Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Broka: Loja me kungulleshka për subvencionet

Prej vitesh, që në shtator 2011, Qeveria Shqiptare ka përqafuar iniciativën globale Open Government Partnership, dhe ka hartuar disa plane veprimi me zotime konkrete për realizimin e një qeverisje të hapur. Iniciativa Partneritet për Qeverisje të Hapur, (www.opengovpartnership.org) dhe organizata e ngritur në funsion të saj (OGP), ka të bëjë me një nismë shumëpalëshe që synon të shfrytëzojë teknologjitë e reja dhe të sigurojë angazhime konkrete nga ana e qeverive për të forcuar mirëqeverisjen, demokracinë, politikëbërjen duke nxitur transparencën, pjesëmarrjen, bashkëpunimin, pra për t`i konsultuar e fuqizuar qytetarët në procesin politikëbërës e vendimmarrës.

Rritja e transparencës është mënyra më e mirë për një përdorim sa më eficent dhe efikasitet të burimeve publike, llogaridhënien e institucioneve, por dhe për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin. Por, krijimi i një qeverisje të hapur nuk po rezulton një çështje e lehtë. Rezultatet e arritura deri më tani janë shumë më inferiore në krahasim me çfarë pritej, si në botë por veçanërisht në Shqipëri, e sidomos për subvencionet ndaj fermerëve. Natyrisht këtu ka efektin e vet fakti se kohë më parë, informacioni konsiderohej si një pronë e shtetit dhe institucioneve, se sa edhe si një pronë e gjithë qytetarëve.

Vetë statistikat shpesh herë janë manipuluar për avantazhe politike etj. Këto praktika kanë prodhuar koraca, prapa të cilave mund të fshihen jo thjesht të paaftët, por pse jo dhe të korruptuarit, duke ngritur pengesa midis qytetarëve dhe qeverisë e qeveritarëve, duke minuar respektin dhe besimin ndaj këtyre të fundit. Thelbi dhe arritja e synimeve për  një qeverisje të hapur kanë të bëjnë me hapjen e “kutive të zeza” duke krijuar transparencë, por dhe duke nxitur angazhimin e qytetarëve dhe bizneseve për t’u bërë të qartë se çfarë po ndodh brenda qeverisë, por dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e tyre në politikëbërjen dhe zbatimin në përputhje me nevojat reale të zgjedhësve.

Gara e shifrave pompoze

Bujqësia konsiderohet motor i ekonomisë kombëtare, apo si përparësi absolute… Por në kushtet e produktivitet të ulët, të ardhurat dhe kursimet në fermë janë të ulëta. Për rrjedhojë investimet e brendshme në fermë për zhvillimin e tyre dhe bujqësisë janë të limituara. Në këto kushte grantet dhe subvencionet janë hallkë kyç për të dalë nga kjo situatë.

Por jo më pak rëndësi ka lloji, struktura, efikasiteti dhe eficenca e granteve dhe subvencioneve të adresuara në bujqësi  si dhe volumi i tyre. Fatkeqësisht këto të fundit duke u bërë me të drejtë objekt i debatit politik, kanë marrë trajtën e lojës me kungulleshka. Shumëkush mund të kujtojë se gjatë zgjedhjeve të qershorit 2013 garën e alternativave e zuri gara e premtimeve. ”Gjatë katër viteve të ardhshme, ne do të trefishojmë mbështetjen  për fermerët shqiptarë” deklaronte një parti.

“Do të rishikohen skemat e mbështetjes financiare për bujqësinë, duke i orientuar ato drejt rritjes së prodhimit bujqësor dhe lidhjes së tij me tregun dhe agro-përpunimin, Do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural- ia kthente tjetra.

E njëjta këngë vazhdon në 2017 ende pa filluar mirë fushata elektorale. “Zgjidhja për fshatin, zgjidhja për fermat, zgjidhja për fermerët është subvencioni.. Subvencionet në vitin tonë të parë do të jetë 100 milionë euro dhe nuk do të shkojnë tek grumbulluesit, do të shkojnë drejtpërdrejtë tek fermeri, pa NIPT, pa burokraci”, premton një forcë politike.

Është e njohur se Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatorit ka botuar deri në vitin 2011 Vjetarin Statistikor, që e  gjeje dhe të printuar dhe online, në  faqen e saj zyrtare. Aty  midis të  tjerash jepej një informacion mbi shumën e skemave mbështetëse në bujqësi që kishte dhënë qeveria, të cilat ishin respektivisht 1350 milionë lekë në vitin 2009, 1003 milionë lekë në vitin 2010 dhe 723 milionë lekë  në vitin 2011. Në vitet më pas, në faqen zyrtare të kësaj ministrie ndonse ekziston rubrika “Statistika”, nuk gjen informacion mbi ecurinë e mbështetjes buxhetore për fermat dhe fermerët në vitet e fundit, por as edhe para 2013-ës. Pra nuk bëhet fjalë për qeverisje të hapur, por për mbyllje të qeverisjes. 

Mbështetja për bujqësinë, më e ulëta në rajon

Por nga ana tjetër duke iu drejtuar faqes zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave (MBZHRAU) mëson se në rubrikën “Lajme- Njoftime për shtyp” në dhjetor 2013 midis të tjerash lexon një lajm: “Më tej u zhvillua një vizitë në Agjencinë e Zhvillimit Rural të Maqedonisë  (Agjencia e Pagesave) për t’u njohur nga afër me skemën e subvencionimit të fermereve në shtetin fqinj.

Maqedonia jep subvencion për fermerët në masën 135 mln euro në vit, ndërkohë që në Shqipëri fermerët marrin një subvencion prej 7 mln euro në vit.” Më pas i jam drejtuar në vazhdimësi  kësaj faqeje për të mësuar se si janë realizuar premtimet për 5-fishimin e subvencioneve për fermerët, apo në se është reflektuar nga shqetësimi i ngritur nga ish-zv.ministri, për mungesën e aftësisë thithëse të fondeve grant nga BE. Por më kot, nuk kam gjetur gjë. Nuk thuhet asgjë se si u realizua programi i Qeverisë 2013-2017 lidhur me atë se  ”do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural“.

Por,  nga ky premtim kalohet në premtimin tjetër “pesëfishimi i buxhetit të shtetit në fushën e bujqësisë” duke vazhduar të tregohet ajo që është  thënë që në dhjetor 2013 mbi nivelin e mbështetjes buxhetore për fermat dhe fermerët në vendet fqinjë, pa u ndaluar se si është vepruar që praktikat më të mira ndërkombëtare të realizohen edhe në vendin tonë. Ironia është se këtë herë ky ripremtim bëhet në kushtet kur për infrastrukturën digjitale janë shpenzuar nga shteti shqiptar në tre vjet rreth 100 milionë euro dhe janë miratuar e ngritur një seri ligjesh dhe institucionesh posaçërisht për të mundësuar Qeverisjen e Hapur.

Mbështetur në  Ligji nr 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”(një ligj vërtet i mirë, për çdo person që është i interesuar për informacione zyrtare, e sidomos për punonjësit e medias) në mënyrë personale kam mundur të siguroj nga AZHBR, informacionin për subvencionet e dhëna nga Qeveria Shqiptare, fermave dhe fermerëve, Sipas tij, mbështetja  ka qënë respektivisht 648.2 milionë lekë, në vitin 2014, 776.5 milionë lekë, në vitin 2015 dhe 769.6 milionë lekë në vitin 2016.  Por, kjo nuk do të thotë qeverisje e hapur. Edhe në vitin 1986, mbasi mora një autorizim për të siguruar informacionin mbi ecurinë e të ardhurave kombëtare për periudhën 1980-1985, m’u bë e mundur vënia në dispozicion e atij informacioni, me shënimin “rezervat, jo të botueshme”.

Hapja dhe transparenca e qeverisë, si elementë bazë të qeverisjes së hapur, konsiston në atë se të dhënat publikohen me iniciativën e qeverisë dhe institucionet e saj dhe nënkupton se qytetarëve nuk iu nevojitet të bëjnë kërkesë për të dhëna e këto të  fundit të  jenë  të  aksesueshme pa kufizim. Demokracia presupozon vendime transparente dhe taksapaguesit të  njihen me përdorimin e buxhetit, sa para janë  shpenzuar, për cilat qëllime e alternativa janë  përdorur ato, si në  rastin e subvencioneve për fermerët. Është e tepërt të thuhet se me këtë nivel mesatar të mbështetjes të fermerëve, jo vetëm nuk është bërë i mundur 5- fishimi i subvencioneve, por niveli mesatar i tyre paraqitet dukshëm më i ulët se mesatarja në vitet 2009-2011.

Modelet për hapje të qeverisjes

Kur takohesh me fermerë nuk mund të mos shohësh se zhgënjimi i fermerëve është jo i vogël dhe kudo i përhapur, si për subvencionet e qeverisë, por dhe për ato të BE-së dhe vendeve të tjera donatore.

Nëse takon fermerë që kanë përfituar nga mbështetja me grante, p.sh nga SARED, ato nuk kanë asnjë shqetësim, si për kartën e fermerit apo NIPT-in e fermës,  apo publikimin e fermave dhe fermerëve që kanë përfituar grante, përse është kryer investimi, vlerën e investimit, shkallën e grantit, vendndodhjen e fermerit etj. Vetë drejtuesit e SARED të thonë se qeverisja e hapur, transparenca e dhënies së granteve, është një kërkesë mëse e natyrshme e qeverive, por dhe taksapaguesve të tyre se si po përdoret financimi nga taksat e tyre.

Megjithatë për subvencionet e ofruara nga Qeveria shqiptare ka barriera të qarta dhe të dukshme për këtë gjë. Zhgënjimi i fermerëve që ankohen është shtrirë deri aty sa  shumë prej tyre kanë hequr dorë madje, si nga subvencionet e qeverisë, por dhe grantet e BE-së, apo qoftë dhe SARED që është më i moderuar Kjo jo vetëm për shkak të dokumentave të shumta që kërkohen, por sidomos për vonesat e pengesat burokratike deri të  paarsyeshme  për sigurimin e tyre, certifikatës së tokës, lejet e ndërtimit etj.

Ndërsa herë pas here, shihen në televizion takime me fermerët ku u shpërndahen në  mënyrë  solemne certifikatat e pronësisë  për tokën, por të shumtë  janë  fermerët që nuk përfitojnë  grante  për shkak të vonesave të shumta për sigurimin e certifikatës së pronësisë  për tokën. Në këtë mënyrë, qeverisja e hapur është e lidhur ngushtë  dhe e ndërvarur me digjitalizimin e shërbimeve publike, si një  mënyrë e konfirmuar për shkurtimin e kohës së pritjes për marrjen e shërbimeve.

Nuk mund të mos bëjë  përshtypje se megjithëse angazhimi i Qeverisë  së Kosovës, në  lëvizjen e partneritetit për qeverisje të  hapur, angazhimet e saj në  planin e veprimit janë  mjaft konkrete dhe madje edhe në funksion të ofrimit të subvencioneve dhe granteve për fermerët.  P.sh në planet e saj të veprimit për një qeverisje të  hapur, midis të tjerash është parashikuar : “Ministria e Bujqësisë do të mundësojë aplikimin online të bujqve dhe fermerëve për grante dhe subvencione. Procesi i përzgjedhjes së përfituesve të granteve dhe subvencioneve do të prezantohet online përmes publikimit të listave të aplikuesve, përfituesve dhe raporteve vlerësuese të komisioneve individualisht për secilin përfitues”./ Scan. tv/

Please follow and like us: