Albspirit

Media/News/Publishing

Komiteti i Helsinkit denoncon 7 raste: Zgjedhësi fotografoi fletën e votimit, komisioni e lejoi të votojë, pyesin qytetarët për kë do votojnë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka denoncuar një rast të regjistruar në qendrën e votimit numër 4510, ZAZ nr. 282 në Vlorë, ku vëzhgues Komisionit Shqiptar të Helsinkit konstatuan fotografimin e fletës së votimit brenda dhomës së fshehtë.

Pavarësisht këtij veprimi në kundravajtje me ligjin, KSHH raporton se Komisioni i Qendrës së Votimit e lejoi zgjedhësin të votojë. Veç këtij rasti, KSHH denoncon edhe 6 raste të tjera të shënuara.

Mes tyre, disa persona që pyesin zfgjedhësit se për kë do të votojnë, plotësimi i fletës së votimit jashtë kutisë dhe largimi i vëzhgueses së Komitetit të Helsinkut pa asnjë arsye.

DEKLARATË PËR SHTYP

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është duke monitoruar me anë të 160 vezhguesve afatshkurtër aspekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e e procesit të votimit, në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e RSH. Monitorimi po realizohet në 9 qarqe të vendit, përkatësisht në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Kukës, Korçë, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër.

Nga të dhënat paraprake që disponojme deri më tani, e shikojmë të nevojshme të informojmë publikun dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për disa çështje të rëndësishme lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi:

Në Qarkun e Vlorës, në QV nr. 4510, ZAZ nr.82, vëzhgues të KShH-së konstatuan fotografimin e fletës së votimit brenda dhomës së fshehtë, ndërkohë që Komisioni i Qendrës së Votimit lejoi zgjedhësin të votojë.

Po në këtë qark dhe ZAZ, në QV nr. 494, në oborrin e qendrës së votimit ka persona që pyesin zgjedhësit se për cilin subjeKt zgjedhor kanë votuar.

Në QV 1812/1, ZAZ 34, Tiranë u konstatua prezenca e 3 personave të cilët orientonin zgjedhësit, duke disponuar listën e zgjedhësve të asaj QV se ku duhet të shkonin për të votuar.

Në të dyja këto raste, KShH vëren se është shkelur vendimi Ii djeshëm të KQZ-së, dt. 24.06.2017 ku është vendosur se gjatë ditës së votimit, ndalohet qëndrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave të cilët nuk janë të parashikuar nga neni 110 i Kodit Zgjedhor, në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit, duke përfshirë edhe oborret.

Në QV 4427 të po kësaj ZAZ-je, fleta e votimit, megjithëse u plotësua jashtë kutisë së fshehtë, KQV-ja lejoi votimin. Për të trija këto raste, vëzhguesit e KShH-së, në përputhje me nenin 7 të Kodit Zgjedhor bënë vërejtjet përkatëse.

Në bashkinë e Vorës, QV 1550, ZAZ 26, vëzhguesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit i është kërkuar të largohet nga ambientet e kësaj Qendre Votimi pa shkak ligjor, duke pretenduar se akreditimi duhej të bëhej nga KZAZ-ja dhe jo nga KQZ-ja. Vëzhguesja ka marrë takim me kryetarin e KZAZ-së, i cili i ka përsëritur të njëjtën gjë. KShH ka bërë me dije Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me këtë pengesë të paligjshme. Pavarësisht njoftimit në kohë të KQZ-së, sërisht vëzhguesja e KShH-së nuk është lejuar të vëzhgojë dhe i është drejtuar një tjetër QV për të monitoruar.

Vëzhgues i Fondacionit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, me të cilët KShH po bashkëpunon, ka konstatuar se në QV 1724/1, 1724/2, 1726 dhe 1726/1, ZAZ 32 Tiranë, është konstatuar se në korridoret e QV ndodhej një person që ndikonte tek zgjedhësit për të votuar për subjekte të caktuara. Ky person qëndroi në këto ambiente për rreth 20 minuta, por pas ndërhyrjes së KQV ai u largua.

Veç sa më sipër, në QV nr. 1919/1, ZAZ 37 Tiranë, disa zgjedhës nuk u lejuan të votonin sepse nuk e kishin emrin në listë, megjithëse se pretendonin se ishin të asaj zone.

Nga monitorimi që i kemi bërë faqes së internetit të KQZ-së këto dy ditë, rezulton se nuk hapet varianti elektronik i listës përfundimtare të zgjedhësve në këtë faqe. KShH vlerëson se aksesi në listën elektronike të zgjedhësve është tepër i rëndësishëm për orientimin e zgjedhësve, të cilët nuk e kanë kontrolluar më parë emrin dhe mbiemrin e tyre.

Sipas medias jemi informuar gjithashtu për raste të cenimit të heshtjes zgjedhore dhe të bllokimit të procesit të votimit në disa Qendra Votimi, për shkaqe që nuk parashikohen në Kodin Zgjedhor. KShH bën thirrje të gjithë përfaqësuesve të partive politike të respektojnë heshtjen zgjedhore, e cila nuk duhet të cenohet me asnjë formë apo mjet, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë që ka si qëllim të ndikojë në vullnetin e zgjedhësve.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe në asnjë rast të mos pengojnë apo bllokojnë procesin e votimit, duke evidentuar shkaqe të cilat sipas Kodit Zgjedhor nuk përbëjnë arsye të ligjshme për pezullimin e procesit të votimit. Shkelja e Kodit Zgjedhor mund të çojë deri në përgjegjësi penale të këtyre shtetasve.

Please follow and like us: