Albspirit

Media/News/Publishing

Apeli i Sidrit Bejlerit pas vrasjes së 22 vjeçarit për karikuesin e telefonit

Ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë 22-vjeçari Marvi Mihali shkaktoi një reagim të gjerë në rrjetet sociale e në çdo ambient, nga emra të njohur dhe jo vetëm. Një nga njerëzit që ka reaguar për ngjarjen shokuese ku humbi jetën i riu, është edhe këngëtari shumë i dashur për publikun Sidrit Bejleri. Sidriti u bën thirrje prindërve që të kontrollojnë fëmijët për muzikën që dëgjojnë e nga e cila formohen, pasi u serviret, sipas tij, muzikë me tekste bastarde nga njerëz që s’dinë të shkruajnë as emrin e tyre. Bejleri thotë se kjo muzikë po shkatërron brezin e sotëm, por jo vetëm.

Reagimi i plotë

Nuk është hera e pare që e them:

Ju lutem prindër, kontrolloni fëmijët çfarë shohin dhe çfarë dëgjojnë, sepse këtu zë fill brumosja e tyre dhe ajo çfarë do bëjnë në të ardhmen. Po ju serviret “muzikë” që nuk është muzikë, nga njerëz që i thonë vetes “artistë”.

Tekste bastarde që i “shkruajnë” tipa që dyshoj në dinë të shkruajnë edhe emrin e tyre. Kuptojeni një herë e mirë që ata duan të shesin “muzikën” dhe “tekstet” e tyre, por po shkatërrojnë brezin e sotëm dhe jo vetëm. Fëmijë dhe adoleshentë që këndojnë me shpirt llumin që përçohet nga tregtarë të shpifur që në thelbin e ditës së tyre kanë vetëm paranë, duke harruar se kanë fëmijë vete ose do kenë një ditë.

Po na krijojnë modë dhunën, po na i thurin lavde drogës, prostitutave dhe lakuriqësisë. Po mundohen të na mbushin mendjen se e keqja është e mirë, se alkoli dhe droga të burrërojnë, se imoraliteti duhet të jetë kult i ditëve tona duke harruar që familja është e shenjtë dhe një ditë nuk do donin as ata që t’u cënohej.

Sot gjykoj si prind, por edhe si një person që para pothuaj 20 vitesh isha në moshën e atij djali që mbrëmë ndërroi jetë nga një zënkë banale…

Nuk do i uroja askujt të ishte në vendin e familjes së viktimës ose të vrasësit!

Kontrollojini që në fëmijëri!

Muzika është profesioni im dhe ndikon shumë, më besoni. Mesazhi i saj kthehet në mënyrë të jetuari dersa njeriu fillon dhe kupton realisht,pra piqet!

Të gjithë duam më të mirën për fëmijët tanë. Gjërat e mëdha bëhen duke filluar nga të voglat!

Drejtojini tek e Vërteta, larg gënjeshtrave të përditshme që gjenerojnë vetëm urrejtje dhe shkatërrim të vlerave!

Helmimit të trupit edhe mund t’ja gjejmë ilaçin, por helmimi i shpirtit vetëm në një vend e ka shërimin… Me dashamirësi.

 

Please follow and like us: