Spartak Ngjela: Pse gjithë ky interesim i politikës amerikane të rangjeve të larta për reformën antikorrupsion në Shqipëri?


 

Erdhi çasti kur gjithkush që di të mendojë mëvetësisht mund të pyesë:
Pse gjithë ky interesim i politikës amerikane të rangjeve të larta për Reformën antikorrupsion në Shqipëri?
Janë të shumtë ata që mendojnë se nuk do ta çojnë amerikanët deri në fund këtë nismë për moralitetin e shtetit shqiptar.
Por është ndërkohë ende nëpër veshët e shqiptarëve thënia e spikatur dhe e disaherëshme e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë : “Amerika iu ka premtuar shqiptarëve Reformën në Drejtësi”.
Por nuk ka vetëm kaq: janë edhe dy presidentë amerikanë që ia kanë kërkuar kryeministrit aktual shqiptar Reformën në Drejtësi- edhe Obama, edhe Donald Trump.
Atëherë çfarë ndodh: përse gjithë ky interesim?
Kuptohet që pikërisht këtu duhet të fillojë analiza.

l.
Në këtë situatë të nxehtë të politikës globale sigurisht që ka një luftë përplasëse të qytetërimeve, por ka dhe një interes patologjik, racist dhe barbar të sundimit në shtetet tiranikë. Drejtësia deformohet dhe nuk mund të qëndrojë kur shteti sundohet dhe nuk qeveriset.
Dallimi midis sundimit dhe qeverisjes demokratike është qëndrimi kundrejt drejtësisë. Pa drejtësi gjithmonë ka sundim.

Demokracia e sunduar nga një dorë, është sundim tiranik gjithashtu. Kjo në fakt është bota lindore, por sigurisht me diferencat e saj. Kjo ka qenë dhe është deri diku edhe Shqipëria.

II.
Që Shqipëria të mos sundohet më, e ka domosdoshmëri Reformën në Drejtësi. Shqipëria e pasunduar nga një dorë dhe demokratike, kthehet vetëm me një Reformë të thellë në drejtësi. Nëse do mbetet e sunduar, sikurse është sot, kjo lloj Shqipërie nuk i duhet fare Perëndimit.

Nëse në Shqipëri nuk do të vendoset drejtësia e standarteve perëndimore, atëherë aleanca e shqiptarëve me botën perëndimore, do të jetë e pamundur.
Por nëse kjo aleancë nuk do të funksionojë si pasojë e mungesës së drejtësisë në Shqipëri, çfarë do të ndodhte në Shqipëri?

lll.
Në këtë botë të trazuar ku spikat lufta midis dy qytetërimeve, bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor, është sot domosdoshmëri për politikën perëndimore në përgjithësi, dhe për politikën amerikane në veçanti.

Bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor nuk është botë sllave, kurse tre shtetet e tjerë aty: Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, janë shtete sllave. Në këtë botë lindore kundërshtare e Perëndimit, në qëndër të vet, qëndron Rusia. Dhe kjo nuk është fare një rastësi: sepse lufta midis Perëndimit dhe Lindjes sot, është lufta midis demokracisë dhe autoritarizmi klanor.

Autoritarizmi klanor shkon nga autoritarizmi i tipit të butë rus, deri të autoritarizmi islamik barbar.
Në këtë ndarje përplasëse qytetërimesh, politika amerikane do ta konsideronte humbje të madhe mungesën e aleancës së ngushtë me botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, sepse kjo aleancë është konsideruar sot kryesorë në luftën Lindje-Perëndim.

Por cila është bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor?

lV.
Bota shqiptare e Ballkanit Perëndimor është e përqëndruar në dy shtete të pavarur krejt shqiptarë: në Shqipëri dhe në Kosovë; në tre shtete sllavë: në Serbi, në Maqedoni dhe në Mal të Zi; dhe në Greqi gjithashtu.

Shqipëria në fakt është epiqendra e kësaj bote shqiptare. Në funksion të këtij fakti, për arsyen që përmendëm më lart, forcat ndërluftuese lindore, syrin e kanë te Shqipëria, sepse, neutralizimi i Shqipërisë me destabilizim, e lë botën shqiptare pa efekt në lidhje me aleancën shqiptaro- amerikane.

Një Shqipëri jo stabile nuk i duhet askujt për aleancë; kurse një Shqipëri e drejtë, demokratike dhe me prodhim të lartë, është domosdoshmëri për politikën amerikane.
Prandaj në këtë kohë, politika amerikane i ka marrë të gjitha masat për të ndaluara destabilizimin e Shqipërisë. Kjo u pa qartë në rastin e fundit kur me një akt force të rreptë politik amerikanët neutralizoi Çadrën e Berishës. Bashkë me të, Amerika neutralizoi dhe rreth 400 ushtarake rusë të ardhur në Shqipëri për destabilizimin e saj nëpërmjet Çadrës Berisha.

V.
Ja ky është përshkrimi i gjendjes politike globale dhe i pozicionit shqiptar. Në funksion të kësaj gjendjeje, Reforma në Drejtësi që kanë iniciuar amerikanët në Shqipëri do të kryhet si një domosdoshmëri e kohës, kurse zhvillimi i pandërprerë i Shqipërisë dhe i të gjithë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor është një kusht i madh në luftën global e të dy palëve të kundërta të qytetërimeve të kësaj kohe.

Zhvillimi demokratik i Shqipërisë e potencon maksimalisht të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, dhe fillon kështu procesin real të bashkimit të shqiptarëve, të cilët janë sot forcë e rëndësishme e Amerikës në luftën aktuale midis Perëndimit dhe Lindjes.