Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Nishani dekoron Hajdar Blloshmin (pas vdekjes) me Titullin “Martir i Demokracisë”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 27/06/2017, nr. dekreti 10530 Hajdar Blloshmit (pas vdekjes) Titullin “Martir i Demokracisë” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për vlerat e larta intelektuale duke spikatur për veprimtarinë e shquar në shërbim të çështjes kombëtare; për kontributin e qenësishëm dhe ndihmesën e vyer të dhënë në themelimin e arsimit shqiptar, si dhe për rolin e tij si deputet e përfaqësues politik i krahinës së tij në mbrojtje të vlerave demokratike”.

 

Hajdar Blloshmi

Ka lindur më 24 mars 1844 në katundin Berzeshtë të katundit Librazhd. Hajdar Blloshmi kishte gjashtë fëmijë, katër djem e dy vajza. Djali i madh ishte Selahudini dhe pastaj vinin Hakiu, Xhevdeti dhe Shefqeti, ndërsa vjazat Baria dhe Nailja. Mësimet e para i mori në shkollën e Ohrit, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Stamboll. Si student i shkëlqyer zotëronte gjuhët e huaja: frëngjisht, turqisht, persisht dhe greqisht. Fillimisht u emrëua sekretar në Ministrinë e Drejtësisë dhe më vonë si profesor i frëngjishtes dhe dragoman (përkthyes në pallatin e Sulltanit). Në këto vite ai thirrej me emrin Ali Hajdar Bej dhe kështu njihej dhe nga rrethet e patriotëve shqiptarë që bashkëpunonte. Disa shqiptarë të asaj kohe në Stamboll e shikonin me dyshim veprimtarinë e tij, pse punonte në pallatin e Sulltanit, por veprimtaria e tij në shërbim të lëvizjes kombëtare shqiptare i bindi shpejt se kishin të bënin “me një mëmëdhetar të flaktë”. Një ndikim të madh në jetën e tij ushtroi atdhetari i shquar Ibrahim Temo, me të cilin kishte edhe korrespondencë të gjatë. Në vitin 1897 Hamdi Ohri çeli një shkollë shqipe në Ohër ku mësues ishte miku i tij Hajdari. Në gazetën “Drita” shkruhet: “Më 1897 hapi në shkollë shqipe (H.Ohri) në një ndërtesë të vetën në Ohër tue i ngarkue detyrën e mësuesit të ndjerit Hajdar Blloshmi, të cilin e paguante nga kuleta e vet. Leja e hapjes së shkollës u dha nga autoritetet turke për të mësuar frengjishten, kurse këta mësonin gjuhën tonë amëtare”. Në vitin 1909 u emërua profesor i gjuhës turke në Normalen e Elbasanit, ku bashkëpunoi me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Ahmet Gashin, Hasan Mezen e mësues të tjerë të shquar të kohës. Një veprimtari të gjerë ai zhvilloi me klubin “Bashkimi” të Manastirit, ku në prill të vitit 1980 ishte edhe delegat i Starovës e Quksit në kongresin e tij. Në këtë kuvend arsimor e kombëtar shënohet edhe diskutimi i Hajdar Blloshmit: “Qeveria nuk duhet t’u japë kurajo atyre që duan të lenë Shqipërinë në errësirë duke thënë se shkronjat shqipe prishin fenë myslimane, në një kohë kur ajo lë të lirë qeveritarët e saj në Stamboll të flasin e të shkruajnë frengjisht, anglisht, rusisht, greqisht dhe s’kanë frikë se mos prishin fenë. Shkronjat latine zenë vendin në dokumentet zyrtare të qeverisë. Ajo, duke mos lejuar alfabetin shqip nuk do përparimin e gjuhës dhe të popullit shqiptar…”. Në vjeshtën e vitit 1912 u emërua mësues i frëngjishtes në shkollën e Durrësit. Në Durrës u lidh më Dom Nikollë Kaçorrin, Stef Kaçulinin dhe Jahja Ballhysën dhe u përfshi në kryengritjen kundër pushtuesve osmanë. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh përfaqësuesi i nënprefekturës së Pogradecit në kuvendin historik të Vlorës. Në qershor të vitit 1913 në Vlorë organizohet një miting i madh proteste në mbrojtje të tokave shqiptare në Çamëri. Në atë miting krahas Mit’hat Frashërit, Jani Mingës, etj flet edhe Hajdar Blloshmi. Në qershor të vitit 1914 u reshtua me luftëtarët e Isa Boletinit dhe të Bajram Currit në luftimet  kundër rrebelëve në kodrat e Rrashbullit, urën e Shijakut dhe mbrojtjen e Durrësit. Në vitin 1914 e shohim si luftëtar në rrethinat e Korçës kundër shovinistëve grekë. Në kohën e Luftës së Parë Botërore, siç dëshmohet nga gazeta “Koha” e Mihal Gramenos, shënohet pjesëmarrja e tij dhe si luftëtar vullnetar krahas Muharrem Moglicës, në ullishtat e Elbasanit kundër këtyre forcave. Në vitet 1916-1920 emërohet mësues i gjuhës frëngjisht në qytetin e Pogradecit. Më 2 prill 1920 Hajdar Blloshmi si kryetar i shoqërisë “Drita” së bashku me Istref Sulejmanin -kryetar i shoqërisë “Kombëtare” dhe Qani Karafilin- kryetar i shoqërisë “E ardhmja” dërguan një notë proteste gjeneralit Bardi dë Furtu kundër pretendimeve serbe e greke dhe kërkuan bashkimin e Pogradecit në Qeverinë e Tiranës. Në maj të vitit 1920 pas largimit të trupave të ushtrisë fraceze nga Korça u zhvillua një miting në qytetin e Pogradecit ku populli manifestoi rreth flamurit kombëtar. Sipas artikullit “Flamuri u ngrit në Pogradec”, të gazetës “Opinga”, mësojmë se “në këtë kohë z. Hajdar Blloshmi, mësonjës i gjuhës frengjishte në Pogradec hipi mbi një fron dhe me një zë të lartë i tregoi popullit rendësinë e ditës, vleftën e flamurit dhe të atdheut…”. Sipas dokumentave arkivale në vitin 1926 Hajdari u zgjodh deputet në parlamentin shqiptar, ku nëpërmjet diskutimeve të tij ngrit mjaft probleme të mprehta të kohës për zhvillimin e arsimit, ndërtimin e rrugëve dhe zhvillimin e vendit si dhe mbrojti çështjen kombëtare shqiptare. Si deputet ai qëndroi deri në vitin 1932. Pas këtij viti u tërhoq në jetën e tij në vendlindje në Bërzeshtë ku vdiq në 6 dhjetor 1936.

Please follow and like us: