Arsim Canolli: Big Brother Analytica

“Our Brand Is Crisis” (2015) është film që jep tregimin se si prodhohet kriza, si manipulohet masa, si kurdisen zgjedhjet e shumë aspekte të “prodhimit të efektit të synuar” gjatë zgjedhjeve në Bolivi. Filmi është film, por sinekdoda e filmit ekziston: kompanitë e huaja të marketingut e numërimit të “like-ave” në Facebook dhe të konstruktit të fushatave zgjedhore kanë infiltruar në secilin vend përfshirë edhe Kosovën. Si gjithkund, këto kompani të tilla organizojnë fushata zgjedhore, shkruajnë tekste për politikanë garues, krijojnë video reklama, etj., pa e njohur fare gjuhën, psikologjinë dhe kontekstin e vendit përkatës. Po ashtu, edhe politikanët e papërvojë përkulen para këtyre kompanive sikur të ishin “zotërat” që përcaktojnë fitoren e zgjedhjeve. Disa nga këto kompani kanë “ndihmuar” edhe partitë tona politike për të fituar zgjedhjet përmes brendimit të “produktit” të fushatës.

Pa dyshim se ofrimi apo shitja e shërbimeve për parti politike e politikë është legjitime, qoftë atyre në vendin tuaj, qoftë atyre në vende të tjera. Por, të gjithë harrojnë faktin themelor: bota është plot variante dhe secili variant apo secila shoqëri i ka disa specifika të vetat. Pastaj, ajo që është ndoshta edhe më e rëndësishme është edhe ana historike. Secili grupim njerëzor, qoftë si komb, qoftë si familje, qoftë si parti politike, e ka historinë e vet. Secila parti ka historinë e vete, parimet e veta dhe vizionin e vet.

Natyrisht se hulumtimi për të profilizuar politika publike bëhet duke analizuar gjendjen reale të terrenit politik, social, ekonomik, juridik, ushtarak, kulturor, diplomatik, etj. Por këto hulumtimi bëhet ngadalë dhe duke analizuar fakte e efekte, realizime e dështime. Së fundi, hulumtimi psikometrik mbi platforma të rrjeteve sociale është bërë patologjik. Ka interpretime të ngjeshura se si analizat psikometrike të marra nga të dhënat e “sjelljes” së njerëzve në Facebook janë shfrytëzuar në kampanja të mëdha ku është kërkuar vota popullore. Ekziston një debat i madh në Evropë e SHBA rreth efektit që kanë sjell kompanitë e tilla të analizës së të dhënave psikometrike e të ngjashme në referendumin në Britani dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Tendenca për ta vëzhguar sjelljen në rrjete sociale dhe për ta përcaktuar vullnetin personal, diskursin politik e rezultatin demokratik është një kurdisje e tmerrshme në politikë. Sepse krejt ky vëzhgim (në disa vende edhe ilegal) bëhet për ta ndërruar kursin e zhvillimit politik varësisht nga tarifa e mercenarizmit. Të mos harrojmë edhe këtë: studimet socio-antropologjike tregojnë se rrjetet sociale janë edhe një “pamje dëshirore” pos asaj “reale”.

Një kompani e tillë, si për shembull Cambridge Analytica, nuk mund ta njohë sjelljen e kosovarëve vetëm përmes “sjelljes” së tyre në Facebook. Se kë do ta votojnë ata? Si do të votojnë? Çfarë duhet të thuhet nga kandidatët në fushatë? A mund të fitohen zgjedhjet duke u bazuar vetëm në analiza psikometrike apo si i quajnë ata të “emocioneve” të shprehura në Facebook? Kjo u pa. Prandaj, edhe angazhimi i kompanive të tilla është një nga aspektet që duhet të diskutohet jo vetëm nga një parti por nga të gjitha partitë të cilat ia duan të mirën këtij vendi. Partitë duhet të gjejnë potencial brenda vetes që të bëjnë përmbajtjen e fushatës vetë. Kompanitë reklamuese nuk duhet të bëjnë më shumë se sa disenjimin dhe shtypjen apo shpërndarjen e mesazheve në forma të ndryshme.

Mercenarët e zgjedhjeve dhe manipulimit të diskursit politik sot janë kryesisht kompanitë e tilla si Cambridge Analytica, të cilat sillen si “Big Brother Analytica”. Ato janë manipulative dhe nuk ka hajr prej tyre. Ky aktivitet është duke e prishur edhe demokracinë si të vetmin mjet që ka mbetur për mbrojtjen e lirisë (ndonëse edhe demokracia tashmë është lodhur nga vetë tirania e mekanizmave të saj) edhe autenticitetin e politikës së variantit kombëtar, shtetëror e kulturor në përgjithësi.

LDK duhet të analizojë këtë aspekt të zgjedhjeve dhe në të ardhmen, të mos bie në grackën e ekspertizës mercenariste, kushdo t’ia ketë sugjeruar, por ta bëjë secilën fushatë me potencialin e vetë./Ylliriapress/