dhe përmbajtje, duke e çuar kështu numrin e faqeve të rreme dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën në tre.

BIRN

Please follow and like us: