Albspirit

Media/News/Publishing

Shoqëria shqiptare dhe pluralizmi shqiptar

 

 

 

Harallamb Kota-Studiues

 

Në historinë mijëravjeçare të njerëzimit, një vend të rëndësishëm zë edhe etnia pellazgo-iliro-arbënore nga e cila vijojnë shqiptarët e sotëm. Organizimi i kësaj etnie, qysh në shfaqjen e saj në formën e grupimeve primitive, e më pas, në formën e bashkësive shoqërore patriarkale e fetare, në formën e një shoqërie ateiste e të mbyllur, e më pas, të një shoqërie demokratike e pluraliste me tendenca hapje ndaj civilizimit perëndimor, përbën objekt studimi të mirëfilltë nga kualitetet tona shkencore e akademike.

Sidoqoftë duhet guxuar për ta trajtuar këtë problem sa kompleks e të ndërlikuar  po aq të rëndësishëm në vetqeverisjen e shqiptarëve, qysh nga kohërat kur ishin zotërit e trojeve të tyre, po ashtu edhe kur ndodheshin nën pushtimin e të huajve.

Pyetja është e thjeshtë por kuptimplote. Shqiptarët brenda bashkësive të tyre primitive, petriarkale e fetare janë qeverisur apo janë vetqeverisur?  Dihet tashmë, se në këtë fazë historike që përfshin periudhën e shoqërive pellazgo-iliro-arbnore, organizimet e shqiptarëve janë bërë sipas përkatësisë familjare e më pas sipas përkatësisë fisnore e krahinore. Në të gjtha këto faza kalimtare të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, shoqëria shqiptare duke filluar nga organizimi i saj i vogël që është familja e deri në bashkësinë fisnore apo krahinore, ka respektuar lirinë e pjesëtarit në familje apo në bashkësi dhe është vetqeverisur nga Pleqësia (plakonia)  familjare, fisnore apo krahinore.

Edhe gjatë pushtmit pesëshekullor të trojeve arbnoro-shqiptare nga Perandoria Osmane, shqiptarët të trysnuar nga kanuni i deformuar dhe nga qëndrimi politik i klerit, përsëri ruajtën të pacënuar traditën e tyre pellazgo-ilire dhe u vetqeverisën nga “Pleqësia” fisnore dhe nga “Këshillat e Pleqësisë” krahinore.

Kjo traditë vetqeverisje u ndriçua nga Rilindasit tanë të mëdhenj dhe u pasqyrua në manifestin politik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, shkruar nga ideologu  ynë i shquar, shqiptari i madh Sami Frashëri. Manifesti, e trajton shoqërinë shqiptare, të organizuar në një shtet Kombëtar dhe të vetqeverisur nga “Këshilli i Pleqësisë”.

Pas krijimit të shtetit shqiptar më 28 nëndor 1912, u vendos mëvehtësia e Shqipërisë nga perandoria Osmane dhe në “Kuvendin Kombëtar” të mbajtur në Vlorë u zgjodh “Këshilli i Pleqësisë” dhe qeveria me kryeministër themelusin e shtetit shqiptar Ismail Qemalin.

Edhe “Kuvendi Kombëtar” i Lushnjes  i mbajtur në janar të vitit 1920, i cili rivendosi pavarësinë e fituar në Vlorë, mori vendime tepër të rëndësishme, midis të cilave zgjodhi “Këshillin e Lartë” të shtetit dhe “Këshillin Kombëtar” (Senatin) që kishte të drejtat e një Parlamenti.

Si përfundim, organizimi i shoqërisë shqiptare nga kohërat primitive deri në kohërat e zhvillimeve pluraliste demokratike, ka karakter etnik dhe kombëtar e zhveshur nga synimet politike e fetare, me përjashime të rasteve sporadike ku përfshihen lëvizjet antishqiptare të Esat pash Toptanit dhe Haxhi Qamilit, të nxitura nga segmentet greko-turko-sebo-malazeze. Theksojmë, se karakteri kombëtar i organizimit të shqiptarëve, përfundoi në dhjetor të vitit 1920, me dorheqjen e kryeministrit Sulejman Delvina.

Grupimet politike me tendenca turkomane, sollën në fuqi qeverinë e kryesuar nga Iliaz Vrioni. Grupime të tjera politike synonin lidhjet me shtetet kufitare dhe europiane për përfitime individuale. Kjo ishte situata politike para zgjedhjeve të vitit 1921, e cila vazhdoi me zigzaket e sajë dhe prodhoi politikan shterpëzues që konkuronin për xhepin e tyre dhe “zgëdhiheshin” me fjalërokëshin “Komb Shqiptar” dhe “Shqipëri”.

Zgjedhjet e kryera në Shqipëri, nga viti 1921 deri në vitin 2017, mund t’i klasifikojmë si zgjedhje politike pluraliste, të organizuara nga sisteme shtetërore të ndryshme: “Principat Parlamentare”, Republikë Parlamentare”, “Mbretëri Parlamentare”, “Republikë Komuniste Parlamentare”, “Republikë Demokratike Parlamentare”.

 

Bëhet pyetja: Çfarë ndodhi me zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në janar-prill 1921 ?

Para se t’i përgjigjemi kësa pyetjeje, e sqarojmë lexuesin e nderuar si më poshtë vijojmë. Deri para zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara në janarin e vitit 1921, shoqëria shqiptare dhe veprimtarët e “Lëvizjes Kombëtare”, ishin tubuar në kuvendet krahinore e bashkkrahinore, duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre mbi bazën e vendimeve të mara nga Pleqësitë përkatëse. A, nuk është ky organizim demokratik dhe a nuk quhen zgjedhje pluraliste, zgjedhja e përfaqësuesve, fisnor, familjar dhe bashkkrahinor. A nuk quhen organizime demokratike dhe zgjedhje pluraliste përfaqësuesit në Kuvendet Kombëtare, në Prizren, në Pejë, në Vlorë dhe në Lushnje. A, nuk quhet organizim demokratik dhe pluralist zgjedhja e “Kuvendit Kombëtar” i dalë nga Kongresi i Lushnjës , i cili kreu detyrat e Parlamentit të parë pluralist shqiptar ?

Pluralizmi nuk nënkupton vetëm organizime politike nëpërmjet partive politike, por nënkupton llojshmërinë e mendimeve politike, shkencore, ideore, fetare, etj. Nisur nga ky përcaktim, mund të arijmë në përfundime të ndryshme. Ne do të pranojmë përcaktimin, që shoqëria shqiptare qysh në embrionin e saj primitiv ka qenë shoqëri “prulariste” dhe “demokratike”, gjë që e çoi atë në emërtimin etnik Ilir. Duke patur vetëm karakter etnik, përfaqësuesit e saj, të zgjedhur në krye të Pleqësive, familjare, fisnore, krahinore dhe Kombëtare, nuk e nxorën në pah këtë cilësi, pasi nuk prireshin nga synime politike për pushtet personal dhe për të sunduar zgjedhësit e tyre.

Trajtimi i Pluralizmit, si organizim shoqëror e politik, pas zgjedhjeve Parlamentare të janarit të vitit 1921, dhe aq më keq akoma, pas viteve 1990, me ndryshimin e sitemeve politike në Shqipëri, është në themelin e gabuar të historianëve dhe politikanëve shqiptar, që synojnë ta mbajnë Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar në nivelin zero. Pra, për disa  historian të politizuar dhe për politikanët shqiptar, Shqipëria fillon nga niveli zero dhe të gjitha fenomenet si dhe organizimet demoktatike e pluraliste nisin nga koha që ata hypin në pushtet dhe dëshirojnë të bëhen sundimtar.

Kështu ndodhi edhe me politikanët modern të pas viteve 1990, që e paraqesin organizimin politik të shoqërisë shqiptare sipas oreksit të tyre. Kjo klasë politike, e konsideron pushtetin “pronë vetjake” i cili duhet përdorur për të nxjerë fitime dhe për tu pasuruar. Loja e kungulleshkave është morali i sotëm, e cila përdoret për ti njohur zgjedhjet apo për t’i kundërshtuar ato. Fituesi (Pozita),  i quan zgjedhjet e rradhës demokratike, ndërsa parlamentin e konsiderion pluralist. Humbësi (opozita) i quan  zgjedhjet e rradhës të manipuluara dhe parlamentin e konsiderion ilegjitim.

Kjo është historia e zgjedhjeve të kontestuara të zhvilluara pas viteve 1921 dhe super të kontestuara të zhvilluara pas viteve 1990. A duhet të mburemi lidhur me këto zgjedhje, apo duhet të bëjmë analiza të thella shkencore për të nxjerrë shkaqet që mbajnë në këmbë ngrehinën tonë shtetërore të kërcënuar vazhdimisht nga tërmetet politike. Të mburesh me sistemin pluralist të pas viteve 1990 dhe t’i quash zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në Shqipërinë e pas viteve 1990, demokratike e pluraliste, është miopi gjithpërfshirëse dhe hipokrizi e “udhëheqësve të sotëm legjendar”, që motivojnë antivlerat e tyre.

A kanë qenë të lira, demokratike dhe pluraliste zgjedhjet parlamentare në Shqipëri  nga viti 1921 deri në vitin 1990. Thamë që jo, pasi ato u organizuan me lista qeveritare. Po nga viti 1990 deri në vitin 2017.  Përgjigja është përsëri Jo, pasi ato organizohen me lista nga Kryetari i Partisë dhe jo nga vullnetet e lira të “Shoqërisë Shqiptare”.

A, ka qenë e lirë shoqëria shqiptare pas vitit 1920 deri në fundin e vitit 1990 ?. Përgjigja është e menjëhershme, Jo. Po pas viteve 1990 deri më sot, a është e lirë shoqëria shqiptare.

 Përgjigja vjen përsëri e menjëhershme, Jo!

Shtresat e ndryshme shoqërore, kanë qëndrime të ndryshme lidhur me këto përcaktime, dhe ky është thelbi i “nyjes gordiane” shqiptare. Deri dje, që të mbijetoje, duhej t’i nënshtroheshe Mbretit apo Diktatorit. Në sistemin e sotëm social-politik, shoqëria shqiptare e vuan mungesën e lirisë nga forma të ndryshme dhune që ushtron pushteti politik, gjyqsor dhe mediatik. Të tre pushtetet përjashtojnë mundësinë e përfshirjes në radhët e tyre, të intelektualëve të ndershëm, atdhetar dhe me kualifikime shkencore, duke preferuar pjesën mediokër të tyre, militantët partiak apo individët komunikativ, modern dhe me bukuri fizike. Deformimi i demokracisë dhe i pluralizmit parlamentar, ka shkuar deri në at pikë, sa duhet të jesh militant i një partie në pushtet, apo të japësh nën dorë, pa të futesh në një punë si fshesar, rojtar, etj., etj., e lartë e më lartë.

Tranzicioni shqiptar i filluar pas vitit 1990, po zvaritet dhe mbahet gjallë, sot e kësaj dite, nga politikanët sharlatanë që, jo vetëm abuzuan me thirjen “E duam Shqipërinë si gjith Europa”, por e mbushën boshkllëkun shpirtëror të kombit shqiptar me kulturën orientale. Kjo ishte një taktikë e përkryer për ta përgjumur rishtazi dhe krijuar terenin e duhur të mitmarjes e të përvetsimit të pasurisë kombëtare, si mundësia më e shpejtë për tu pasuruar në mënyrën më të pamoralshme dhe të jashtligjshme.

Populli shqiptar, duke pranuar këtë klasë politikanësh, e ka humbur përsëri “lirinë” por që duhet ta gjej. Dhe për t’a “rigjetur lirinë e nëpërkëmbur”, duhet: s’pari, të zgjohet nga përgjumja e të bashkohet “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, s’dyti, të kërkoj mbështetjen e qeverive euro-atlantike, dhe s’treti, të kërkoj me referendum popullor kryerjen sa më shpejt të Reformës në Drejtësi, pasi kjo reformë, është kushti themelor i vënë nga Bashkimi Europian, për pranimin e Shqipërisë në familjen Europiane dhe popullin shqiptar në shoqërinë euro-atlantike.

Please follow and like us: