Ish-shtetet komuniste dhe informatorët, rasti i Shqipërisë me 111 spiunët e fundit të Sigurimit

Gabriel Partosh

 

Udhëheqësi i Aleancës së Majtë Demokratike që ka pushtetin në Poloni, Jozef Oleksy, ka mohuar botimin e një liste të bashkëpunëtorëve të shërbimit të fshehtë në periudhën e komunizmit. Zoti Oleksy, i cili vitin e kaluar dha dorëheqjen si kryetar i Parlamentit, pasi një gjykatë vërtetoi se ai vetë kishte bashkëpunuar me policinë sekrete, la të kuptohet se një listë me 240 mijë emra ishte bërë publike për motive politike.

Por cfarë problemi ka botimi i listave të tilla, në përpjekje për të zbuluar se kush kane qenë informatorë të autoriteteve komuniste?

Menjëherë pas shembjes së regjimeve komuniste në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, filluan përpjekjet për të vlerësuar trashëgiminë e asaj periudhe, të cilat përfshinë edhe thirrjet për hapjen e arkivave të shërbimeve të fshehta. Këto thirrje ishin më të forta në vendet ku të ashtuquajturat organet e sigurimit të shtetit kishin qenë të ashpra në qëndrimin e tyre. Stasi në Gjermanine Lindore, STB-ja e Çekosllovakisë, Securitate e Rumanisë dhe Sigurimi i Shtetit në Shqipëri ishin, ndoshta, organizatat më famëkeqe.

Por secili nga vendet e këtij rajoni kishte shërbimin e vetë të fshehtë, të ngritur mbi modelin e KGB-së sovjetike. Me kalimin e viteve, kërkesa për hapjen e arkivave ka marrë dy forma kryesore. Njëra nga këto forma ishin që individët të kishin mundësi të shihnin dosjet e tyre personale – për të parë se cfarë raportesh kishin përgatitur agjentët e shërbimit të fshehtë për ta.

Forma e dytë lidhet me përpjekjet për të zbuluar se kush ka bashkëpunuar me policinë sekrete, pjesërisht si formë e ndëshkimit të bashkëpunëtorëve duke iu bërë emrat publikë dhe pjesërisht si mënyrë e identifikimit të tyre për t’i dënuar me ndëshkime të ndryshme.

Cekosllovakia ishte e para me politikën e përjashtimit nga poste publike për një periudhë kohe të atyre që kishin qenë figura të larta në nomenklaturën komuniste apo që kishin bashkëpunuar me policinë sekrete.

Hungaria ndoqi një politikë më të butë, ndoshta sepse qeverisja komuniste në fazën e fundit të saj kishte qenë më pak e ashpër se në Cekosllovaki. Edhe Polonia ka ndjekur një politikë përgjithësisht elastike. Bashkëpunimi me ish-policinë sekrete në Poloni nuk është pengesë për të marrë një post publik, por nëse dikush ka gënjyer për të kaluarën e tij shkarkohet nga posti.

Pra botimi i paautorizuar në internet i një liste me emrat e atyre që thuhet se kanë qenë bashkëpunëtorë të policisë sekrete ka shkaktuar shumë zhurmë, aq më tepër që kjo ndodh përpara zgjedhjeve që do të mbahen në vjeshte. Lista ishte kopjuar nga arkivat e Institutit Përkujtimor Kombëtar nga një gazetar, i cili më pas dha dorëheqjen. Zoti Oleksy, i cili udhëheq pasardhësen e Partisë Komuniste, Aleancën e majtë demokratike, thotë se botimi i kësaj liste ka motive politike. “Cdo gjë që po ndodh në lidhje me këtë rast shërben si një provë më shumë e humbjes së edukatës dhe sjelljes në publik në shoqërinë polake.

Ky institut u krijua për të shërbyer si vend ku depozitoheshin aspekte të kujtesës historike, për qëllime hulumtuese dhe për ruajtjen e kësaj kujtese dhe jo për motive politike. Askush prej atyre me të cilët unë kam folur gjatë ditëve të fundit, nuk besojnë se gazetari u fut në arkivat e institutit dhe kopjoi 240 mijë emra. Prandaj vetë instituti ka përgjegjësi”, tha Oleksy.

Ai vetë ka apeluar ndaj një vendimi të gjykatës së ngritur për verifikimin e figurave në dhjetor që e shpalli atë bashkëpunëtor të policisë sekrete, duke e detyruar që të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit të Parlamentit.

Ndërkohë në Hungari në vitin 2002, kryeministri socialist i kohës, Peter Medgjeshi, u akuzua nga kundërshtarët politikë si agjenti me numër D-209 në periudhën e komunizmit.

Zoti Medgjeshi arriti t’i mënjanojë akuzat me argumentin se si zyrtar përgjegjës për financat, ai kishte punuar me shërbimin hungarez të kundërzbulimit për të siguruar që anëtarësimi i Hungarisë në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk do të pengohej nga ndërhyrja sovjetike.

Më parë ish-ministrit të jashtëm cek, Jan Kavan, iu deshën disa vjet për të pastruar emrin e tij pas akuzave se një takim i tij me oficerë cekë të sigurimit kur ai ishte i mërguar në Londër në vitet 70-te ishte provë e bashkëpunimit me policinë sekrete.

Lista e botuar së fundi në internet nuk është shume e qartë pasi nuk sqaron se cilët ishin bashkëpunëtorët, cilët nuk pranuan të ishin të tillë megjithëse iu kërkua dhe cilët ishin thjesht në shënjestër për t’u bërë bashkëpunëtorë. Kësisoj, ajo ndryshon nga listat zyrtare që u botuan në internet në Republikën Ceke dhe në Sllovaki.

Por edhe vetë dosjet kanë pasur të metat e tyre. Organet e policisë sekrete kanë qenë shumë të korruptuara. Oficerët e këtij shërbimi shpesh merrnin shtesë në rrogë për numrin e agjentëve të rekrutuar. Megjithëse kanë kaluar 17 vjet nga përmbysja e regjimeve komuniste, dosjet përdoren shpesh dhe ndonjëherë edhe manipulohen për motive politike.

 

Autori është analist i BBC-së për Europën Juglindore

 

 

P.S.: 111 pseudonimet e përmendura në 27 vite në Shqipëri

1.  Medicina; 2.  Penicilina; 3.  Qukapiku; 4.  Inxhinieri; 5.  Çiftelia; 6.  Çorapja; 7.  Qepa; 8.  Kodrina; 9.  Dizenjatorja; 10. Financieri; 11. Drita; 12. Stilografi; 13. I Vogli; 14. Alfons Ballshi; 15. Raketa; 16. Profesori; 17. Shkrimtari; 18. Dragoi; 19. Cigarja; 20. Livadhi; 21. Dëbora e re; 22. Furtuna; 23. Luftëtari; 24. Snajperi; 25. Proletari; 26. Intelektuali; 27. Sqepi; 28. Doku; 29. Bozhuri; 30. Plepi; 31. Parafabrikati; 32. Kitara; 33. Ushtari; 34. Gjeli; 35. Grepi; 36. Shishja e qumështit; 37. Serbi; 38. Çiklisti; 39. Fryma; 40. Vesa; 41. Greku; 42. Malësori; 43. Tigri; 44. Vinçi; 45. Sapuni; 46. Diplomati; 47. Poeti; 48. Urithi; 49. Pëllumbi; 50. Stuhia; 51. Kastori; 52. Ekspertja; 53. Oxhaku; 54. Bredhi; 55. Iriqi; 56. Komshiu; 57. Osumi; 58. Komandanti; 59. Vigjilenti; 60. Trimi; 61. Kalaja; 62. Fshatari; 63. Rruga; 64. Magazinieri; 65. Nata; 66. Dallga; 67. Kominoshja; 68. Dallga; 69. Piktori; 70. Xhuxhi; 71. Trëndafili; 72. Masoviku; 73. Shkrepësja; 74. Llulla; 75. Fyelli; 76. Arkitekti; 77. Aktori; 78. Torno; 79. Kaçavida; 80. Shkodrani; 81. Kosovari; 82. Kapteri; 83. Agronomi; 84. Zootekniku; 85. Memeci; 86. Koromania; 87. Doktori; 88. Qershia; 89. Daja; 90. Fryti; 91. Demoni; 92. Berthama; 93. Kali Shalës; 94. Poli Veriut; 95. Bjeshka; 96. Sandalja; 97. Lisi; 98. Fonogrami; 99. Kronometri; 100. Valltarja; 101. Dirigjenti; 102. Pashtriku; 103. Doku; 104. Vesa; 105. Snajperi; 106. Sykuqi; 107. Përparësja; 108. Pela Egër; 109. Bjeshka; 110. Giza; 111. Holta