Kastrioti: Gruaja dhe djali më kanë dëndur në dru

Kastriot Mustafallari kishte ardhur sot në puntatën e parë të emisionit “Me Zemër të Hapur” në “News 24”. Ai ka rrefyer një histori dhune tronditëse sa dhe e pabesueshme. Kastriot Mustafallari nga Berati, jeton vetëm me të ëmën. Janë vetëm të dy në një shtëpi të madhe, por paqe nuk kanë gjetur për asnjë çast. Njeri prej djemve ka ndërruar jetë ndërsa për tjetrin, Kastrioti thotë se i është futur botës së krimit dhe është kthyer në problemin e tij më të madh.

Siç dëshmoi edhe sot në studio, i biri dhe ish-bashkëshortja ushtrojnë dhunë ndaj tij, ndërsa akuzon institucionet se para kësaj situatë vetëm kanë heshtur. Ai apelon që nëse kjo situatë nuk zgjidhet atëherë krimi brenda familjes është i pashmangshëm.

“Gruaja gjatë gjithë kohës i ka mbuluar të gjitha të këqijat që bënte djali, që nga fshehja e drogës deri tek tërheqja e overdraftit në bankë që t’i blinte atij drogë, deri sa arritën të më rrihnin mua e të më mbushnin shtëpinë me gjak”, – tha ai live në studion e emisionit.                                                                   56-vjeçari e konsideron të birin një njeri të rrezikshëm, që ka mbrojtje në polici, prandaj dhe kërkon mbrojtjen e shtetit.

“Ish-gruaja iku nga shtëpia me djalin. Djali tjetër më vdiq. Tani më rrezikohet jeta për shkak të saj e djalit që është kthyer në kriminel. Shteti të bëjë diçka”,- shton ai.

SI NISI KONFLIKTI
Vite më parë kur i biri lëngonte në shtrat, Kastrioti zbuloi tradhëtinë e bashkëshortes, por vendosi ta falte e të vazhdonte jetën, vetëm për hir të djalit, i cili asokohe jetonte. Vdekja e tij do t’i thyente jo vetëm zemrën, por do t’i kthente gjithë jetën përmbys. I dhunuar me dhjetëra herë nga djali dhe ish-bashkëshortja, me qindra denoncime dhe procesverbale në polici, disa vendime gjykatash, 2 urdhra mbrojtje, ai ka sot një akuzë publike.

“Kam 10 vjet me vuajtje të papara. Në vitin 2009 më ka vdekur një djalë 20 vjeç. Gjatë 4 viteve që djali ishte i sëmurë më ndodhi një tradhti bashkëshortore, e fala për hatër të atij djali që rrinte shtrirë, por gjatë kësaj kohe djali i madh mori rrugë të gabuar duke pirë alkool pastaj drogën dhe më vonë filloi kumarin, mashtrimin deri tek gjobëvënia”,- tregoi ai.

56-vjeçari akuzon dhe vete institucionet shtetërore për përkrahje të ish-bashkëshortes, madje ai bën nje apel të fortë duke thënë se janë pikërisht këto institucione të cilat po i çojnë në mënyrë të pashmangshme drejt një krimi brenda familjes.

Jo vetëm Kastrioti, por edhe nëna e tij 86-vjeçare ka përjetuar çdo sherr e shamatë në atë shtëpi, e tronditur dhe me lot në sy kjo grua e moshuar ka nevojë që gjithë ky tmerr të marrë fund dhe ajo të ketë mundësinë t’i kalojë në paqe vitet e pleqërisë së saj.