Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Hipokrizi e shumëfishtë për vrasjen e gjyqtares

Dje u vra në Tiranë një grua 39 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, gjyqtare për nga profesioni. E vrau ish bashkëshorti.  Po të besosh vrasësin, arsyeja ishte  se nuk po e linin të takonte fëmijët. Dashuri të madhe paska patur për fëmijët. Kaq të madhe sa shkoi dhe u vrau njeriun më të dashur, nënën. I la rrugëve në një moshë delikate. I gjymtoi në vetëndjerje dhe i damkosi në opinion. U hapi plagë që do t’i shoqërojnë gjatë gjithë jetës dhe vështirë se do zënë kore ndonjëherë. Kur vuante nga malli gjer në shkallën sa s’duronte dot dhe i errej arsyeja, pse s’ja hoqi vetes, po vajti e vrau bijën e botës dhe plagosi shpirtërisht e për gjithë jetën fëmijët e tij? S’është vështirë të dallosh se shfajësime të tilla janë akte të pastra sublimimi. Krimineli përpiqet që një krim të kryer për të kënaqur egon e tij të ngushtë, ta veshë me petkat e mallit për fëmijët dhe të përkujdesjes ndaj tyre. Realiteti dëshmon se krime të tilla kënaqin ego të egra maskiliste dhe ushqehen nga mentalitete anakronike për burrin dhe burrërinë. Nuk është dashuria që shkreh koburen. Janë egot maskiliste të majmura nga mentalitete patriarkale për nderin dhe sedrën e burrit.

Ky model maçoisti ekstrem, që një e dy rrëmben koburen dhe vret gruan, po na shfaqet si shumë shpesh. Nuk është burri i traditës, siç duan të thonë. Eshtë burrec dhe egoist safí.

2.

Si të mos mjaftonte kjo dozë e fortë egoizmi dhe hipokrizie shfaqur në rrafsh individual, dalin edhe mediat e rrjetet sociale dhe s’i kursejnë ligjëratat patetike për viktimën, për kriminelin, për mefshtësinë e shtetit etj. etj.

Por fatkeqësisht bëjnë vetëm adetin. Qajnë e marrin në mbrojtje viktimën, kurse të nesërmen harrojnë thuajse gjithçka, dita i zë duke vrapuar pas  scoop-it të radhës.

Është krijuar tashmë një zakon ligjërimor. I përcjellim vdekje të tilla me emfazën dhe përndezjen emocionale që gjenerojnë tributë kur përcjellin të vdekurit e tyre. Pak ose aspak i përdorim për të diskutuar dhe vënë në rrugën e zgjidhjes problematikën sociale që shoqëron ngjarje të tilla, duke nisur nga psikologjia maçoiste e duke ardhur tek ligji i divorcit. Në një pjesë të mirë të rasteve, ky ligj rrezikon të mbetet në letër ose të sjellë pasoja tragjike.

Ka ardhur koha të diskutohet në terma konkrete, me thellësi e konstruktivitet,  gjithë problematika që shoqëron divorcet, duke nisur nga trajtimi psikologjik i të divorcuarve, trajtimi i gjithanshëm i fëmijëve, infrastruktura e duhur për të parandaluar rastet e dhunës, kujdesi i institucioneve përkatëse për t’u dalë para në kohë tragjedive të mundshme etj. etj. Të gjitha këto e të tjera si këto nuk zgjidhen as me patetizma e as nxitimthi.

3.

Si për të shtuar notat komike në tragjedi si kjo e gjyqtares Hafizi, dalin dhe politikanët dhe s’e lënë t’u ikë rasti pa bërë politikë. Pse shteti nuk mbrojti nënën dhe gjyqtaren, pyesin të gjithë si të ishin dorëjashtë.

Gjyqtarja Hafizi u vra se shteti nuk e mbrojti. Ishte ky shtet që amnistoi dhe la të lirë vrasësin, që edhe dy vjet të shkuar kishte tentuar ta vriste. Ishte ky shtet që nuk i dëgjoi paralajmërimet se, jo dokushdo, por një gjyqtare kërcënohej me jetë. S’ishin paralajmërime nën zë. Ishin bërë në institucionet e drejtësisë, madje edhe në ambasadën amerikane.

Është ky palo shteti që s’ka qenë ndonjëherë shtet. Por ama është vepër e përbashkët. E kanë ndërtuar bashkë dhe njeri pas tjetrit këta politikanë që, sa herë ka gjak e kufoma, dalin e angullijnë si hijena.  Jo se u dhemb, por se duhet goditur kundërshtari e duhen siguruar vota për ndeshjet e ardhshme elektorale.  Ngjarje të tilla përcillen me hipokrizi të shumëfishtë dhe me cinizëm në doza elefanti. S’ka logjikë që i pranon, as kandar social që mund t’i mbajë, megjithatë psherëtijmë e lotojmë, jo aq se na dhëmb së brendshmi, por se kështu e kërkon zakoni, se do bërë adeti.

Please follow and like us: