Ndalohet në Ekuador Bashkim Driza, bosi i “Popullit Po”

Ish-kreu i firmës piramidale “Populli”, Bashkim Driza i dënuar më parë për mashtrime në shuma të mëdha është ndaluar nga autoritetet vendase në Ekuador.

Pas 20 vitesh arrati, për bosin e “Popullit” ka marrë fund saga e arratisjes, Driza pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Më parë, ai, ka qëndruar në masën “arrest shtëpie” në Montevideo, Uruguai në pritje të depërtimit të tij në Shqipëri, por në rrethana krejt të paqarta Driza arriti të arratiset nga shteti i Uruguait, për t’u larguar drejt vendeve të tjera të Amerikës Latine.

Vendimi 

Gjykata dënoi Drizën me 16 vjet burg

Bashkim Driza ka lindur më 3 shkurt të vitit 1958 në Fier, ndërsa banonte në Tiranë. Në vitin 1996, ai u bë ortak me disa drejtues firmash piramidale, ku qytetarët depozitonin para pas premtimit se çdo tre muaj do të merrnin dyfishin. Kështu Driza, në bashkëpunim me persona të tjerë, krijoi fondacionin e quajtur “Populli” me anë të të cilit mblodhi paratë e 304240 njerëzve.

Firma e tij funksionoi vetëm një vit dhe më pas u shpall piramidë, ndërsa paratë nuk iu kthyen shumicës së depozituesve. Driza u arrestua në vitin 1997, por i shpëtoi burgut për shkak të trazirave të ‘97. Për t‘iu shmangur dënimit, Bashkim Driza u largua nga vendi për të gjetur strehim në vendet e Amerikës Latine. Por as atje ai nuk ka mundur t‘i shpëtojë ndjekjes, pasi sipas policisë, u arrestua në muajin shtator të vitit 2008. Pas pesë muajsh “arrest në shtëpi”, rifitoi lirinë me një tjetër arratisje, duke i shpëtuar vuajtjes së dënimit prej 16 vjetësh burgim në burgjet shqiptare.