Pas tre muaj në çadër Aleanca Kuq e Zi në Tiranë bashkohet me PS

Dega më e madhe e Aleancës Kuq e Zi, ajo e Tiranës bashkë me kryetarin Augent Xhaferaj, i është bashkuar Partisë Socialiste pak ditë para zgjedhjeve të 25 Qershorit.

Gjatë një takimi ku i pranishëm ishte edhe kryetari i PS-së Tiranë Saimir Tahiri, kreu i kësaj dege, Augent Xhaferaj deklaroi se i janë bashkuar Partisë Socialiste për ta mbështetur në reformat dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.

”Kur vendosa t’i bashkohem Partisë Socialiste shumë miq më pyetën pse shkon aty. Ua kam thënë në sy dhe po ua them sot publikisht të gjithëve: sepse Partia Socialiste është e vetmja që në 4 vite i riktheu flamurit kombëtar dinjitetin e munguar në rajon. Në Tiranë shqiptarët për herë të parë panë një qeveri që nuk prapsej dhe as trembej nga kërcënimet e fqinjëve. Sepse një ‘kuq e zi’ i vërtetë nuk mund të bëhet me ata që 6 vite më parë firmosën për të shitur detin e Shqipërisë. Sepse një ‘ kuq e zi’ i vërtetë nuk mund të bëhet as me ata që me bllokun e zi në dorë, me aspak dashuri dhe me shumë qetësi zhvasin shqiptarët”, tha Xhaferaj. Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës Saimir Tahiri u bëri thirrje të rinjve që të shkojnë të votojnë në 25 Qershor pasi edhe një votë është vlefshme në betejën për Shqipërinë që duam.