Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: E nesërmja e shkollës sonë: e trishtë

 

Vetëm maturantët me nivel cilësor mjaft të ulët po shkojnë të studjojnë për mësuesi. Dorëzimi i shkollës në duart e këtyre “mësuesve” është katastrofa e afërt e arsimit në Shqipëri.

 

Nëse do t’u hedhim një sy statistikave se ku kanë aplikuar maturantët tanë për studimet e larta do të shohim se maturantët cilësorë kanë zgjedhur degët e mjekësisë, inxhinjeritë, IT dhe duke u ulur më poshtë ekonomikun dhe drejtësinë. Ndërsa kur cilësia e notës është poshtë 7 deri te nota gjashtë,  që është kufiri i fundit për të shkuar në universitet,  vëren se nga ky kontigjent maturantësh kërkohen degët e mësuesisë. Dhe nëse  shohim edhe tej tolerancës së mësuesit të gjimnazit dhe monitorimit të maturës shtetërore,  ku shtatat mund të jenë pesa dhe gjashtat katra, atëherë merret me mend se mësuesit e ardhshëm “formohen” nga studentë mjaft të dobët, që gabimisht janë të ulur në aulat e universitetit, kur mund të ndiheshin më mirë në shpatet e kodrave duke punuar tokën, apo duke u kujdesur për blegtorinë, a  në një shkollë profesionale ku mund të merrnin ndonjë profesion, ku do të gjendeshin në vendin e duhur. Janë mjaft të rralla rastet kur një nxënës me mesatare mbi 8 zgjedh mësuesinë si degë të preferuar.

Për këtë dukuri askush deri më sot nuk e ka vrarë mendjen. Edhe shteti, edhe institucionet kanë jetuar dhe jetojnë vetëm në kohën e tashme.  E ardhmja e shkollës sonë është e errët dhe kjo ka nisur të preket edhe në ditët tona. Sot është gati e pamundur të gjesh një mësues matematike, ndër dhjetra, qindra të diplomuar në universitetet tona. Po kështu e njëjta vështirësi ndeshet edhe për të gjetur një mësues letërsie, fizike, kimie, anglishteje, historie etj.  Masa gri e të “diplomuarëve” për mësuesi është aq e madhe, saqë është e pamundur të dallosh edhe ndonjë mësues të vërtetë në atë turmë. Po si qendrojnë ende në këmbë shkollat tona?!

Aktualisht ende nuk kanë dalë në pension tërësisht mësuesit që kanë mbaruar shkollat e larta para viteve  ’90. Para këtyre viteve  mësuesia ishte degë mjaft e preferuar dhe në universitet shkonin maturantët më të mirë, ata me mesatare 9 e 10. Sot në shkollat tona i gjen ende këta mësues të vërtetë, të cilët mbajnë mbi supe peshën e shkollave ku punojnë, por dorë pas dore ata po dalin në pension dhe “katedrat” do të bien në dorë të “mësuesve”, të cilët,  të vetmen shenjë që i dallon nga të tjerët,  kanë një copë letër që nuk tregon të vërtetën.

Nëse do të hedhim një sy në shkollat tona mësuesit e diplomuar para viteve’90 sot përbëjnë rreth 30% të stafeve, por që realisht mbajnë peshën e shkollave. Të tjerët, me pak përjashtime,  janë “të diplomuarit” që në formimin shkencor e profesional janë tepër inferiorë  nga shumica e nxënësve ku japin mësim. Përfytyroni se si këta “mësues” do të ndërtojnë orë moderne mësimore, të realizojnë formimin akademik dhe njerëzor të nxënësve të tyre, ndërkohë që në tabelë shkruajnë me gabime të tmerrshme  drejtshkrimore, flasin një gjuhë të mjerë, që i bën nxënësit për të qeshur. Këta “mësues” kur i shtojnë “diplomës” edhe një teserë partie, atëherë përfundojnë si drejtues të shkollës, siç ka ndodhur e ndodh rëndom.

Të flasësh sot për reforma në arsim, kur pak e nga pak shkollat po ngelën pa mësues, duket qesharake. I reformove kurrikulat, po kush do t’i zbatojë ato? I reformove tekstet, po kush do t’i interpretojë ato? I informatizove klasat, po kush do ta përdorë teknologjinë e informacionit,  kur në kokën e mësuesit mungon edhe informacioni  fillestar shkencor për lëndën që mëton të trajtojë me nxënësit? I ndërtove shkollat, po kush do të japë mësim në to?

Shkollës ia japin fytyrën mësuesit e saj. Brenda reklamës së një shkolle jopublike ku thuhej: “Ejani te shkolla   x  se aty do të gjeni mësues”, ka një të vërtetë të madhe. Sot është e vështirë të gjesh një shkollë ku të gjithë mësuesit e saj të jenë vërtetë mësues.

Shkolla jonë sot gjendet para një gremine të madhe, që nuk është krizë e kurrikulës, nuk është krizë e infrastrukturës, nuk është krizë  e komunikacionit, por është kriza e mësuesit. Në një shkrim të para shumë viteve, kur rrogat e mësuesit ishin qesharake, kam shkruar se e ardhmja e vendit është në dorë të njerëzve më të varfër të këtij vendi, mësuesve, ndërsa sot gjërat janë ku e ku më keq:  e ardhmja e këtij vendi ka rënë në dorë të injorantëve. Dhe merret me mend se një mësues i mirë ka në dorë të shumëfishojë veten e tij të mirë  gjatë një viti në dyqind e ca nxënës, ndërsa një një “mësues” i paditur do të shumëfishojë veten e tij në këto përmasa.

Thuhet se Fan Noli, kur qe kryeministër  i Shqipërisë,  vizitoi një shkollë pranë Tiranës. Aty priti sa erdhi “mësuesi” dhe u fut të dëgjonte një orë mësimi. “Mësuesi” nisi t’u fliste nxënësve për  qentë e fortë të katundit, për ujqërit që vinin rreth fshatit. Kështu kaloi ora e mësimit. Në fund të orës Noli e pyeti: “Po gramatikë e aritmetikë kur do t’u bësh fëmijëve?!” “Mësuesi” iu përgjigj se nuk dinte as gramatikë e as aritmetikë, sepse ai nuk kishte bërë shkollë. Noli i tha se  kishte takuar kryetar bashkie pa shkollë, komandant ushtrie, madje edhe  ministër arsimi pa shkollë, por mësues pa shkollë herë e parë që takonte. “Mësuesi”,  që takoi dikur Fan Noli,  tashmë gjendet rëndom  në shkollat tona.

Po si duhet të dilet nga kjo mjegull,  që ende nuk  është bërë errësirë? Nuk duhet të bëjmë shpikje. Mjafton përvoja e vendeve të Europës perëndimore. Në Finlandë rroga më e lartë është rroga e mësuesit të ciklit të ulët dhe e mësuesve të lëndëve të tjera në piramidën e pagave. Universiteti që formon mësues është universitet shtetëror dhe pranimi bëhet me konkurs, ku kërkohet një mesatare tepër e lartë dhe fituesit përbëjnë vetëm 15% të konkuruesve. Natyrisht për të diplomuarit vendi i punës është i sigurtë. Nëse shpërfillet kjo përvojë sot , nesër do të jetë vonë. Shumë qytetarë të këtij vendi po largohen nga Shqipëria edhe për të siguruar një shkollim të vërtetë për fëmijët e tyre.

            

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: