Albspirit

Media/News/Publishing

Miss America 2018, një bukuroshe nga Dakota e Veriut

Mbrëmja e së dielës kurorëzoi edhe më të bukurën e Amerikës. Ajo është Cara Mund nga Dakota e Veriut, e cila u shpall “Miss America” nga një garë me 50 kandidate të tjera, duke u bërë e para nga shteti i saj që rrëmben një trofe të tillë.

Fitorja e 23-vjeçares, e cila pason Missin në largim Savvy Shields, është një fitore e madhe edhe për shtetin në fjalë, pasi Dakota e Veriut rezulton si një ndër shtetet më të vogla të përfaqësuara në një kompeticion të tillë, gjë që u përmend edhe nga vet ajo kur doli në skenë.

Gjatë raundit paraprak të pyetjeve, që u mbajt për herë të parë në një garë të tillë bukurie, ajo u përgjigj për “ëndrrën e parë” në sirtarin e ëndrrave të saj.

“Sinqerisht, ëndrra ime ka qenë pjesëmarrja në Miss America dhe renditja në 10 më të mirat”, tha ajo. “Kemi pasur vetëm 3 vajza nga shteti ynë që e kanë arritur këtë objektiv deri më sot, por nëse ia dal do të provohet se nuk ka rëndësi nga vjen në aspektin gjeografik. Nëse dikush e ka aftësinë për ta bërë këtë gjë dhe ëndërron një sukses të tillë, atëherë ajo mund t’ia dalë”.

Më herët gjatë mbrëmjes, Mund la mbresa në jurinë e kompeticionit me një imitim “Jazz”-i të këngës së Michael Jackson “The Way You Make Me Feel”, gjatë momentit të shfaqjes së talentit të pjesëmarrëseve. Në këtë moment, ajo u pyet në lidhje me vendimin e administratës “Trump” për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën.

“Besoj se është një vendim i gabuar, – u përgjigj ajo. – Nëse e refuzojmë atë, atëherë e nxjerrim veten nga tryeza e negociimit. Kjo është një gjë që duhet ta mbajmë parasysh realisht. Ka prova shkencore se ndryshimet klimatike po ndodhin. Pavarësisht nëse dikush i beson apo jo këto prova, ne duhet të jemi në atë tryezë negociimesh. Ndaj mendoj se është një vendim i gabuar nga ana e Shteteve të Bashkuara”.

Shoqëruesja e parë e Missit u shpall Jennifer Davis nga Missouri, ndërsa shoqëruese e dytë Kaitlyn Schoeffel nga New Jersey. Shoqëruesja e tretë ishte Briana Kinsey nga District of Colombia, ndërsa e katërta u rendit Morgana Wood nga Teksasi./TCH/

Please follow and like us: