Albspirit

Media/News/Publishing

Armand BORA: Turizmi shqiptar, në një udhë pa tabela

Turizmi është ndoshta industria e vetme e cila ndikon ndjeshëm në interesat e pjesës më të madhe të popullsisë. E vlerësuar si një nga potencialet kryesore të ekonomisë shqiptare, turizmi është një nga kontribuesit kryesor në buxhetin e shtetit nga i cili burojnë të gjitha investimet publike në interes të qytetarëve. Nga ana tjetër turizmi dhe cilësitë e tij të shërbimit prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e gati çdo qytetari pasi pjesa më e madhe e popullatës planifikon në një periudhë të vitit pushime dhe përpiqet që të marrë prej tyre maksimumin e përfitimit.

E vendosur gjeografikisht në një zonë me konkurencë të egër të tregut turistik, Shqipëria ka përfituar rregullisht pjesën më të vogël të këtij tregu i cili çdo vit vjen duke u rritur dhe zhvilluar. Ndërkohë që ekonomitë turistike në rajon kanë njohur rritje, si në rastin e Turqisë me tregun lindor apo edhe tkurrje të përkohëshme si në rastin e Greqisë pas problemeve të saj ekonomike, Shqipëria vazhdon të mbetet modeste kryesisht, një destinacion për atë që rëndom njihet si “turizmi patriotik” i shqiptarëve të Kosovës.

Natyrshëm shtrohet pyetja çfarë e bën turizmin shqiptar të jetë prej vitesh në një situatë të tillë?

Investimet publike dhe ato private nuk kanë munguar, madje nga viti në vit kanë ardhur duke u rritur, si ato në rrugë dhe infrastrukturë po ashtu ato private me njësi akomoduese cilësore dhe moderne.

Reklama dhe promovimi i Shqipërisë si destinacion turistik, gjithashtu, nga viti në vit ka marrë hapësirë më të madhe. Marka e turizmit shqiptar prej vitesh është pjesë jo vetëm e panaireve të rëndësishëm si ai i Londrës dhe Berlinit, por tashmë është pjesë edhe e panairit në Kopenhagen, Tel-Aviv apo edhe në Budapest. Vetëm gjatë këtij sezoni veror Shqipëria ka qenë objekt i reportazhe promovuese në dy televizione të rëndësishme europiane si Franc24 dhe RAI3.

Masterplane dhe strategji zhvillimi nuk kanë munguar, të konceptuara dhe shkruara këto me asistencën e organizatave dhe profesionistëve të huaj.

Atëhere ku mbetet problemi? Përse për vite me rradhë piku i sezonit veror bëhet edhe piku i krtikave dhe shfryrjeve ndaj asaj që ofron turizmi shqiptar? Dyshimi mblidhet dhe ngec mbi pyetjen: A mos po ndjek turizmi shqiptar një rrugë të gabuar zhvillimi?

Gati dhjetë vite më parë kur Turqia ishte në rrugë e saj drejt bumit turistik, më ndodhi të shoqëroj në një vizitë pune në Shqipëri një drejtues të ministrisë turke të turizmit. Kurioz për strategjinë dhe investimet e shtetit turk në turizëm nuk rreshtja së pyeturi mbi mënyrën se si  Turqia kishte mundur vetëm për pak kohë të kthehej në një magnet thithës në tregun turistik. Prisja që miku turk të fliste me krenari për atë që në gjuhën e profesionistëve të turizmit quhet turizmi i tre S-ve, (sun, sand and sea) turizmi i diellit, rërës dhe detit, por në renditjen e të ardhurave nga turizmi ky lloj aktiviteti në Turqi zinte vendin e tretë. Vendin e parë e zinte turizmi i kongreseve pasi Turqia ishte kthyer në një nga vendet më atraktive për organizimin e kongreseve, seminareve dhe takimeve të ndryshme ndërkombëtare. Vendin e dytë e zinte turizmi elitar i golfit dhe në vendin e tretë ishte turizmi për të cilin gabimisht mendoja se ishte edhe krenaria e turizmit turk.

Duket se edhe turizmi shqiptar po përpiqet të imitojë modelin turk të tre S-ve duke i nxitur investitorët e ndryshëm shqiptarë që të investojnë drejt resorteve turistike në bregdet.  Investimi në hotele, resorte dhe plazhe luksoze në mungesë të stafit me profesionistë, në mungesë të një kulture shërbimi dhe të një ndjenje miqësore nga komuniteti i banorëve rreth këtyre “oazeve” turistike, prodhon këtë revoltë të drejtë qytetare të cilën po e ndjekim të shpërthejë këto ditë të nxehta gushti në rrjete sociale dhe media të ndryshme.

Nxitimi dhe gara për investim në modele të tilla, në një kohë kur mungojnë një sërë elementësh të tjerë të natyrës manaxheriale dhe kulturore, do t’i konsideroja të nxituara për ambiciet që duhet të ketë turizmi shqiptar. Ndërkohë është zbehur kujdesi dhe vëmendja ndaj asaj që përbën traditën e mirë dhe pozitive në hisorinë e turizmit shqiptar: turizmi familjar.

Rikthimi te tradita e turizmit familjar besoj se mund të jetë zgjidhja më e mirë për një numër të madh problemesh që mbeten të zbuluara për industrinë e turizmit shqiptar. Turizmi familjar është një model i lënë pas dore edhe në rajon, duke përjashtuar këtu disi Greqinë e cila i ruan strukturat e vogla hotelerike dhe kjo do ta bënte më interesante ofertën shqiptare të turizmit. Ky lloj turizmi garanton një shërbim më cilësor për vetë numrin e vogël të turistëve që mban një njësi akomoduese e turizmit familjar. Nga ky lloj aktiviteti do të krijohet eksperienca për punonjësit e ardhshëm të strukurave të mëdha hotelerike. Ky model ndërgjegjëson më shpejt komunitetin e banorëve në zonat turistike për rëndësinë që ka turisti në ekonominë e vendit të tij, si edhe ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave të tyre familjare. Ky model turizmi është lehtësisht i kooperueshëm me ofertën kulturore duke i bërë ditët e pushuesve më të bukura dhe cilësore.

Duket se edhe për shumë kohë zgjidhja më e mirë për turizmin shqiptar do të jetë një ofertë ndërmjet turizmit kulturor, historik dhe atij të detit, rërës dhe diellit.  A do jetë kjo një zgjidhje që do përmirësojë ofertën tone turistike? Kjo mbetet për t’u parë.

Industria e turizmit në Shqipëri ka nevojë për shenja dhe tabelave udhëzuese të sakta. Ka nevojë që gjithkush ta konsideroj atë si ekonominë kombëtare e cila ndikon në xhepin e çdo qytetari shqiptar.

Please follow and like us: