Bedri Blloshmi: Aty ku hyn tragjedia mbetet përgjithmonë llahtari

 

 

Kjo kullë ka patur dikur 21 persona brenda. Që nga viti 1977 e deri më sot është bosh. Qëndron e heshtur dhe e ftohtë, me një pamje të hidhur si të ndonjë varreze. Ky trishitm dimri, të ditëve të acarta e thëllim e erë të fortë, futet mes dritareve dhe dyerëve të shqyera e gojëhapur. Ashtu dhe në verë e në ditët me diell ku kanë çelur pemët e lulet, me të afruar dëgjon vetëm zukatjen që dukej më shumë një rënkim i bletëve, fluturave e insekteve të tjera që duke fluturuar lule më lule e prishin atë vetmi e qetësi mbytëse varri. Të jepet përshtypja se ka kaluar ndonjë stuhi e sëmurë që ka fshirë çdo gjë duke ia lënë vendin vetmisë e shkretëtirës. Kjo kullë dykatëshe me dritare e xhama të mbuluar me pezhishka disa të thyer futin brenda një ndiçim të turbullt. Dikur me zëra fëmijësh të cilët loznin e zhurmonin me britmat e tyre duke lojtur kukamshefti, me vrap e të rëzonin njëri-tjetrin. Tani nuk  ka asnjë zhurmë, as në vapën përvëluese e as në dimrin me dëborë. Aty nuk duket asnjë burrë, grua apo fëmijë, çdo gjë e mbetur shkretë. Vetëm çezma me ujin e ftohtë dëgjohet e rrjedh papushim. Çatia vende-vende e zbuluar me tjegulla të thyer. Po ashtu dritaret gjysëm të hapura e xhama të coptuar duket se presin dikë për t’u ankuar për këtë rrënojë. Lart mbi çati duken oxhakët e nxirë nga tymi që tani qëndrojnë të heshtur dhe herë pas here dëgjohet zëri i ndonjë shpendi, duket se vajton mbi ta.

Ç’ka ndodhur me këtë shtëpi? Ku janë ata që jetonin brenda? Asnjë e lehur qeni, asnjë blegërimë bagëtije, asnjë nuk dëgjohet, madje as mjaullitja e maceve. Po ata miq e shokë që dikur thërritnin në oborrin e shtëpisë ku janë? Shkretëtirën e këtij oborri e shtojnë edhe më shumë laraska që shpesh herë zbresin nga maja e oxhakëve apo çatisë me krahë hapur pa u ndjerë dhe shëtisin mbi gurët e kalldrëmit pa u trembur, siç mund të shëtisin në një varrezë të braktisur. Mbrëmja edhe ca më shumë nata e errët e mbulon me dëshpërim dhe trishtim këtë shtëpi. Askush nuk thotë asgjë se çfarë ka ndodhur. Dikur këtu kanë jetuar 21 vetë bashkë, në harmoninë e një familje të rregullt. Ashtu si të parët e tyre, burra të dëgjuar me tarafe të mëdha, zyrtarë e nëpunësa, mësuesë e deputetë, njerëz që punuan me mish e me shpirt për pavarësi e për përhapjen e gjuhës shqipe. Kjo kullë ishte futur në rreth të kuq nga rregjimi gjakatar i diktatorit duke pushkatuar e burgosur, internuar e shkatërruar përfundimisht këtë familje. Në atë shtëpi nuk guxon asnjë antarë i familjes, mbasi ndjen forcën e Sigurimit të Shtetit e cila la gjurmë të pa shlyeshme frike dhe terrori brez pas brezi. Hysniu (djali i madh i Hasanit) banon në Librazhd, shpesh herë merr rrugën për në kullë e cila tani qëndron bosh e me dyer të kyçura. Mbasi takohet me të vëllanë Hamdiun me xhaxhain, Samiun e kushëri Nazmiun bëjnë një xhiro përreth kullës, kujtojnë ditët e tmerrshme të 1976 kur më arrestuan mua e mbas 5 muajsh Vilsonin dhe në korrik arrestuan xhaxhain. 19 anëtarët e familjes i degdisën në përrenjtë e Polisit për 10 vjet rresht. Nisen drejt varrezave në jug-lindje të fshatit ku nën hijen e zabelit ndrisin varret e mermerta. E kështu me këto kujtime që po bëhen dita ditës thuajse të pabesueshme kthehen në shtëpitë e tyre…

Janar 2017

 

Image may contain: 1 person, sky, house and outdoor