Çerçiz Loloçi: Hapja e dosjeve do ta bëjë më të lirë shoqërinë shqiptare

 

 

Përgjigje Demalisë dhe të paqartëve të tjerë për dosjet e komunizmit

 

Fillimisht të ftoj të qetësohesh dhe ta shikosh më me pozitivitet këtë hapjen e dosjeve të komunizmit, gjë që personalisht e kam bërë që pas vitit nëntëdhjetë dhe do ta bëj derisa të kem frymë. (Madje teksa punoja në një të përditshme shqiptare, të kam përshëndetur edhe ty për librin modest “Guri i fundit i dominosë”, ngjashëm edhe për mjaft publikime që hedhin dritë për një epokë të trandosur nga krimi). Ju keni zgjedhur të jetoni jashtë vendit, ndërsa unë këtu brenda, duke ushtruar profesionin tim të gazetarit e publicistit, por herë pas here edhe të botoj ndonjë libër.

Teksa po zhvillojmë së bashku këtë debat (nga ana juaj me shumë mllef, çka tregon deri diku se nuk je fort i lirë) ka një lajm pozitiv nga Bashkimi Europian që, nëpërmjet një deklarate zyrtare, barazon terrorin nazist me atë komunist, çka lë shpresë se edhe në këtë vend mund të bëhet diçka për t’u afruar me vendet e familjes euroatlantike. “Dita europiane e përkujtimit për viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare përfaqëson vlerat e përbashkëta të Europës dhe shteteve anëtare të saj”, ka shkruar në Twitter nënkryetari i Komisionit Evropian, Frans Timmermans duke i vënë kapak diskutimit të hapur nga qeveria greke, e cila kontestoi shenjën e barazisë mes nazizmit dhe komunizmit. Timmermans shtoi se KE duhet të miratojë plotësisht temën e konferencës së presidencës së Estonisë. “Bashkëpunimi evropian, patriotizmi dhe vlerat tona na bëjnë të jemi ku ndodhemi. Le të hedhim poshtë nacionalizmin ekstrem që na dobëson të gjithëve. Kjo është BE, e themeluar mbi vlerat e respektit dhe dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë”, theksoi Timmermans.

Nuk është e nevojshme të krahasohen apo barazohen regjimet e ndryshme totalitare. Ne vetëm duhet të shohim rezultatet e aktivitetit të tyre. Të dy tekstet, ‘The Mein Kampf’ i Hitlerit dhe doktrina e Karl Marksit përfshijnë idenë e përdorimit të terrorit, në mënyrë që  diktaturat të mbeten në pushtet. Komunistët janë në qeveri në Greqi, por nuk ka shumë qeveri të tilla. Nëse do të kishte më shumë, ata do të mendonin ndryshe. Prandaj shpresoj që t’i përgjigjeni me vendosmëri”, tha Lindblad, ministri estonez.

Me përjashtim të rreth një viti që kam punuar në një revistë “Monumentet”, pjesa e tjetër e jetës më ka shkuar në gazetari dhe ndoshta puna më e shpeshtë që kam bërë ka qenë ajo e zbulimit dhe publikimit të dosjeve, sidomos të atyre që kanë brenda ende të fshehur krimin shtetëror, përfshi edhe proces-verbale të organizatave bazë të partisë.

Duke jetuar në Shqipëria di pak më mirë se kushdo tjetër se si është vepruar me dosjet, si u është bërë edhe shantazh shpesh herë nga politika, si ka pasur ligje dhe akte nënligjore që e ndalonin publikimin e tyre e megjithatë unë e kam bërë duke iu referuar një ligji universal që për gazetarin s’ka sekrete dhe janë të tjera struktura që duhen të merren me sigurimin e tyre.

Shpifësit, spiunët, pëshpëritësit që s’pranojnë asnjëherë të ballafaqohen me njerëzit që akuzojnë në hava s’më kanë pëlqyer asnjëherë dhe ndërsa këto lloj tipash stimuloheshin në diktaturë, janë të dënueshme në demokraci. Unë natyrisht e di që ti ke vuajtur edhe personalisht, por dhimbja jote asnjëherë nuk të jep të drejtën të akumulosh urrejtje dhe të kthehesh në shpifës të rëndomtë.

Tani të vimë te dosjet

Klasa politike shqiptare, e majtë apo e djathtë qoftë në këto 27 vjet, nuk ka pasur vullnetin për t’i hapur ato. Por kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. (Shiko më shumë në linkun vijues: http://alb-spirit.com/2017/08/21/ish-shtetet-komuniste-dhe-informatoret-rasti-i-shqiperise-me-111-spiunet-e-fundit-te-sigurimit/). Sipas një mendimi të përgjithshëm të institucioneve serioze perëndimore, Sigurimi i Shtetit radhitet ndër organet më represive, përkrah STAS-it në ish-Gjermaninë Lindore, Securitates në Rumani dhe KGB-së në ish-Bashkimin Sovjetik. Mendoj se dosjet e para duhen hapur për këtë institucion, madje të ngrihen edhe gjykata të veçanta që të hetojnë këtë lloj krimi. Nuk ka rëndësi nëse janë gjallë apo vdekur njerëzit që kanë qenë protagonistë, rëndësi ka në një shoqëri të lirë që këto krime të gjykohen dhe përgjegjësit të shkojnë para ligjit.

Me përjashtim të Çekisë që përjashtoi nga postet publike personat që kishin lidhje me emërtesën komuniste dhe policinë e fshehtë dhe të disa dorëheqjeve të niveleve të larta në dy vende të tjera, krejt pjesa tjetër e gjysmë botës komuniste është pak a shumë si Shqipëria.

Personalisht përveç interesit publik dhe që shoqëria të bëhet më e mirë, më e arsyeshme ka apo s’ka vullnet politik, kam publikuar dhe do publikoj dosje të krimit shtetëror dhe për këtë mendoj që të kalojnë në sitë të gjitha Komitetet Ekzekutive, të gjitha komitetet e partisë, të gjitha strukturat e levave të PPSH, degët e Punëve të Brendshme, kryetarët dhe byrotë e partive të kooperativave e NB-ve, të ndërmarrjeve, pra gjithçka nga emërtesa e diktaturës.

Nuk jam kurrsesi për dënime kolektive, por mendoj se nuk duhet falur askush që i dokumentohet marrja e jetëve të pafajshme njerëzore, kushdoqoftë, i kujtdo besimi, i cilësdo strukture. Besoj se atëhere do të ndjehemi më të lirë dhe do të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë.

Në shkrimin e mëparshëm kam cituar një shprehje të ish-kryeministrit anglez që këshillonte të mos godisje me gur çdo qen që të del përpara se nuk shkon asnjëherë në destinacionin e duhur, por halli është kur të dalin dy-apo tre qen së bashku që bëjnë të njëjtën gjë? Po ashtu Gustav lë Bon nënvizon se “turmat nuk kanë qenë kurrë të etura për të vërtetën: kush i ushqen me iluzione bëhet idhull dhe kush ua shkatërron kthehen në viktimat e tyre”.

Ndërkaq, meqënëse e kam të preferuar Kadarenë do risjell një shprehje të tij kur thotë se “durimi i njeriut mbaron atëhere kur e kupton se injoranca e tjetrit nuk ka fund asnjëherë”.

Personalisht nuk do pranoja të bëja një rol qytetar, nëse vetë unë, pjestarë të tjerë të familjes sime do të gjendeshin qoftë edhe në një rast duke ‘i futur një gjëmb në këmbë një qënie tjetër njerëzore’ dhe nga ana tjetër përbuz çdo sharlatan që është i zhytur deri në fyt me zullume e dëshiron të bëjë kalorësin e figurës publike.

 

Shkrimin e dytë të Ilir Demalisë e gjeni në këtë link: http://shuplaka.com/demaliaj-vazhdon-polemiken-me-dervishin-dhe-lolocin-mesohuni-me-lirine-shqiptaret-peng-i-dosjeve-hapini/