Albspirit

Media/News/Publishing

Ministria e Brendshme: “Po rriten tentativat për blerje votash”; Demiraj ka një paralajmërim

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se është shtuar numri i denoncimeve për rastet e dyshuara të veprës penale të shitblerjes së votave dhe intimidimit të votuesve.

Nëpërmjet një njoftimi nga MPB jepet alarmi se “pranë grupeve të posaçme të ngritura në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit kanë mbërritur qindra denoncime që flasin për një fenomen në rritje të tentativave për blerje të votave”.

Në këto kushte, Ministria e Punëve Brendshme iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e personave që kryejnë këtë vepër penale e cila dënohet me ligj, dhe fton qytetarët që të telefonojnë në numrin e posaçëm për të denoncuar çdo rast të blerjes së votës ose abuzimet e punonjësve të policisë.

“I inkurajojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast të tentativës për blerje të votës apo intimidime të tjera në numrin e Policisë së Shtetit 112 ku anonimiteti i denoncuesit është i sigurt; dhe për raste të abuzimit të punonjësve të policisë me detyrën në numrin 08009090”, – thuhet në njoftimin për shtyp.

“Sqarojmë të gjithë qytetarët se për shkak të kufizimeve të posaçme ligjore për rolin e policisë së Shtetit gjatë ditës së zgjedhjeve, të denoncojnë zyrtarisht në numrin 112 në mënyrë që Policia e Shtetit të veprojë për të vendosur para ligjit abuzuesit. U bëjmë thirrje edhe anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit që për çdo rast parregullsie të njoftojnë KZAZ-në, e cila është autoriteti ligjor që duhet të njoftojë Policinë e Shtetit për të rikthyer normalitetin në Qendrat e Votimit.

Ministri i Punëve të Brendshme,Dritan Demiraj garanton të gjithë qytetarët se çdo krim elektoral do të ndëshkohet me rreptësi sipas parashikimeve ligjore. Ai u bën thirrje edhe subjekteve politike që të ulin tensionet dhe të punojmë bashkërisht për një proces zgjedhor të qetë.” – përfundon njoftimi i ministrisë së Brendshme.

Please follow and like us: