Çfarë ndodhi në takimin e Kumbaros dhe Çuçit me emigrantët në Athinë?

Mirela Kumbaro dhe Bledi Çuçi zhvilluan një takim gjatë pasdites së 17 Qershorit me emigrantët në hotel Titania, në Athinë.
Një qytetare, pjesëmarrëse në këtë aktivitet, tregon për emisionin “STOP”, përmes lidhjes në Skype, se është dhunuar nga shoqëruesit e ministres dhe të tjerë militantë, sapo ka ngritur çështje si: zbardhja e 21 janarit, të drejtat e emigrantëve apo kanabisi në Shqipëri.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Ministri i Shtetit  për  Çështjet Vendore, Bledi Çuci janë shprehur se takimi më 17 Qershor me emigrantët shqiptarë në Greqi ka qenë mjaft entuziast, por mediat greke kanë treguar të kundërtën.
“Emigrantët kanë reaguar ashpër, duke fyer kryeministrin dhe kandidatët për deputetë, pasi pretendojnë se kujtohen për ta një herë në katër vjet, pra vetëm për zgjedhje. Situata degjeneroi deri në fyerje, goditje dhe nxjerrje jashtë nga bodigardët, reagim ky që përfundoi në disa të lënduar” –shkruajne mediat greke.
Por emisioni “STOP” nuk u mjaftua vetëm me rrëfimin e mediave greke, por arriti të sigurojë një intervistë nga Aleksandra, një emigrante pjesëmarrëse në këtë takim të zhvilluar në hotel Titania, në Athinë.


Qytetarja – Përshëndetje! Natyrisht, do të flas hapur, ajo që më ndodhi. Patëm takimin më datë 17, ditën e Shtunë, ora 7-të, me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro … ëëë dhe zv.Ministri i Brendshëm, Stefan Çipa, Bledi Çuçi. Mbledhja në fillim qe shumë e larmishme, diskutuan me radhë deputetët dhe koha mbeti shumë e shkurtër për të diskutuar ne emigrantët.
Marr unë mikrofonin, nuk donin të ma jepnin. Bëra tre pyetjet e para, më shoqëruan me duartrokitje. Ndërsa të tretën, të fundit domethënë, kur ia bëj znj.Kumbaro, nuk e bëra me tendencë dhe unë i bëj pyetjen: ju lutem … ëëë … kur do zbardhet çështja e 21 Janarit, të drejtat e emigrantit dhe pyetjen e fundit, kur do të zhduken bimët narkotike në Shqipëri se po vdesin fëmijët tanë.


Më marrin mikrofonin, aty fillojnë kërcënimet dhe presioni më i shumtë ka qenë nga gratë e Shqipërisë. Unë shmangem në moment, gjatë goditjeve. Fillova të qaja, e ndjeva veten shumë të ulët. Aty kisha dhe simpatizantët e mi, të gjithë u shtangën, kurse znj. ministre karaliste për Edi Ramën.
Këto nuk janë për të ardhmen e fëmijëve tanë, këto janë për karrierë. Mu hodhën si Skënderbeu kundër turqve. Nuk di si ta përshkruaj, si nëpër filma.


Gazetarja Ju doli njeri përkrahë në momentet që po ju godisnin?
QytetarjaAsnjë njeri. Të gjithë i kisha kundra. Unë jam thjesht atdhetare, nuk merrem me asnjë parti.
Aleksandra rrëfeu se ajo u dhunua në takimin e zhvilluar për emigrantët shqiptarë në Greqi, ku ishin pjesëmarrës Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Ministri i Shtetit  për  Çështjet Vendore, Bledi Çuci, sepse ngriti pyetje për çështjet si: zbardhja e 21 Janarit, të drejtat e emigrantëve dhe asgjësimi i bimëve narkotike në Shqipëri./tvklan.al/