Ruben Avxhiu: Votat për Ruçin të turpshme, por jo arsye për diktaturë në PD

Ato vota të panevojshme për një simbol të regjimit të vjetër si Gramoz Ruçi ishin një turp për Partinë Demokratike. Vetë PS duhej të kishte pasur kthejlltësinë për të dalluar mes nevojës për të shpërblyer një udhëheqës të vjetër dhe nevojës për të ruajtur imazhin e partisë si një forcë e socializmit modern dhe jo një mbetje e regjimit të vjetër.
PD që në këto dekada është prezantuar si forca themelore antikomuniste e vendit është njollosur nga këto dy vota. Prandaj, nervozizmi në krye të PD-së, nëse i vërtetë apo i shtirur, është normal. Por gjuhetia për të kapur dy “tradhëtarët” nuk shërben për asgjë. Përkundrazi kërcënimi për mbajtje në mbikqyrje të sjelljes së deputetëve është një marrëzi e re.
Kjo vetëm do të bëjë që të shtojë drojën dhe ngurtësinë e aradhës së demokratëve të sotëm, në Kuvend. Në këtë epokë deputetësh që dalin nga listat e kryetarëve, rreziku më i madh është paaftësia e tyre për të plotësuar kryetarin në udhëheqjen e partisë.
Nga Rama te Basha, kryepartiakët shqiptarë preferojnë besnikërinë më shumë se zotësinë, shpesh për të keqen e vetes. Udhëheqësit më të fortë janë ata që kanë me vete vartës të pavarur dhe të fortë.
Ruçi do të zgjidhej kryetar Kuvendi edhe pa asnjë votë prej PD-së. Asgjë nuk ndryshoi realisht në peshoren politike të vendit. E vërtetë që Rama u dëshmoi pak deputetëve të tij dhe atyre të LSI-së se ai e ka një Plan B brenda PD-së në rast se ndonjë prej tyre vendos të rebelohet. Po kjo është një arsye më shumë që Basha të lëvizë në drejtim të liberalizimit të grupit të tij në Kuvend. Ndryshe nga tradita e ndryshe nga dora e fortë që do të tregojë Rama, Basha ka një shans të mobilizojë energjitë brenda grupit në Kuvend duke i lënë të lirë deputetët të luajnë me mundësitë e tyre.
Ai e ka parë që e kundërta, ajo e dëbimit të kritikëve ia ka dobësuar partinë. Tani që është risiguruar si kryetar me mbi 90% të votave, Basha duhet ka dy rrugë: ose të obsesohet deri në paranojë ndaj kolegëve përreth në Kuvend ose t’i lërë të konkurrojnë me njëri-tjetrin jo në servilizëm po si figura udhëheqëse. Fati i tij si kryetar i PD-së u caktua, por fati i PD-së si opozita kryesore e vendit nuk mund të merret si e mirëqënë. LSI nuk ka hyrë në politikë për t’u kënaqur me pak. Ajo do të konkurrojë njëkohësisht me PS-në në pushtet por edhe për violinën e parë të opozitës. PD ka nevojë për një fillim të ri. Një vazhdim i rënies, duke humbur edhe rolin kryesor në opozitë për shkak të energjisë që mund të vijë nga LSI, mund të jetë më fatale për shanset politike të Bashës sesa rrjedhja e ndonjë deputeti në krahun tjetër.
Të kritikosh votën për Ruçin është normale. Kushdo që e ka bërë ka dëshmuar ose injorancë, ose me keq akoma shpërfillje totale për ndjeshmëritë e këtij populli ndaj historisë së vet. Po, nëse kjo votë e fshehtë përdoret për të shtypur edhe më tej lirinë brenda partisë, duke kërcënuar me tone që do t’i kishin shkuar më shumë për shtat pikërisht regjimit që PD lavdërohet se ka rrëzuar, atëhere kjo do ta dëmtojë shumë më tepër PD-në në plan afatgjatë sesa këto vota të harrueshme për zgjedhjen e pashmangshme të kryekuvendarit të ri.