Berisha: Përplasja ime me Dumën dhe Salianjin në mbledhjen e grupit

Sali Berisha ka komentuar te Çim Peka çfarë ndodhi në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar pas rrjedhjes së të paktën 2 votave në zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit. Berisha tha se raportimet e medieve kanë qenë korrekte, por interpretimet kanë qenë absurde. Fillimisht Berisha tregon çfarë i dha deputetit Ervin Salianji të cilit nuk ia përmend emrin.

“Raportimet ishin pak a shumë korrekt, përveç interpretimeve absurde. Ai ishte një diskutim në mbledhje të grupit, nga më të rëndomtit. Ishte bërë një deklaratë, ose dy deklarata më saktë. Një deputet tha që “unë kam bindje”, dhe “unë ja besoj plotësisht”. A mund ti thuash gjë tjetrit kur thotë se “unë kam bindje”? Si thua dot. “Unë kam bindje” – tha – “se kanë ngatërruar numrat dhe unë i besoj plotësisht”. Ky variant krijonte një problem. Sepse e zhvendoste çështjen nga ata që tradhtuan tek Ulsi Manja dhe komisioni. Por ne nuk mund ta zhvendosim fokusin nga ata që na tradhtuan” – tha Berisha.

Më pas Berisha tregon çfarë ndodhi me zëdhënësen e Grupit Parlamentar, Grida Duma e cila përpara mbledhjes bëri një deklaratë në rrjetet sociale se votimi në parlament ishte manipuluar.

“Grida Duma është zëdhënëse e grupit. Këtu ndalemi. Zëdhënësja e grupit nuk mund të bëjë asnjë deklaratë pa miratimin e grupit. Ky është standardi! Ky ishte qëllimi im. Nuk e kanë kuptuar fare. Standardi është ky, zëdhënësja e grupit është zëdhënëse e mbledhjeve të grupit. Full, Stop. Zëdhënësja e grupit po foli, duhet të thotë se unë po flas si deputete, se si deputete mund të flasë, nuk ka censurë. Ama duhet të përcaktojmë rregullin. Aty unë jam deputet, jam anëtar i atij grupi. Zëdhënësja është zëdhënëse e grupit vetëm për deklarata që miratohen në mbledhje të grupit. Kjo u korrigjua dhe kaq” – tha Berisha.