Sadik Premtja: Pse u arratisa dhe bisedimet me komunistët italianë për Enverin?

 

 

Dashnor KALOÇI

 

Në këtë artikull po publikojmë kujtimet e Sadik Premtjes të shkruara prej tij (me makinë shkrimi) gjatë kohës që ai jetonte në Paris, të cilat mbajnë datën 27 janar 1950. Këto kujtime, të cilat janë pjesë e arkivit të tij personal dhe të trashëguara nga i vëllai, Zija Lepenica, janë shkruar duke iu përmbajtur  një kronologjie të jetës së Sadikut, nga origjina e familjes e deri në atë periudhë kohe që është ulur dhe i ka shkruar. Mendojmë se këto janë me mjaft interes, jo vetëm për këtë libër, por edhe për historiografinë e Shqipërisë, kryesisht të asaj periudhe që merret me historikun e grupeve komuniste në Shqipëri, themelimit të Partisë Komuniste dhe aktivitetit të saj për organizimin e Luftës Antifashiste gjatë periudhës së pushtimit italian të vendit.

Duke i parë këto kujtime të Sadik Premtjes nga këndvështrimi i sotëm, kur kanë dalë një sërë dokumentesh arkivore që hedhin dritë e ndriçojnë një sërë ngjarjesh që nga periudha e Monarkisë së Zogut e deri në vitin 1950, (kohë në të cilën ato janë shkruar), mendojmë se janë dhënë me shumë objektivitet. Dhe duke i paraqitur saktësisht ngjarjet dhe faktet që kanë të bëjnë jo vetëm me jetën e tij personale, por edhe ato që i përkasin periudhës së grupeve komuniste në Shqipëri, themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, rolit që kishin aty dy emisarët jugosllavë, Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, uzurpimit të kreut të PKSH-së nga Enver Hoxha, e deri tek vija terroriste që ai ndoqi që nga ajo kohë dhe më pas për të likuiduar fizikisht disa nga krerët kryesorë të grupeve komuniste që ia i shihte si rivalë kryesorë apo pengesë në ambiciet e tij për kreun e Partisë, siç ishte Anastas Lula dhe Sadik Premtja. Ashtu si dhe pjesa tjetër e të gjitha dokumenteve që përbëjnë arkivin personal të Sadik Premtjes, edhe këtë po e publikojmë të plotë dhe duke mos i bërë asnjë ndryshim nga origjinali si në aspektin ortografik, ashtu dhe atë dialektor.

Kujtimet e Sadik Premtes në emigracion

Që kur isha në Shqipëri kisha ndërmend, në rast se do të mundesha të dilsha jashtë shtetit, t’i drejtohesha P.K. të vendit ku të ndodhesha dhe t’i rezistoja pozisionin t’im. Po të qe se Partija Komuniste tek e cila do të drejtohesha nuk do të tregonte ndonjë interesim, ahere isha i vendosur t’i drejtohesha edhe Kominternit. Them Kominternit se pse unë mendoja akoma që ky i fundit ekzistonte dhe se deklaratat e shpërndarjes të tij për t’ua konsideroheshin si një manevër politike.

Disa muaj mbas arritjes në Itali munda të bie në kontakt me një anëtar të K.C. të P.K.I., i quajtur Ciuffoli, i cili, mbas një bisedimi të gjatë, më kërkon një relasion me shkrim mbi pozisionin t’im në lidhje me P.K. të Shqipërisë. Mbas dorëzimit të relasionit në fjalë, Ciuffoli më vë në lidhje me sekretarin e seksionit të P.K. të Barletta-s dhe, njëkohësisht, më thotë se përgjigja e K.C. të P.K.I. do të më nepesh mbasi të merreshin vesh me K.C. të P.K.Sh. Veç ksaj më premtoi se, cilado që të ishte përgjigja nga Shqipërija, unë do të vazhdoja të punoja me Partinë Komuniste Italjane.

Sado që në kondita shumë të vështira, etja për punë revolusionare më shtynte të bëj propagandë komuniste edhe në të rinjtë që ndodheshin në kampet e refugjatëvet. Fakti që arrita të formoj një grup të vogël simpathizantësh bëri që reaksionarët shqipëtarë, në marrëveshje me partinë Uomo Qualunque (fashiste e maskuar), të botojnë në gazetat e murit të qytetit të Barletta-s këto fjalë: “Nel campo dei profughi a Barletta, gli agenti albanesi di Tito hanno formato delle cellule comuniste e, in collaborazione con il P.C.I., cercano fare degli attentati contro i capi nazionalisti.”. Kjo ishte një shenjë se reaksionarët shqipëtarë nuk do të mjaftoheshin me kaq, porse do të ndërhynin edhe në policinë italjane për të na arrestuar. Atëherë i drejtohem shokut italjan me të cilin isha në lidhje dhe i spjegoj luftën që po na bëhej dhe, njëkohësisht, i kërkoj përgjigjen e K.C. të P.K.I. Mbi formën e bashkëpunimit me mua. Shoku në fjalë, mbassi pyeti një anëtar të K.C., më tha se duhesh të prisnja gjer sa të kthehej përgjigje nga Shqipërija. Gjer atëherë kishin kaluar më tepër se gjasht muaj dhe unë hala po mbaja murin si Nastradini. Pastaj ishte krejt absurde të shpresohej një përgjigje e favorshme prej Enver Hoxhës me shokë, prej njerzish që reabilitimin t’im e druanin “si djalli thimjamin”. Kjo ishte si me thanë: me qenë kundër kadiut dhe, prap se prap, më thirrë për atë (kadiun) me të gjykue.

Gjatë muajit të fundit të qëndrimit t’im në Itali kisha pregatitur për t’ia dërguar shokut Tito, por për shkak të sjelljes jo të sinqertë të drejtuesvet të P.K.I., e anullova vendimin që kisha marrë. Në Itali fillova të dyshoj se të gjitha direksionet aktuale të P.K. i bien po të njëjtës muzikë, d.m.th. respektojnë më tepër njerzit që janë në fuqi sesa viktimat e tyre, qoftë që këta të fundit të jenë shumë herë më revolusionarë sesa të parët. Me gjithë dyshimet që shpjegova, prap se prap, e quanja për detyrë të trokëllinja edhe në porta Partish Komuniste të tjera.

Kalimi në Francë

Më lartë tregova se reaksionarët shqipëtarë bënin çmos për të më shtirë në kthetrat e policisë italjane. Mirpo qëllimi i tyre djallëzor nuk u realizua për të vetmen arrësye se kur policët erdhën në kamp për të më arrestuar, unë u ndodha jashtë dhe menjëherë u lajmërova prej njerëzvet të mij. Tani s’më mbetet gjë tjetër veçse të hidhem në ilegalitet dhe t’i drejtohem seksionit të P.K. në Barletta për të më ndihmuar në kalimin e kufirit për në Francë. Sekretari i Seksionit në fjalë, i bindur në sinqeritetin dhe vendosmëninë t’ime revolusionare, më jep një letër për Federatën e P.K. të Torinos, e cila, me anë shokësh të njëj seksioni të saj pranë kufirit Franco-Italian, më paraqiti gjer sa hyj në tokën Franceze (natyrisht ilegalisht).

Mbas hyrjes në Francë m’u desh të punoj afër kufirit disa javë me kazmë për të nxjerrë të hollat e udhëtimit për në Paris. Në Paris, mbas dy muajsh papunësije, munda të futem në një fabrikë kukllash ku, për shkak të mbylljes së fabrikës, mbas tre muajsh, mbetem prap pa punë. Në sajë të përkrahjes së disa punëtorëvet shqipëtarë, mbas dy muajsh të tjera papunësije, munda të futem në një uzinë akumulatorësh ku vazhdoj të punoj edhe sot e kësaj dite.

Mirpo, siç i thonë njëj fjale të vjetër, “lumi flen dhe armiku s’flen”. Reaksionarët shqiptarë të Romës nuk kënaqen vetëm me largimin t’im nga Italia. Më përpara sesa të arrij unë në Paris arrijnë letrat e reaksionarëvet me të cilat porositin miqtë e tyre të Parisit të më luftojnë me çdo mjet. Këta të fundit, agjentë besnikë të shefevet të tyre, dhe të pazotë të më luftojnë haptazi me anën e ideve të tyre të kalbëta, fillojnë me spiunllëqe pranë policisë franceze, duke më paraqitur si një nga komunistët më të rrezikshëm të Shqipërisë. Policija franceze (Deuxieme Bureau), sado që nuk posedonte asnjë dokument mbi aktivitetin t’im komunist në emigrasion, më thërret në zyrat e saj ku më marrin fotografitë, gjurmat e gishtavet etj. Për mungesë provash dhe duke parë se me kërcnimet e tyre (burgim ose ekspulsim nga Franca) nuk mundën të më bëjnë të pohoj përmbajtjen e raportevet të spiunëvet, më lirojnë mbas njëj mbajtje nën vrejtje prej 6-7 orësh. Këto kohët e fundit, duke pas mësuar se unë mbroj haptazi politikën e drejtë të P.K.J., reaksionarët kanë filluar t’a intensifikojnë aktivitetin e spiunllëkut kundër meje. Nga ana tjetër edhe agjentëvet kominformistë nuk duhet m’u hangër hakun; pse edhe këta, duke ditur fare bukur se bashkëpunimi im me P.K.J. lot një rol me rëndësi në opinionin e militantëvet të Partisë dhe sidomos të militantëvet e të popullit të qarkut Vlorës, nuk lënë gjë pa bërë kundër meje. Këto ditët e fundit kanë arrijtur të bëjnë një punë aqë të poshtër sa të vjen të vjellët me e kallzue: Petronit të uzinës ku punoj unë i kanë futur njerëz të më nxjerrë nga puna pse jam komunist, duke kërkuar njëkohësisht që vendin t’im t’a zërë një nasionalist i ndershëm frances.

Megjithëse akti i kominformistëvet është në vetvehte një poshtërsi që nuk ka kandar t’a peshojë, prap se prap, me këtë mënyrë veprimi s’bëjnë gjë tjetër veçse kallëzojnë fytyrën e tyre të vërtetë, d.m.th. provojnë se ata vetë nuk janë aspak komunistë.

Përsa i përket qëllimit që kishja, qysh kur isha në Itali, për t’u takuar me ndonjë drejtues të P.K.F., nuk kam shumë gjëra për të thënë. Disa muaj mbas arritjes në Paris munda të bëhesh mik me 2-3 militantë të Partisë. Një prej këtyre, ai më seriozi, foli me një eksponent të Partisë prej të cilit pati këtë përgjigje: “Sot për sot shoku shqiptar do të bënte mirë të qëndronte në heshtje. Pastaj P.K.F. nuk mund të ndërhyjë në çështje që i përkasin vetëm Rusisë. Çështje e shokut në fjalë, bashkë me qindra çështje të tjera në Partitë e ndryshme Komuniste, do të zgjidhesh më së miri vetëm atëherë kur të krijohesh një forum internasional.”.

Përgjigja e mësipërme, rasti i kontaktit me P.K.I. dhe një tok studimesh të tjera, më lindën dyshimin se të gjitha direksionet aktuale të P.K. të Botës nuk ishin veçse agjensi të Moskës. Me gjithë se prej njëj konstatimi të tillë njeriu shpesh herë demoralizohet, prap se prap, unë kisha bindje të plotë se gjaku, sakrificat dhe lufta e klasës punëtore ndërkombëtare nuk mund të kishin si rezulltat definitiv zëvendësimin e njëj skllavërije me një tjetër- dhe këtë ndën emërin e Socializmit.

Fakti që P.K.J. shkëputet en blos prej influencës së burokracisë së Kremlinit dhe lufta e saj e drejtë kundër revizionizmit të Marxismë-Leninizmit janë një provë e gjallë se Historija nuk përsëritet. Shembëlla e P.K.J., shembëll me rëndësi historike për lëvizjen revolusionare të klasës punëtore, herët ose vonë do të ndiqet edhe prej revolusionarësh të vendevet të tjera. Dekretet ose vendimet burokratike të revizionistëvet kominformistë nuk mund t’a mbulojnë diellin me shoshë. Socializmi është një i vetëm dhe triumfi i tij i paevituarshmë.

Përfundoj duke shpresuar se K.C. i P.K.J., për hir të historisë dhe të Kauzës s’onë të përbashkët, nuk do të mungojë të rektifikojë çdo raport të shokut Dushani që nuk i përgjigjet aspak të vërtetës në lidhje me jetën t’ime revolusionare.

Paris, me, 25 Janar I950

XHEPI