Albspirit

Media/News/Publishing

Rami MEMUSHAJ: KOMISIA LETRARE E SHKODRËS 100 VJET MË PAS

Këto ditë u mbushën njëqind vjet nga krijimi i institucionit të parë të planifikimit të gjuhës shqipe, Komisisë Letrare, e cila e nisi veprimtarinë e saj në Shkodër më 1 shtator 1916. Ndonëse për të është shkruar jo pak, disa aspekte të jetës dhe të veprimtarisë së saj nuk janë ndriçuar sa duhet, si çështja se kush e krijoi, cili ishte statusi i saj,ç’vend zë veprimtaria e saj në planifikimin gjuhësor të shqipes dhe cilat janë mësimet që duhen nxjerrë nga arritjet dhe mosarritjet e Komisisë.

Lidhur me atë se kush e krijoi Komisinë Letrare, disa autorë themelues të saj quajnë Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën etj., nisma e të cilëve u mbështet nga komanda austriake; autorë të tjerë ia njohin këtë meritë Luigj Gurakuqit, që ishte në krye të drejtorisë së arsimit. Po cila është e vërteta?

Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, le të sjellim në kujtesën e lexuesit se në janar 2016 Shqipëria e Veriut dhe e Mesme deri në Vjosë u pushtua nga ushtria austro-hungareze, e cila Shkodrën e bëri qendër administrative ku u vendos komanda e korparmatës dhe administrata civile, e përbërë nga shqiptarë. Austro-Hungaria ishte një perandori që, me kushtetutë, u kishte dhënë kombeve të sunduara të drejta që njihen me emrin Kultusprotektorat (protektorat kulturor), nga të cilat përfituan edhe shqiptarët. Pavarësisht nga synimet e largëta politike të Austro-Hungarisë, dhënia e vetëqeverisjes, liritë kulturore, lejimi i mësimit të gjuhës shqipe në shkollë dhe i përdorimit të saj në administratë, nuk mund të mos vlerësohen si të drejta që shqiptarët i fitonin për herë të parë në historinë e tyre. Kjo nuk kishte ndodhur nën Perandorinë Otomane, e cila, që nga fillimi e derisa u shemb, i trajtoi shqiptarët si një popull i ndaluar.

Nga dokumentet e kohës merret vesh se roli i komandës austriake të pushtimit ishte vendimtar jo vetëm për kushtet që krijoi për mësimin e shqipes në shkollë dhe përdorimin e saj si gjuhë e administratës, po edhe për nxitjen e drejtpërdrejtë të intelektualëve shkodranë që të krijonin Komisinë. Këtu duhet pasur parasysh se në Shkodër në ato vite vepruan figura të shquara të jetës politike e kulturore të Austrisë, si konsulli i përgjithshëm August fon Kral, njohës i mirë i Shqipërisë; intendenti i përgjithshëm profesor Mariano San Nicolò, historian i së drejtës etj. Ishte pikërisht konsulli austriak ai që u sugjeroi më 1916 Luigj Gurakuqit, Ndre Mjedës, Mati Logorecit dhe Gjergj Fishtës të vendosnin “në lidhje me çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit, si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe”.

Rolin e austriakëve në themelimin dhe mbarëvajtjen e Komisisë e vërtetojnë një numër aktesh zyrtare të komandës së korparmatës. Kështu, Komisia u themelua me vendimin nr. 737, datë 30 korrik 1916, të komandës së lartë ushtarake austro-hungareze në Shqipëri. Kjo pohohet në statutin e saj, ku thuhet: “Mbas urdhnit të Komandës së Naltë në Shqipni po themelohet në Shkodër nji komisi letrare shqiptare”; për vetë statutin, në vendimet lexojmë se “Komisija pëlqen e pranon shtatutin e pregatitun prej mâ të Naltës Komandë në Shqipni…” Madje, edhe rregullat e ortografisë u miratuan nga komanda e lartë ushtarake me urdhrin e saj të 24 shkurtit 1917. Më në fund, që themelimi i Komisisë ishte meritë e austriakëve, këtë e dëshmon edhe ajo që ky institucion pati aq jetë sa zgjati pushtimi austriak në Shqipëri.

Roli vendimtar i austriakëve pranohet dhe në “Historinë e Shqipërisë” (1965, 1984), në të cilën thuhet se “për të mos shkaktuar kundërshtimin e hapur të shqiptarëve, ata (austriakët – R. M.) filluan të vinin në zbatim në Shqipëri politikën e tyre të autonomisë kulturale-kombëtare që ndiqnin kundrejt popujve të tjerë të shtypur të perandorisë, ngritën flamurin shqiptar, hapën shkollat shqip, formuan “Komisinë letrare” për lavrimin e gjuhës shqipe, organizuan administratën me nëpunës shqiptarë, por nën kontrollin e plotë të tyre” (1965). Të njëjtën pikëpamje kanë edhe studiuesit e huaj Maksimilian Lamberc, Robert Elsi e Noel Malkolm. Lamberci, që pati qenë një ndër anëtarët e huaj të Komisisë, në gramatikën e tij të gjuhës shqipe (1958) thotë se “nismëtar i saj ishte komisari për çështje civile vendore dhe njëheri konsull i përgjithshëm August Ritter fon Kral”. Edhe R. Elsi thotë se Komisia “u ngrit nga austro-hungarezët me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August fon Kral për të vendosur mbi çështjet e drejtshkrimit të gjuhës për përdorim zyrtar dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe”. Kurse historiani anglez N. Malkolm shkruan: “Autoritetet austriake i emëruan shqiptarët (e Kosovës – R. M.) në pushtetin lokal, lejuan përdorimin e gjuhës shqipe në vendin e tyre të punës dhe ndihmuan në hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Një politikë e tillë u zbatua edhe në Shqipërinë e Veriut dhe në Shqipërinë e Mesme, më 1916. Në këto anë austriakët hapën dy shkolla normale shqipe dhe formuan një “Komision Letrar Shqiptar” për të standardizuar ortografinë dhe për të botuar libra shqip në botime të lira e të popullarizuara.”

Duke e paraqitur themelimin e Komisisë Letrare si vepër të austriakëve, nuk ua mohojmë aspak meritat patriotëve shqiptarë, të cilët, duke shfrytëzuar mundësitë e krijuara, arritën që brenda pak muajsh të japin të parin projekt ortografie të gjuhës shqipe dhe të bëjnë punë aq të vyera për gjuhën tonë.

Edhe për çështjen e statusit të Komisisë mendimet e studiuesve ndahen: për disa ajo luajti rolin e një kongresi gjuhësor, për disa të tjerë rolin e një komisioni gjuhëtarësh. Në këtë pikë, të drejtë kanë ata autorë që shohin tek ajo një institucion shkencor kombëtar, që u krijua për të zgjidhur një varg detyrash. Kjo krijesë që kishte një seli, një statut e një rregullore të brendshme dhe anëtarë “të paguem” e “të papaguem”, të cilët për gati dy vjet mblidheshin disa herë në javë për të kryer detyrat që u qenë ngarkuar, nuk mund të ishte kongres a komision, po një institut gjuhësie.

Natyrën e vërtetë të Komisisë e dëshmon vetë rrethi tepër i gjerë i çështjeve me të cilat u mor. Zgjedhja e dialektit që do të ishte si “urë në mes të dy dialekteve” për “gjuhën e përgjithtë” a “të përbashkme”, hartimi i rregullave të drejtshkrimit, puna me terminologjinë, botimi i librave mësimorë e letrarë, këshillimi gjuhësor dhe përkthimet përbëjnë një problematikë shumë më të gjerë madje edhe nga ajo që mbulojnë sot institutet shqiptare të gjuhësisë. Këto detyra nuk mund t’i zgjidhte një kongres a një komision. Një kongres mund të vendoste për çështjen e bazës dialektore të gjuhës letrare dhe të miratonte një projekt drejtshkrimi të hartuar paraprakisht; një komision, që do të mblidhej disa herë në vit, mund të diskutonte çështje të veçanta, po të gjitha detyrat e mësipërme mund t’i merrte përsipër vetëm një institucion.

Kjo veprimtari e gjerë e Komisisë në dy vjet jetë të saj përbën një trashëgimi të vyer, studimi i së cilës është me rëndësi të veçantë për teorinë e planifikimit gjuhësor. Komisia e nisi punën aty ku e la Kongresi i Manastirit, alfabeti i njësuar i të cilit shënoi përmbylljen e fazës së parë të planifikimit të gjuhës sonë. Veprimtaria e Komisisë shënon fillimin fazës së dytë të planifikimit, kodifikimin e normave të saj, që u përmbyll me Kongresin e Drejtshkrimit. Në veprimtarinë e Komisisë Letrare do të gjejmë në embrion të gjitha hallkat e fazës së dytë: zgjedhjen e bazës dialektore të gjuhës letrare, ndërtimin e kodit drejtshkrimor dhe zbatimin e këtij kodi, çka pasqyrohet në urdhrin e komandës austriake për zbatimin e ortografisë në administratë, në botimet, në shkollë etj.

Ky urdhër është dekreti i parë për gjuhën në historinë e shqipes, që do të pasohet edhe nga dy dekrete të tjera, ai i vitit 1923 dhe i vitit 1974. Fakti që dekrete për shqipen janë lëshuar në tri kohë të ndryshme, dëshmon se ndërhyrja e autoritetit shtetëror nuk është arbitrare, sikundër mëtohet prej disave këtu e në Kosovë, po pjesë e planifikimit gjuhësor. Edhe në ditët tona, për zbatimin e normave gjuhësore në ligjërimin e shkruar e të folur ndihet nevoja e ndërhyrjes e të dy shteteve tona, ashtu siç kanë bërë gjatë shekullit të kaluar qeveritë shqiptare.

Puna e Komisisë Letrare për shqipërimin e terminologjisë dhe pastërtinë e gjuhës,që u vijua nga Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë në Tiranë dhe Instituti Albanologjik në Prishtinë, në këta tre dhjetëvjetëshat e fundit është fashitur, ndërkohë që kjo punë duhet të jetë e pandërprerë, sidomos po të kemi parasysh që, me rënien e perdes së hekurt, leksiku dhe strukturat sintaksore të shqipes po ndikohen shumë nga gjuhët me prestigj të Europës, duke bjerrë karakterin popullor dhe origjinalitetin e saj.

Është jo pa interes të kujtojmë se në “Statutin e përkohshëm” të Komisisë, thuhet se ajo do të kishte edhe “rangun e nji këshilli ndër çashtje e ndër pyetje që i përkasin mësimit botnuer”. Pra, funksioni i këshillimit gjuhësor ishte një funksion i dytë që i njihte Statuti Komisisë. Por kjo përvojë çmuar e një shekulli më parë është shpërfillur dhe, si rrjedhim, instituteve tona të gjuhësisë u ka munguar dhe u mungon sektori i këshillimit gjuhësor, i cili sot është bërë shumë i nevojshëm, për shkak të shtimit të numrit të aktorëve të përfshirë në ligjërimin publik.

Mësime duhen nxjerrë edhe nga dështimi i Komisisë Letrare për sa i përket zgjedhjes së elbasanishtes si bazë e gjuhës letrare, e cila në periudhën midis dy luftërave u përdor vetëm si gjuhë e administratës, po nuk u pranua nga autorët shkodranë, ndër ta dhe anëtarë të Komisisë, dhe as nga autorët toskë. Shkaku kryesor i këtij dështimi qe se si bazë e gjuhës letrare u zgjodh një variant pa traditë letrare, kur ekzistonin dy variante letrare me prestigj(toskërishtja letrare dhe shkodranishtja letrare). Po të kishte qenë rrethi i vendimmarrësve më i madh dhe me përfaqësim më të gjerë krahinor, ndoshta që atëherë do të ishte arritur në një zgjidhje tjetër të pranueshme nga gegët dhe toskët.

Për fat të keq, ky gabim në fillimet e planifikimit të gjuhës shqipe, po përsëritet në ditët tona nga Këshilli Ndërakademik, që ka një përfaqësim të ngushtë krahinor dhe shumicën e anëtarëve me ndihmesa të pakta ose të aspakta për sipërmarrjen në të cilën janë thirrur të jenë aktorë. Reforma e drejtshkrimit dhe ndryshimet e normave të tjera të gjuhës të propozuara nga ky Këshill po kundërshtohen gjerësisht, pikërisht sepse në to duket hapur përpjekja e frymëzuar jo nga arsye shkencore për ta përmbysur bazën e gjuhës standarde, duke ia ndërruar asaj tingëllimin, drejtshkrimin dhe morfologjinë. Por, ashtu si ndodhi me të folmen e Elbasanit, që nuk u bë dot gjuhë letrare, edhe kjo reformë nuk do të zbatohet, sepse nuk ështëe diktuar nga nevoja e vetë gjuhës për ndryshime, po nga nevoja e disa gjuhëtarëve për ta ndryshuar atë. Megjithatë, puna e tyre dëmin ka filluar ta bëjë, duke sjellë si pasojë të parë një rënie të dukshme të kujdesit për pastërtinë e gjuhës dhe për zbatimin e normave të saj.

 

INSTITUTI I TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE E KULTURORE TË SHQIPTARËVE – SHKUP

Studime Albanologjike, Shkup 2016

Please follow and like us: