Albspirit

Media/News/Publishing

“Brilantet…” e Kadaresë përkthehen edhe në gjuhën serbe

 

Shtëpia botuese “Samizdat B92” në Serbi ka botuar së fundmi librin me tregime të  shkurtra, “Bisedë me brilantet në pasditen e dhjetorit”, që zë fill që në vitet e rinisë së tij të hershme, qysh se ishte 17 vjeç. Libri me  rreth 150 faqe është përkthyer në gjuhën serbe nga Shkëlzen Maliqi me të  njëjtin titull “Razgovor O Brilijantima Jednog Decembarskog Popodneva”.

Botimi në serbisht i “Brilanteve…” është një përmbledhje e 11 tregimeve dhe novelave, të cilat autori i ka shkruar deri në vitin 2008. Mes tyre ka nga ato që nuk janë botuar kurrë më parë, por edhe nga ato që janë botuar dhe i rivijnë lexuesit në variantin e tyre të parë.

Të gjitha mbartin nga një histori të veçantë. Sipas shtëpisë botuese, veprat e hershme të Kadaresë kanë një lidhje të veçantë me autorin, jo për shkak se janë të parëlindurat në një seri të gjatë librash, por sepse rikthimi tek ato do të thotë rikthim te nostalgjia dhe shkëndijat që i krijuan ato shenja të para të shkrimtarisë dhe jetën e tyre sekrete në qetësinë dhe errësirën e arkivave, prej nga dolën pas shumë vitesh, duke ngjallur kuriozitet, si të takosh dashurinë e pare pas një kohe të gjatë.

“Në dheun e panjohur” Kadare e quan këtë tregim si gurin e pare kilometrik, pas të cilit do të niste krijimtaria e tij e vërtetë, për të vazhduar me grimca apo pjesë romanesh, si “Dosja e Orfeut”, një fragment i shkëputur nga “E Penguara, Rekuiem për Linda B.”, çdo tregim dhe novelë në këtë libër ka historinë e vet për krijimin dhe vështirësitë kur kujtojmë mosbotimin e veprës së parë letrare të Kadaresë me titull “Një vend i panjohur”, të cilin ai e përshkruan si një moment historik që shënon kilometra të distancës letrare të mbuluara që atëherë.

Disa prej tregimeve të shkurtra u bënë më pas kapituj të një romani. Disa prej tregimeve janë ndryshuar për t’u përshtatur gjatë regjimit shqiptar në kohën kur shkruante Kadare, komentojnë botuesit. Për botuesin serb, tregimet e Kadaresë marrin një rëndësi të veçantë, sepse, sipas shënimeve, rreth librit “Brilantet e pasdites së dhjetorit” i ngjajnë një përzgjedhjeje të miniaturave të veprave të mëdha letrare të Kadaresë që përshkruajnë frymën e të gjithë korpusit të tyre.

Së fundi, “Samizdat B92”shkruan se “Ismail Kadare është një shkrimtar që krijon hartë të re kulturore, me historitë, me pasionet, me folklorin, politikën dhe katastrofat e saj. Ai është shkrimtar universal me një traditë narrative që ka origjinën e saj nga Homeri.

Please follow and like us: