Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Nishani dekoron Selahudin Blloshmin (pas vdekjes) me Titullin “Martir i Demokracisë”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 27/06/2017, nr. dekreti 10528 Selahudin Blloshmit (pas vdekjes) Titullin “Martir i Demokracisë” me motivacionin: “Për kontributin atdhetar në përbërje të forcave ushtarake shqiptare, ku ka shërbyer me profesionalizëm si drejtues i niveleve të ndryshme, si dhe për rolin e tij të vyer në përpjekjet për vendosjen e rendit demokratik si deputet e përfaqësues politik i krahinës së tij”.

Selahudin Blloshmi

Ka lindur më 21 mars 1892 në fshatin Bërzeshtë. Ishte djali i parë i Hajdar Blloshmit. Shkollën fillore dhe të mesme ushtarake (shkollën e kadetëve) i kreu në Stamboll në 1911. Selahudini ishte martuar me mbesën e Ismail Qemalit (vajza e vajzës) Sara. Patën një fëmijë të quajtur Vera Blloshmi, e cila ka vdekur në Angli. Ka shërbyer si oficer në luftërat ballkanike në repartet turke kundër sllavëve dhe grekëve. Në vitin 1915 shkruan dhe boton librin “Zani i Fronit, Mbretit të Shqiptarëve”. Sofie, shtypshkronja “Mbrodhësia” e Kristo Luarasit. Selahudin Blloshmi më pas ka shërbyer oficer në Vlorë. Në Korçë shërben në repartet austriake dhe me krijimin e republikës në Korçë në nëntor të vitit 1917 dhe më vonë kalon vullnetarisht në ato fraceze. Kapiten Blloshmi e shohim tani si një nga drejtuesit kryesorë të ushtrisë shqiptare. Në 1920 ishte delegat  i Pogradecit në kongresin e Lushnjës. Në 1921 dërgohet në Francë me major Bilal Nivicën për blerjen e matrialeve ushtarake. Në periudhën vjeshtë 1921 – qershor 1923 dërgohet në Paris të ndjekë akademinë ushtarake të Saint Cyr. Pas mbarimit të saj kthehet në atdhe dhe po atë vit në dhjetor zgjidhet deputet i prefekturës në Elbasan. Me revolucionin e Qershorit mban anën e mbretit Zog. Në 14 gusht 1926 dekorohet nga presidenti francez me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”. Dekretohet ministër fuqiplotë në Bukuresht. Në vitin 1928 në pranverë kthehet në atdhe dhe emërohet komandant “Entit Kombëtar të Djelmërisë Shqiptare”, (formacion paraushtarak studentor). Dekorohet “Oficer i Madh i Kurorës së Italisë”. Më 13 dhjetor 1929 ndërron jetë në moshën 36-vjeçare. Varroset me të gjitha nderimet shtetërore në varrezat e Bamit, në orën 14:00 pas dreke.
Please follow and like us: