Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea GUDHA: Ç’ia thoshte bilbili, 20 vjet më parë…

 

Në këtë shkrim jam me miqtë e mi muzikantë, bashkëudhëtarë në pjesën tjetër të jetës sime. U bë shkas serioziteti i punës së Albautor, një organizëm, që me dinjitet po mbron të drejtat e autorit dhe u riktheva 20 vite më parë, duke përshkruar një nga sekuencat e jetës sime me muzikën. Shpirti i muzikantit, ndër vite i ka zbutur, sado pak, dhimbjet e lotët e këtij populli në Shqipërinë tonë  halle madhe…

 

                                                            ***

Në një nga mbasditet e muajit Maj 1996, duke u kthyer nga Liceu Artistik, në një nga lokalet përballë RT takohem me mall me maestron Ferdinand Deda, me të cilin kisha vite pa u takuar, e duke pirë diçka me të flasim për muzikën, për këngët e këngëtarët e rinj. Ndër të tjera ra biseda edhe për këngët e mia. Maestro Ferdi fliste për to me konsideratë. Në këto momente ai më ofron propozimin që të futeshim në një angazhim për të realizuar një kasetë me disa nga kompozimet e mia. Kjo ishte një nga dëshirat e mia apo, më mirë të themi një ëndërr e imja prej kohësh, gjë të cilën unë e mirëprita me kënaqësi.

Me Ferdinand Dedën njihesha që në vitet 1969-1974, gjatë periudhës time studentore, ku ishin krijimet e mia të para në festivalet e studentit si dhe në vitet e mëvonshme, pasi një pjesë e mirë e këngëve të mia të kënduara në anketat muzikore në RT janë të dirigjuara prej tij. E pranova me kënaqësi propozimin e tij edhe për disa arsye:

Së pari, do të realizoja dëshirën time që të përgatitja një kasetë me këngët e mia, të këndoheshin edhe nga këngëtarë tjerë (sepse pjesa më e madhe e këngëve të mia janë të kënduara nga P. Lulo), si dhe të orkestroheshin me një orkestracion të ri, me një orkestër elektronike (pra, t’u vishja një kostum bashkëkohor, që të nxirrte më në pah bukuritë e trupit, të shtratit burimor të këngëve).

Së dyti, këngët e mia kanë si shtrat motivet burimore të jugut dhe për këtë gjë tek maestro Ferdi kisha besim që do të kuptoheshim mirë në përzgjedhjen e përgatitjen e tyre.

Së treti, gjatë periudhës që po kalonim, po ndieja një boshllëk shpirtëror në këngët që po kompozoheshin në drejtim të motivit kombëtar dhe për këtë gjë e ndieja se duhej një rikujtesë për kompozitorët e rinj.

Në ditët, që vijonin, filluan shqetësimet e përgatitjes së albumit muzikor si: seleksionimi i këngëve, përcaktimi i këngëtarëve, orkestracionet, e mbi të gjitha shqetësimi financiar për realizimin e këtij albumi.

Fillimisht, pasi kisha bërë vetë një seleksionim të këngëve të mia (10 këngë) për këtë album, i dhashë Maestros Ferdi kasetën time me të gjitha këngët e kënduara nëpër vite si dhe partiturat. Pas përcaktimit të këngëve, menduam edhe ndarjen e këngëtarëve sipas përshtatjes së  tyre si: P. Lulon, K. Dushi, N. Yzeiri dhe A. Gaçe. Orkestracioni dhe rregjistrimi do të bëheshin nga orkestruesi i talentuar Alfred Kaçinari në studion e tij.

Kështu, filloi puna për përgatitjen e këtij Albumi. Çdo mbasdite, deri në darkë vonë në studion e Kaçinarit( në ambientet e RTSH), ne kalonim disa orë të këndëshme dhe çlodhëse…  Unë kisha vite që isha larguar nga emocionet e krijimtarisë dhe të përgatitjes së këngëve, dhe natyrshëm, gjatë provave po më ringjalleshin emocionet e viteve të shkuara.

Gjatë ditëve të rregjistrimit të këngëve, Maestro Ferdi pati një hidhërim të madh, i vdes e motra, por shpirti i artistit është i madh, i mësuar me rrëmbimin e simfonive të Bethovenit dhe të Vagnerit si dhe me qetësinë e fugave të Bach-ut. Kështu dhe Ferdi po e përballonte këtë hidhërim me përgatitjen e këngëve të mia, me alegrinë dhe kompetencën e tij profesionale.

Në një nga pasditet, në rregjistrimin e këngës “O trëndafil me vese” në mungesë të Novruz Yzeirit, së bashku me Aurelën vendosëm kufjet e inçizimit në vesh dhe realizuam  të dy duetin, i cili doli i pëlqyeshëm për Kaçinarin, Ferdin dhe veçanërisht për Aurelën.

Më datën 18 Qershor 1996 Albumi me 10 këngë ( DTI ) përfundoi së realizuari artistikisht.

Për një rifreskim  dhe redaktim letrar të teksteve u angazhua poetesha V. Velo, zëdhënëse e shtypit në Ministrinë e Shëndetësisë. Në vijim vazhdojnë përpjekjet e mia për të gjetur sponsor, së bashku me peripecitë e vitit të mbrapshtë 1997 për riprodhimin e DTI . Në muajin Nëndor 1999, në sajë të kontributit modest të disa miqve të mi arrita të realizoj prodhimin e DTI në studion RAX.

Isha i emocionuar, se pas 30 vjetësh krijimtarie pashë “fëmijën tim të parë”, por njëkohësisht ndjeja kënaqësi të veçantë kur u dhuroja shokëve dhe miqve të mi Albumin tim të parë.

Në këto momente, kur mora Albumin tim në dorë, në mënyrë të vetëdijshme më erdhën ndërmënd dhe një sërë emrash mjekësh, artëdashës dhe të përkushtuar për artin. Kështu, fillova përgatitjet për ngritjen e Shoqatës “Mjekësia, Letërsia dhe Arti”.

Qershor 1996

Shënim. Në vitin 2000 botova librin muzikor “Ç’ia thoshte bilbili”.

                                                           

***

Roland Çene, Dirigjent, Shkurt 2000

 

Në historikun e artit botëror janë të njohura kontributet e personaliteteve të fushave të tjera, jashtë artit. Kjo dukuri është ndeshur jo rrallë edhe në  vendin tonë. Krahas shembujve si Kastriot Gjini (gazetar-kompozitor), Anastas Kondo (inxhinjer-shkrimtar),Teodor Laço (agronom-shkrimtar), Maks Velo (arkitekt-piktor) etj, spikat dhe krijimtaria e kompozitorit gjirokastrit Andrea GUDHA (mjek).

E kam njohur Andrean rreth viteve 1967-1968, kur unë fillova të punoj si drejtues i jetës artistike në qytetin e Gjirokastrës (1968-2000). Më duhej të hulumtoja shumë talente të rinj (instrumentistë, këngëtarë etj.), për t’i organizuar në jetën muzikore, e cila kishte shumë nevojë për ta. Në këtë kuader u njoha me Andrea Gudhën, nxënës në vitin e 3-të në gjimnazin “Asim Zeneli”. Andrea u qe nënshtruar disa kurseve për mësimin e violinës, nën drejtimin e  mësuesit  Polo Xhori.

Nisur nga dëshira dhe pasioni rinor, ngrita një orkestër heterogjene(1968), me tipare të orkestrës simfonike, ku krahas shumë instrumentistëve, spikati dhe loja në violinë e Andrea Gudhës. Ngritja e këtij formacioni muzikor luajti një rol të madh në jetën artistike të qytetit të Gjirokastrës dhe ajo, që është më e rëndësishmja, se evidentoi shumë talente e ndër ta spikati Andrea Gudha, i cili si gjatë jetës studentore në Fakultetin e Mjekësisë, po ashtu  dhe gjatë periudhës së punës si mjek pediatër në Gjirokastër, u  lidh shpirtërisht me muzikën.

Gjatë periudhës (1974-1994) i takon dhe krijimtaria më e madhe e kompozitorit Andrea Gudha.

Duke kaluar në dorë pjesën më të madhe të krijimtarisë të tij, jam ndeshur me lidhjen shpirtërore të artistit me muzikën popullore dhe veçanërisht me folklorin e krahinës së Lunxhërisë dhe të Labërisë. Kësaj periudhe i takojnë këngë të tilla si: “Gëzimi i çobanit”,” Ylli i Odries”, “Syzezë vetulla pe”, “Uromë baba uromë”, “Kënga e bilbilit”, etj., që tashmë janë bërë të njohura në të gjithë vendin.

Pjesa më madhe e kësaj krijimtarie ka zënë një vend të rëndësishëm në repertorin e Ansamblit”Çerçiz Topulli”, gjë e cila ka krijuar mundësinë e ekzekutimit të krijimtarisë së Andrea Gudhës  edhe jashtë vendit.

Individualiteti krijues i Andrea Gudhës  është tepër i kapshëm. Kur dëgjon këngët e tij, me një herë të vijnë ndërmend trevat e Jugut të Shqipërisë. Sot, këtë krijimtari e dëgjon, jo vetëm nëpërmjet Radios dhe Televizionit, si dhe në skenat të koncerteve, por edhe në mjediset familjare, nëpër shkolla etj. Kontributi i kompozitorit Andrea GUDHA është pjesë e pandarë e kulturës tonë, e cila si për nga tematika, cilësia dhe koloriti dëshmon për lidhjet e forta shpirtërore të autorit me identitetin kombëtar.

 


 

————————————————————–                                                                                                                                                                           

Ferdinand Deda, Dirigjent-kompozitor, Mars 2000

Andrea Gudhën e kam njohur në qytetin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues muzike në shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri”. E mbaj mënd shumë mirë kur ai ishte i ri . E shikoja në Pallatin e Kulturës, kur vinte me violinën e tij të dashur. Një djalosh i qetë , i dashur, i menduar dhe i preokupuar për krijimtarinë e tij të ardhshme. Me krijimet e Andreas , unë jam njohur në festivalet e fëmijëve, ku ai asistonte edhe vetë në formacionet orkestrale me violinën e tij. Mbas një viti unë u largova nga Gjirokastra.

Mbas viteve ’70 në pozicionin e dirigjentit të orkestres simfonike të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH ), jam njohur dhe kam dirigjuar një pjesë të mirë të këngëve të Andreas në anketat muzikore.

Mbas disa vitesh, takohem me Andrean dhe bisedojme për një projekt të tij, për realizimin e një kolazhi muzikor me krijimtarinë e vet. Më vonë, organizuam një takim në shtëpinë time , ku Andrea më solli një Album me krijimtarinë e tij për fëmijë dhe të rritur. Atë natë ndejtëm deri vonë, deri sa zgjodhëm këngët e përshtatshme për kolazhin muzikor. Andrea është një njeri i palodhur dhe korrekt. Ai siguroi këngëtarët e mirënjohur si : Aurela Gaçe, Petrit Lulo, Kozma Dushi dhe Nevruz Yzeiri. Në bashkëpunim me  mjeshtrin Alfred Kacinarin, ne realizuam Albumin muzikor të Andrea Gudhës. E gjithë kjo krijimtari e Albumit muzikor përshkruhet nga fryma thellësisht kombëtare e frymëzuar nga intonacionet popullore, duke thithur nektarin  emocional të këngës shqiptare.

 

——————————————————————————————

Prof.Dr. Shpëtim Kushta, Kompozitor, Mars 2000

                                                     

Në fillim të viteve’70, sapo kisha mbaruar studimet muzikore. Banoja ende pranë Qytetit të Studentit, ku një motiv interesant, gati çdo mëngjes, dilte nga buzët e studentëve, të cilët nxitonin në rrugët e qytezës drejt auditorëve…

Ishte kënga “Dhoma  numër 2”. Mbaj mend komentin që bëhej e çudia ishte se kompozitori i kësaj kënge studionte për mjekësi. Sigurisht, ky fakt e shtonte edhe më shumë kurreshtjen, rrethin e dëgjuesve dhe “tifozllëku” për këngën vinte dhe rritej.

Në fillim të viteve ’80, nëpërmjet valëve të Radio Tiranës po bëhej i njohur emri i një këngëtari me impostim dhe talent natyral, ai quhej Petrit Lulo. Në ato vite ai u afirmua në skenën muzikore shqiptare e kënga titullohej”Uromë, baba uromë”. Përsëri dëgjoja komentin, kompozitori quhej Andrea Gudha, ishte një pasionant i muzikës dhe punonte si mjek pediatër në Gjirokastër.

Kalonin vitet. Kënga bënte udhën e saj. Ajo vazhdimisht pëlqehej, transmetohej shpesh në valët e Radio Tiranës dhe në ekranin e Televizionit Shqiptar.

Petrit Lulo, në çdo rast e interpretonte atë në mënyrë orgjinale dhe, në koncerte të ndryshme, e afirmonte veten e tij, por njëkohësisht edhe krijuesin e këngëve.

Pas viteve ’90, në Koncertin e Pranverës ’96, organizuar nga RTV-Shqiptar u dëgjua me interes një këngë lirike me titull “Syri i ndritur”. Kompozitori ishte A.Gudha, me profesion mjek, i ardhur tani në Tiranë.

Rastësisht, u prezantuam në një ditë vjeshte të vitit 1999 në Ministrinë e Shëndetësisë, atje, ku ai tashmë punonte. U befasova kur mora vesh që ky mjek i respektuar ishte autori i këngës të viteve’70 “Dhoma numër 2”, i këngës të viteve ‘80”Uromë, baba uromë” dhe i këngës së viteve ’96 “ Syri i ndritur”

Duke pirë kafen sëbashku, mendoja se do të mjaftonin vetëm këto tre këngë, kompozuar përgjatë tre dekadave, me një spontanitet të admirueshëm krijues, që A.Gudha të ndjehet krenar se vendos një gur në godinën e madhe të Kulturës Muzikore Shqiptare.

Mendoja se do të mjaftonin tre këngë, kompozuar me një frymë të gjerë popullore, që A.Gudha të ndjehet edhe më pranë humanizmit, edhe më pranë idealizmit, i cili është aq i nevojshëm sot në Shqipërinë tonë halle-shumë, sidomos, kur ai që e përcjell atë tek njerëzit është mjek…

Ditët e fundit, kur Andrea më dhuroi kasetën me këngët e tij të zgjedhura në vite, e kuptova se brenda shpirtit të tij të mirë, të butë, dallohet lehtësisht geni i krijuesit pasionant, i muzikantit, që tingujt nuk i kompozon thjesht për publicitet, por sepse, nëpërmjet tyre ai kërkon të transmetojë mirësinë, dashurinë njerëzore tek shqiptarët në çdo kohë, mbasi ajo është e përjetshme…

E përshëndes A.Gudhën për kontributin muzikor që ka sjellë në muzikën shqiptare. Lum ata që më çiltërsi, modesti dhe me pasion të pafund e duan, e respektojnë dhe njëkohësisht e pasurojnë atë çdo ditë, ashtu thjesht dhe natyrshëm.

Image result for shpetim kushta

——————————————————————————————-

 

 Aleksandër Lalo, Kompozitor, Shkurt 2000

 

Në historikun e artit muzikor njihen mjaft raste të ndërlidhjes së tij me fusha të tjera. Andrea Gudha është një nga rastet, ku ky violinist gjen harmonizim komod, violinist, mjek, kompozitor, punonjës në pozicione drejtuese në Ministrinë e Shëndetësisë. Kufiri i pasionit, midis muzikës dhe mjekësisë pa dyshim rrit llogjikisht kurreshtjen për krijimtarinë e Andrea Gudhës. Të dyja këto fusha ( muzikë-mjekësi), megjithëse në një shikim të shpejtë nuk shfaqin ndonjë afërsi në anën emocionale, lidhen dhe afrohen me njera tjetrën në sensibilitetin dhe humanizmin njerëzor.

Krijimtaria e Andrea Gudhës e parë me një lente profesionale, shquhet dukshëm nga një origjinalitet që rrënjët i ka në artin e trashëguar popullor. Megjithëse autori nuk citon sekuenca nga arti popullor, tek këngët e tij spikat dukshëm fryma kombëtare, mendimi psikologjik i popullit të tij, si edhe forma muzikore adapte që e ngre emocionalisht cilësinë e veprave të tij.

Njihen në popull si këngë popullore si”Gëzimi i cobanit”, “Sy zezë vetulla pë”.

Thjeshtësia e shprehjes së mendimit muzikor, mjetet muzikore si melodia, harmonia, ritmi, interpretimi të përdorura me nikoqirllëk e me sensin e masës e bëjnë krijimtarinë e Andrea Gudhës një vazhdim të trashëgimisë muzikore shqiptare më të spikatur në vite dhe një shembull admirues të një mjeku që merret me muzikë.

 

——————————————————————————————-

Alfred Kaçinari, Kompozitor, Mars 2000

 

Andrea Gudha  i përket një brezi krijuesish jo të brezit tim, por një brezi të mëparshëm krijuesish. Në  krijimtarinë e tij, që është zgjedhur për këtë album nga autori, spikasin intonacionet popullore siç janë “Gëzimi i çobanit” etj.

Këto këngë janë mjaft të njohura për publikun, ndërsa autori është paksa i panjohur dhe kjo është karakteristika kryesore e këtyre këngëve që spikasin qartë dhe shpesh janë të cituara me intonacionet e Jugut. Ndoshta, kanë spikatur si origjinale interpretimet e para nga këngëtari P. Lulo, ku shumica e këngëve të kënduara prej tij, janë të kompozuara nga  A. Gudha.

Për veçimin e këtyre këngëve të zgjedhura nga krijimtaria e Andreas, ka punuar  F. Deda, dirigjent i mirënjohur, i cili është dhe mik i kompozitorit, duke seleksionuar 10-të këngë nga 40 -të këngë të Andreas..

Kuptohet, që ishin këngë specifike të gjitha dhe ishin të transmetuara përpara në Radio Tirana ,domethënë. problemi ishte që ne të tre sëbashku të sillnim modele të reja dhe në këtë pikpamje, puna ishte me përgjegjësi , por unë do të thoshja se ishte mjaft zbavitëse.

E them këtë , sepse për një orkestrues është shumë e këndshme kur ka një model dhe ai do të tentojë të jap një model krejt të ndryshëm nga i pari. Dhe këtë kënaqësi unë e ndjeva me këto këngë, aq më tepër që dhe intonacionet popullore të këtyre këngëve dhe mënyra e strukturimit të tyre mua me dhanë dorë të lirë të bëja çfarë të doja, më çliruan fantazinë që unë të shkoja aty ku dëshiroja vetë.

Pra, këngët ishin me intonacion të qartë, por dhe interpretuesit kanë qënë të garantuar vokalisht.

Image result for alfred kacinari

———————————————————————————-

Arben Duka, poet,  14.02.2000

Në vitet ’70 në skenat shqiptare shkëlqen një këngëtar gjirokastrit me emrin Petrit Lulo.

Ai u bë aq popullor sa që këngët e kënduara prej tij këndoheshin natyrshëm në dasma dhe në festa të tjera popullore. P.Lulo u njoh dhe u pëlqye shumë shpejt, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në Kosovë. Por, mbrapa tij nën një “hije” të trëndafiltë suksesi qëndronte”ustai” i këngëve.

Ky “usta” quhej Andrea Gudha, i cili, siç u mësua, kompozonte në një mënyrë të çuditshme dhe të veçantë, vetëm me violinë. Por, ai qe një autodidaktë në gjininë e këngës, mbasi ishte arsimuar dhe specializuar për mjekësi si pediatër reanimator.

Dhe autodidaktët njihen në të gjithë praktikën botërore, me spontanitetin e tyre të çliruar nga kornizat e hekurta të teorisë dhe klasikes e kur qëllojnë në shenjë sjellin krijime befasuese.

Eshtë fat për këngën shqiptare, por edhe për Andrea Gudhën, që në gjithë këto vite ka qëlluar shumë herë në shenjë e për rrjedhim na ka befasuar dhe na ka gëzuar shumë herë dhe ky është lumi i madh që e ndan atë nga amatorët.

Pas afirmimit të plotë të Andrea Gudhës fati e solli, që unë të njihesha  më nga afër me të, të miqësoheshim dhe pa dyshim të bashkëpunonim për të krijuar sëbashku.

Andrea hyn tek ata kompozitorë, ku krijimtaria e poetit për realizimin e tekstit gjen shtratin e vërtetë.

Bashkëpunimi me Andrean, përveç kënaqësisë, që të jep finesa intelektuale e sjelljes dhe e pamjes së tij, të jep mundësinë të prezantosh thuajse të gjitha vlerat që ke si poet, mbasi në të dy mënyrat e kompozimit ai krijon harmoni dhe metrikë të përsosur e të lakmueshme.

Andrea Gudha ka 30 vjet që “pi ujë” në burimet dhe gurat e mrekullueshme të Lunxhërisë dhe këngët e tij, që nga fillimi e gjer më sot, kanë mbetur të freskëta e të shëndritëshme si ato burime. Kush ka pirë ujë njëherë aty është dashuruar përjetësisht dhe në shpirt i ka mbetur përgjithmonë një shije e mrekullueshme dhe e pa përsëritëshme.

Në fillim të këtij shënimi të shkurtër theksuam se këngët e “usta” Gudha, qysh në fillimet e veta këndoheshin në dasmat dhe në festat popullore, duke u bërë pronë e ndërgjegjes shpirtërore të popullit dhe njëkohësisht duke u futur në fondin e artë të kulturës kombëtare. Humbja e “autorësisë” dhe shkrirja e e krijimit në ndërgjegjen e popullit do të qe ëndrra e çdo krijuesi. Andrea Gudha e ka realizuar përfindimisht ëndrrën e tij.

 

 

—————————————————————-

Violeta Kutra Gudha, Mars 2000                                                                                                                    

Njeriu njerëzve dhe gjërave që rëndojnë dhimbsurisht brënda tij, shpesh priret t’ju japë edhe simbolikisht peshën e të qënit i dhuntishëm. Përmes gjestesh të veçanta, veçanërisht, kur njeriu i këtij rasti është artist, ndodh fenomeni i shkëmbimit të marrëdhënies intime me simbolikën e vlefshme edhe për publikun. Këtë deduksion personal do ta rindjeja të verifikuar fill pas njohjes së parë me Andrean. Pas kësaj dhe hyrjes së parë në shtëpi, me të mësova se të dy prindërit e tij ishin “artistë”

E mëvonshmja jetë, më shtoi provën e mbetjes së tij një artist që e përditshmja e shtyu për ta larguar nga pasioni i ndezur i rinisë, por ai ju rikthye vazhdimisht me stoicizëm fisnik për të përbushur detyrimin estetik ndaj krijimit. Pa e braktisur, qoftë edhe një çast të vetëm modestinë e sukseshme, pa humbur frymën e mëkuar nga mjedisi përrallor i “Qytetit të gurtë”, Andrea konvertoi në ciklin e këngëve të tij gjithë ndjesinë për tingujt dhe meloditë e trevës së pasur. Me shtysën e vrullshme të melodive popullore, veçanërisht, pas viteve ’60 të grupit të pleqve te Gjirokastrës, orkestrinës Mastora, të trios vlonjate, meloditë e këngët përmetare e veçanërisht Festivalet Folklorike Kombëtare, ai pati përherë nxitjen e krijimtarisë. Kësaj atmosfere iu shtua edhe kontakti me violinistin virtuoz Polo Xhori i kthyer nga SH.B.A-ja në vitin 1963.

Andrea 12-vjeçar kishte gjetur mundësinë e pastër të një pasioni të fisme duke marrë mësimet e para në violinë në Pallatin e Pionerit të qytetit. Mjeshtri Xhori dhe adoleshenti i talentuar shënonin kështu ngjitjen e një dueti të sukseshëm në jetën koncertore të qytetit dhe në kalendarin artistik të trupave profesioniste të tij. Në këtë jetë aktive violina e Andreas, tashmë gjimnazist, kumbonte e ëmbël dhe ai përfitoi  një përvojë të pasur  nga bashkë-këndimi me artistë dhe instrumentistë të tjerë të formuar si: T. Njocko, J. Roze, S. Mamani, N. Kasoruho etj.

Formacionet orkestrale të qytetit nën drejtimin e muzikantit e dirigjentit të talentuar Gjon Simoni, që la gjurmë  në veprimtarinë  muzikore të Gjirokastrës dhe më pas drejtimi i tyre nga dirigjenti i talentuat R. Çene bënë të mundur  që, së bashku me ta edhe Andrea, të formohej si muzikant e të ecte në rrugën e muzikës.

Me këtë pasion rinor dhe vrull artistik Andrea hyri  më pas në rrugën e vështirë të mjekësisë, ku si në mjaft raste emrash publik, mbetet “i dashur, i kujdesshëm” për të dy pasionet: Dhurues e Sugjestionues.

Në fushën e muzikës si një ndërmarrje e përhershme e jetës dhe e punës së tij, duke e kryer atë si një detyrë spontane e komplementare, veçanërisht gjatë viteve studentore ku ai eksperimentoi me sukses në fushën e kompozimit duke sjellë herë pas here  këngë të veçanta. Në këto këngë spikat sidomos cikli i këngës qytetare e trevës jugore, të cilat i shtonin në tërësi këngës së lehtë shqiptare nuanca dhe kolorit të veçantë. Është kjo arsyeja që në vitet studentore, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me mikun e tij më të ngushtë K.Gjini, me të cilin njihej që në fëmijëri, dhe me artistë të tjerë të njohur si: A. Lalo, A. Peçi, J. Minga, Xh. Ujkani, B. Lapi, E.Shëngjergji, Osman Mula, Françesk Radi etj. i krijuan atij mjedisin e ngrohtë  krijues.

Në vitin e 25-të të jetës së tij, Andrea rikthehet si mjek në Gjirokastër mbas studimeve të tij Universitare mjekësore.

Së pari, këtu ai merr kontakt me mjekun e njohur V.Jorgji, i cili veçohej për formimin e tij intelektual dhe sqimën e lartë qytetare.

Në emërtesë të mjekut pediatër, Andrea në të vërtetë do të kishte mundësinë të reflektonte pas pune një dashuri dhe mirësi njerëzore, e cila natyrshëm konvertohej në një proçes krijues të heshtur.Kjo na binte shpesh në sy e ne kishim gëzim të shijonim të parët në familje frytet e frymëzimit.

Në këtë kohë nisen të bëheshin të preferuara për artëdashësit këngët “Gëzimi i Çobanit”, “Uromë baba uromë”, “Ylli i Odries” apo cikli i këngëve për fëmijë me tekste të poetit  të nderuar për antologjinë e letërsisë shqipe për fëmijë Tasim Gjokutaj.

Në vitet e mëvonshme do të shtoheshin këngët me tekste të poetëve Agim Shehu, Arben Duka, Petro Çerkezi, të cilët përbëjnë njëherësh, edhe pjesën më të dallueshme të repertorit të këngëtarëve më në zë të këngës qytetare dhe asaj të lehtë në qytetin e Gjirokastës si: P.Lulo, E. Llambro, H. Xhemali, në frymën e pasosur të këtij pasioni, por më së shumti nën shtysën e aftësive të patretura për të mbetur përherë me muzikën, Andrea mbërriti deri në përmbledhjen e Albumit muzikor “Kolazh Nostalgjie nëpër vite”.

Sot, në këtë përmbledhje që mund të quhet dhuratë intime për gjithkënd, Andrea me të vërtetë, gjen rastin të shtojë diçka më të posaçme edhe për mua, Sarinën e Arianitin. Si jo pak herë të tjera, profili i tij ka pasur ëmbëlsinë e njeriut që dhuron mirësinë në formën e këngës. Kjo natyrisht, që s’është e paktë për ne, por edhe ne kemi kënaqësinë për të shijuar këtë pjesë tonën intime, të përcjellë në mënyrë kaq qytetare në hapësirën kulturore të vendit.

Andrea, vazhdimisht mbetet dhurues. Së paku, këtë dhunti në rastin e këtij botimi dhe albumi të këtyre këngëve të tij, ai nuk e lidh me sindromin që të ngjit profesioni i mjekut, por me virtutin që rrjedh nga geni i tij njerëzor.

 

Please follow and like us: