Ermal Hasimja: Komentatorët e hajdutëve

 

Ermal Hasimja

Një hajdut vjedh një dyqan, del qetësisht dhe ecën në rrugë. 10 persona që e shohin ndalojnë, e përshëndesin dhe ulen e pyesin për marrëdhëniet që ka me hajdutët e tjerë të lagjes, për sherret me ta, për konkurrencën si dhe për aleancat që bëjnë me njeri-tjetrin. Ndonjëri i kërkon ndonjë gjë nga plaçka e vjedhur. Në fund të takimit pijnë një kafe duke qeshur e treguar barcaleta. Pastaj këta të 10 vazhdojnë rrugën duke u ankuar se na mbytën hajdutët dhe ky vend ka shkuar për dhjamë qeni.

Kjo skenë duket qesharake dhe revoltuese, por kjo është ajo që ndodh realisht çdo ditë në ekranet tona. Kemi nja 20-30 gazetarë e analistë që jetojnë në ekran me konsumin e politikës. Shqetësimi i tyre madhor është krahasimi i strategjive të partive hajdute, analiza e votave që humb njëra apo tjetra, koherenca e njerit hajdut apo tjetrit e kështu me rradhë. Nganjëherë në të rrallë ndonjeri kujtohet për misionin e gazetarit dhe opinionistit dhe i fut një të sharë. Pastaj vijon prapë analiza e strategjive të partive.

Nuk po flas këtu për shitje gazetarësh e analistësh. Çdo njeri ka të drejtën e vet të përkrahë një ide apo një parti. Po flas për indiferencën e turpshme totale ndaj interesit publik dhe fokusimin pothuajse ekskluziv e me përjashtime të rralla në hallet e partive.

Këta gazetarë e analistë nuk janë opozitë e sistemit, por pjesë e tij. Janë komentarët sportivë të një ndeshjeje pseudo-gladiatorësh në fund të së cilës e ha gjithmonë publiku. Komentatorë të një ndeshjeve patetike ujqish në një arenë me dele që e kanë pranuar lojën si ligj të natyrës.

Sa herë që dal në televizion gjendem edhe vetë përpara një situate të tillë. Si politolog më pyesin se çfarë mendoj për hallet e një partie apo një tjetre dhe më duhet shpesh të zhgënjej jo vetëm gazetarin/en, por edhe publikun që pret të konsumojë konfliktin politik të rradhës. E vërteta është se nuk më plas fare për strategjitë e partive dhe lojërat e tyre. Më intereson çfarë po na bëjnë ne qytetarëve dhe jo çfarë i bëjnë njeri-tjetrit.

Nëse do të kishin një moral normal këta gazetarë dhe analistë nuk do të uleshin të flisnin me hajdutët e as t’u qanin hallet. Minimalisht nuk do t’i ftonin fare në studio. Në kafe, të gjithë qahen e ankohen për gjendjen e vendit dhe shajnë fajtorët. Pra të keqen e kuptojnë. Në studio i bëjnë shërbimin sistemit aq sa njerëzit gati-gati nisin të mendojnë se hallet strategjike të politikanëve janë më të mëdha se mungesa e ujit, dritave dhe nganjëherë edhe e bukës në tryezë. E meqë duhen edhe këshilla praktike, po ua jap edhe unë një: po sikur duke nisur prej datës 26 qershor të mos ftoni në studio asnjë politikan hajdut. Po sikur të refuzoni t’u komentoni hallet? Po sikur të bojkotoni deklaratat për shtyp dhe të bëni gazetari investiguese terreni për t’ua nxjerrë të palarat? PO SIKUR T’I SHËRBENI VENDIT DHE JO PARTIVE?!!!