Albspirit

Media/News/Publishing

Vritet terroristi shqiptar, 007 i ISS

Në muajin maj të këtij viti në Siri është vrarë Orhan Ramandani, i cili sipas gazetës SonntagsZeitung ka qenë njëri ndër luftëtarët e rangut më të lartë nga personat  me “lidhje zvicerane” të angazhuar në ISIS.

Orhan Ramandani është shqiptar 26-vjeçar me prejardhje nga Maqedonia ndërsa ka jetuar edhe në Zvicër, kryesisht në Dübendorf të Kantonit të Zyrihut. Po ashtu ka dëshmi tjera të qëndrimit të  tij në Zvicër, si në Gjenevë etj. Ai ka pasur lidhje edhe me Qëndrim R., i dënuar me burg të përjetshëm në Turqi për aktivitetet në shërbim të ISIS-it.

Gazeta në fjalë përshkruan ngritjen në karrierë të shqiptarit në ushtrinë terroriste, duke u mbështetur në fotografitë ku ai paraqitet me luftëtarë të rangut të lartë të ISIS-it dhe në burime tjera. Ai kishte arritur të bëhej shef i shërbimit informativ të ISIS-it për regjionin e Ballkanit.

Ndërsa sipas Koalicionit anti ISIS, të udhëhequr nga amerikanët, Orhan Ramandani, i njohur edhe si Daniel al-Albani, kishte planifikuar nga Siria sulme terroriste jashtë vendit, mes tjerash edhe në Evropë.

Ramandani ishte zhdukur nga Zvicra në vitin 2014, ndërsa pas një viti ishte paraqitur në një video propagandistike të ISISI-it. Kur, gazeta “SonntagsZeitung”, në vitin 2015 kishte bërë hulumtimin e parë lidhur me këtë rast,Orhan Ramandani kishte konfirmuar faktin se kishte qëndruar një kohë në Zvicër. Në këtë kontekst ai kishte pohonte se donte të kthehej sërish në Zvicër por me ushtrinë e ISIS-it.

Në Siri, Orhan Ramandani kishte luftuar në njësitin e njëjtë ku kanë bërë pjesë edhe Valdet Gashi (ish kampion thaiboksi) dhe Christian-i, një zviceran i konvertuar në islam, të dy nga Winterthur-i i kantonit të Zyrihut.

Më tej, SonntagsZeitung merret me ambientin prej nga rrjedhin xhihadistët që shkojnë nga Zvicra në “luftën e shenjtë” në Siri dhe në Irak. Ata janë me shumicë dërmuese me prejardhje nga Ballkani, kryesisht nga Kosova, Maqedonia dhe Bosnja.

Kjo, përveç me përkatësinë myslimane të popullsisë së këtyre vendeve shpjegohet edhe me përpjekjet e mëdha të ISIS-it që aktivitetet e veta drejt Evropës t`i orientojë duke shfrytëzuar këto vende të Ballkanit si urë lidhëse.

Orhan Ramandani, sipas njoftimit të aleancës anti ISIS thuhet të jetë vrarë më 21 maj nga një sulm ajror në afërsi të lokalitetit sirian Mayadin në luginën e Eufratit.

Please follow and like us: