Albspirit

Media/News/Publishing

“Censusi në ‘45, asnjë grek nuk u deklarua në Himarë”

Afrim IMAJ

 

Flet Myftar Tare, ish-zv.ministër i Brendshëm.

Si u realizua regjistrimi i popullsisë në 1945?

“Të dhënat për minoritetet i paraqitëm në Konferencën e Paqes në Paris”

Në harkun e 24 orëve të së dielës së fundit të shtatorit ‘45 është realizuar regjistrimi i parë i popullsisë pas Luftës. Një vit më vonë, statistikat e përftuara prej tij dhe nga tri regjistrimet e mëparshme u bënë pjesë e dosjes së delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.

Në vijim të rrëfimit për “Panorama”, Myftar Tare, ish-funksionari i lartë i Sigurimit, risjell të plotë kronikën e këtij aksioni të rëndësishëm dhe zbardh për herë të parë mënyrën si është proceduar me dokumentet e tij në Konferencën e Paqes në Paris.

Ideja për t’i paraqitur aty, shtjellon zëvendësi i Koçi Xoxes, lidhej me kundërargumentet e përfaqësuesve shqiptarë përkundër pretendimeve të palës greke për Shqipërinë e Jugut. Po si është proceduar për censusin e 1945-s dhe çfarë produkti u përftua prej tij, sa ishte popullsia e Shqipërisë në atë periudhë dhe sa ishte numri i minoritarëve dhe të huajve…
Zoti Myftar, ju keni qenë pjesëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes. Aty, ndër të tjera, është paraqitur një dosje me të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit ‘45. Çfarë ishte ky dokument dhe për çfarë arsye u kumtua në këtë forum?
Në Konferencën e Paqes në Paris vendi ynë nuk ishte thirrur    me të drejta të plota, por me një grup vëzhguesish pa të drejtë vote, pasi Shqipëria e asaj kohe njihej vetëm nga pak vende dhe ato kryesisht të Lindjes. Aty depozituam dy dokumente, fjalimin e Enver Hoxhës dhe dosjen me të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit ‘45. Kjo e fundit ishte bërë pjesë e axhendës tonë si kundërargument ndaj pretendimeve greke për territoret e të ashtuquajturit Vorio-Epir…
Pra, bëhet fjalë për statistikat e regjistrimit të vitit 1945  ku ju keni qenë pjesë e Komisionit Shtetëror…

Unë kam qenë pjesë e komisionit zyrtar për qarkun e Tiranës, por funksioni më lidhte drejtpërdrejt me platformën dhe tërë infrastrukturën e këtij aksioni të rëndësishëm. Nëpërmjet tij synohej evidentimi i plotë i popullsisë dhe kompletimi i regjistrave të gjendjes civile të dëmtuara gjatë okupimit nazifashist. Për të menaxhuar procesin u ngrit një Komision Qendror me përfaqësues të institucioneve kryesore, i cili drejtonte punën e komisioneve lokale që operonin në terren. Regjistrimi, sipas vendimit të qeverisë, u realizua nëpërmjet kontaktit fizik me qytetarët derë më derë…
Mund të themi se ky ishte regjistrimi i parë zyrtar i popullsisë?
Në kushtet e qeverisë komuniste, ky ishte regjistrimi i parë. Disa të tillë ishin bërë më parë, madje qysh në periudhën e Luftës së Parë Botërore ka pasur angazhime konkrete për regjistrimin e popullsisë. Sidoqoftë, regjistrimi i vitit 1945 vlerësohej më i sakti…
Kur thoni më i sakti, keni parasysh regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë si numër fizik?
Pa dyshim që synimi kryesor kishte të bënte me konfirmimin e gjendjes së përgjithshme të popullsisë, por jo vetëm me të. Procesi në thelb parashikonte plotësimin e regjistrave themeltarë me një evidentim të detajuar të gjenialiteteve, ku veç të tjerash, përfshihej gjinia, mosha, arsimi, profesioni etj. Të gjitha këto u ofroheshin qytetarëve në një pyetësor të zgjeruar mbi bazën e të cilit vileshin përgjigjet rast për rast…
Po për kombësinë dhe besimin fetar…?
Së pari duhet theksuar fakti që regjistrimi i vitit 1945 u realizua nga shteti shqiptar, pa pjesëmarrjen e institucioneve fetare. Lidhur me çështjen e besimit, ajo ishte një nga kërkesat e pyetësorit që u ofrohej qytetarëve për ta deklaruar me vullnetin e tyre. Pra, që ata të dëshmonin nëse i përkisnin besimit mysliman, ortodoks apo katolik. Asokohe kjo vlerësohej diçka delikate, për vet sensibilitetet e religjioneve fetare…
Kjo për sa i përket besimit fetar, po për kombësinë?
Në fakt në pyetësorin e atij regjistrimi, nuk kishte pyetje të mirëfillta për kombësinë. Kjo realizohej me anën e një kërkesë të veçantë për gjuhën, çfarë nënkuptonte pak a shumë edhe pohimin e kombësisë. Në një farë mënyre, kjo ide rezultoi efektive dhe na dha një shumatore të etnisë së popullsisë. Pati edhe në atë kohë presione nga më të ndryshmet, sidomos nga përfaqësues të minoritetit grek dhe të qarqeve zyrtare të Athinës, por nuk ndikuan në cilësinë e procesit.
Çfarë shifrash prodhoi kjo logjikë arsyetimi në fund të procesit?
Nuk më kujtohet shifra e saktë, por mbaj mend që në fund u konfirmua një shifër rreth 1 milion e 200 mijë banorë. Nga këta, rreth 40 mijë ishin qytetarë të huaj që asokohe jetonin në Shqipëri.
E keni fjalën për minoritarët grekë?
Në mos gaboj, numri i minoritarëve grek që jetonin në prefekturën e Gjirokastrës dhe Sarandës arrinte diku te 35 mijë. Pjesa tjetër ishin të huaj që fundi i Luftës i kishte zënë në vendin tonë. Kishte ndër ta italianë, malazezë, maqedonas, bullgarë etj.
Po në zonën e Himarës sa u deklaruan të etnisë greke?
Në Himarë nuk u deklarua asnjë i kombësisë greke, pavarësisht zhurmës së jashtëzakonshme të qarqeve shoviniste të Athinës, të cilat pretendonin se krejt bregdeti i Vlorës, madje edhe më thellë, ishin territore helene me popullsi autoktone greke. E njëjta situatë rezultoi në fund të regjistrimit edhe në prefekturën e Korçës. Në territorin e këtij qarku, me sa më kujtohet, u konfirmua vetëm një minoritet i kufizuar maqedonasish, i vendosur kryesisht në pellgun e Prespës. Pati sakaq një pakicë në Vrakë të Shkodrës që u deklaruan të kombësisë malazeze…
Po vllahë dhe romë sa u deklaruan?
Mënyra si ishte ndërtuar struktura e formularit të regjistrimit të popullsisë, ndoshta edhe nga mungesa e përvojës, nuk e përfshinte çështjen e minoriteteve kulturore e linguistike, siç ishin vllehtë dhe romët. Për rrjedhojë, nga procesi nuk u përftuan të dhëna për këtë kategori. Me sa jam unë në dijeni, në regjistrimet e mëvonshme kjo është riparuar dhe romët e vllehtë janë bërë pjesë e statistikave kombëtare.

MANOL KONOMI, KRYETAR I KOMISIONIT
Komisioni Qendror i Regjistrimit të vitit ‘45 kryesohej nga Manol Konomi, njëri nga intelektualët më në zë të kohës, që kishte studiuar për Drejtësi jashtë shtetit. Bashkë me grupin e ekspertëve pranë ish-ministrit të Drejtësisë, komisioni që menaxhoi procesin kishte në përbërje të tij një numër zyrtarësh të institucioneve qendrore. Ndërkaq, në terren operonin komisionet lokale mbi bazën e komiteteve ekzekutive dhe prefekturave. Me një procedurë speciale u veprua në zonën e minoritetit, ku për ecurinë e procesit u përzgjodhën inspektorë vendës që flisnin edhe shqip.

Censusi ‘45: Asnjë grek në Himarë

Dosja me të dhënat e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Konferencën e Paqes në Paris

“As në Korçë nuk u deklarua njeri me kombësi greke
Konferenca e Paqes e vitit 1946 është rasti i vetëm ku autoritetet shqiptare kanë vënë në dispozicion të ndërkombëtarëve dosjen me të dhënat e popullsisë sipas regjistrimit shtëpi më shtëpi. Së paku sipas Myftar Tares, ish-zëvendësministrit të Brendshëm, pjesëtar i delegacionit shqiptar në këtë Konferencë, nuk ka ndodhur herë tjetër që ky lloj dokumentacioni të bëhet publik, ca më tepër për të huajt, madje as në ditët e sotme.

Sa për mbledhjen e Parisit, kujton zëvendësi i Koçi Xoxes, nuk duhej nguruar, pasi interesi i çështjes që mbronim atje ishte shumë më i rëndësishëm nga rregullat teknike për sekretin e dosjes. Duke iu kthyer situatës së ndezur nga pretendimet e Athinës zyrtare lidhur me Shqipërinë e Jugut, Tare pohon se të dhënat e   censusit të 1945-s u vlerësuan e përdorën si kundërargumenti më i efektshëm përballë tyre.

Fakti që statistikat tona konfirmonin  një numër të kufizuar minoritarësh vetëm në zonën e Gjirokastrës, shton ai, ndërkohë që nuk rezultonte asnjë i tillë në prefekturën e Himarës apo të Korçës, ishte sfidues për zyrtarët helenë që këmbëngulnin në alibinë e tyre…
DOSJA
Ideja për të kompletuar një dosje të posaçme me të dhënat e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në vite, sipas Tares, u shfaq menjëherë pas njoftimit zyrtar për pjesëmarrjen në Konferencën e Paqes në Paris. Për disa javë rresht, nën drejtimin e Hysni Kapos, një numër i konsiderueshëm zyrtarësh hulumtuan nëpër arkiva për të grumbulluar dokumentacionin përkatës.

Deri në atë periudhë, në vendin tonë regjistrimi i popullsisë ishte kryer katër herë, në vitin 1921, 1923, 1930 dhe së fundi në vitin 1945. Me përjashtim të statistikave të vitit 1921, të cilat nuk ishin ruajtur, të gjitha të tjerat u bënë pjesë e dosjes së destinuar për Konferencën e Paqes. Veç statistikave me të dhëna konkrete, grupi i kryesuar nga Hysni Kapo, parashtronte në argument edhe arsyet për të cilat ishte realizuar regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë.

Sipas dokumentit të ruajtur në arkivin e Ministrisë së Jashtme, regjistrimi i vitit 1921 dhe ai i vitit 1923 kanë të bëjnë me nevojën e hartimit të listës së zgjedhësve, ndërsa ai i vitit 1930 u realizua në përmbushje të kërkesave të shtetit shqiptar si anëtar i Lidhjes së Kombeve të Bashkuara.

Tare kujton se dosjen e përgatitur me këto dokumente, e mori me vete pjesa e delegacionit shqiptar që shkoi më herët në Paris. Ai ka udhëtuar për aty me Enverin dy javë më vonë.
SHIFRAT
Dokumenti i publikuar në Konferencën e Paqes në Paris, me referenca nga statistikat e censusit të vitit ‘45, saktësonte se Shqipëria në atë periudhë kishte 1 122 044 banorë, nga të cilët  1 075 467 shqiptarë autoktonë dhe 46 577 të kombësive të ndryshme. Veç minoritarëve, një pjesë e madhe e numrit të shtetasve joshqiptarë u përkiste të huajve që fundi i Luftës i zuri në Shqipëri.

Ishte ky produkti i regjistrimit të popullsisë realizuar nga autoritetet zyrtare menjëherë pas çlirimit të vendit. Mbi bazën e tij u krijua për herë të parë Regjistri Themeltar i Gjendjes Civile me dokumentimin e numrit të përgjithshëm të banorëve, ndarë sipas gjinisë, moshës, besimit fetar, gjendjes civile, profesionit etj.

Me të dhënat e tij u plotësuan listat e votuesve të zgjedhjeve të Asamblesë Kushtetuese, që u zhvilluan më 2 dhjetor 1945. Regjistrimi i 45-s u organizua nga Këshilli i Ministrave dhe u implementua në terren nga komitetet ekzekutive të prefekturave dhe nënprefekturave.
MINORITETET
Në Shqipëri jetojnë 31 560 minoritarë të kombësisë greke. Përtej këtij fakti, autoritetet shqiptare sqaronin tribunalin e Konferencës së Paqes se ky komunitet ishte vendosur në zonën e Gjirokastrës, Delvinës, Konispolit, Sarandës e Përmetit. Sakaq, ato konfirmonin se me regjistrimin e popullsisë të vitit ‘45 nuk rezultonte asnjë minoritar grek në nënprefekturën e Himarës e atë të Korçës. Këto të dhëna, me pak ndryshime, ishin si ato të përftuara nga regjistrimi i vitit 1930.

Megjithatë, shifra e minoritarëve të vetëdeklaruar në vitin 1945 ishte disi më e ulët nga ajo e regjistrimit paraardhës. “Kjo diferencë në shifra (9286 veta), shpjegon Myftar Tare, lidhej me pasojat e shkaktuara nga Lufta, sidomos në Jugun e vendit”.

Një numër i madh i minoritarëve, sipas tij, depërtoi në territorin e Greqisë dhe nuk u kthye më. Po kështu, me mbylljen e kufijve shtetërorë fill pas mbarimit të Luftës, mbetën jashtë edhe një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë që dëshironin të riatdhesoheshin. Identifikimi i minoritarëve në Shqipëri, sipas censusit të ‘45-s, është realizuar si shumatore e deklarimeve për gjuhën e aplikuar në familje, pasi pyetësori përkatës nuk përmbante pyetje mbi kombësinë.

Pikërisht kjo praktikë ka ngjallur shumë debate gjatë shqyrtimit të pretendimeve të Greqisë në Konferencën e Paqes në Paris. Sidoqoftë, shifrat e relatuara aty asnjëherë nuk janë kontestuar zyrtarisht nga institucionet ndërkombëtare.

  • Të ardhur në Himarë
    Bollanot penguan censusin e 1945
    Reagimi i bollanove të Himarës për të penguar censusin e vitit ‘45, sipas Myftar Tares, ish-funksionarit të lartë të Ministrisë së Brendshme, ka qenë problemi më i mprehtë i autoriteteve shtetërore të angazhuara në proces.
  • Ata, sipas zëvendësit të Koçi Xoxes, investoheshin nga rrjeti agjenturor i Athinës për të përligjur alibinë se Himara ishte pjesë e Greqisë. Kjo shpurë e çuditshme, vëren Tare duke iu referuar pinjollëve të familjes së Vasil Bollanos, nuk ishin himarjotë, por të ardhur aty nga Kurveleshi.
  • Në kujtesën e njeriut që ka ndjekur paudhësitë e tyre është fiksuar njëri ndër ta me profesion peshkatar, që ato ditë shtatori të ’45-ës, shpeshtoi kontaktet në det me njerëzit e asfalisë. Sidoqoftë, përmbyll Tare, bollanot e asaj periudhe nuk mundën ta përmbushin misionin e qarqeve greke për të tjetërsuar origjinën etnike të Himarës.

MAQEDONASIT E MALAZEZËT
Nga deklarimet e censusit të vitit ‘45 rezultonin 2572 qytetarë të kombësisë maqedonase, që banonin në Prespë të Madhe të qarkut të Korçës. Ndërkaq, 6489 të tjerë në zonën e Gollobordës pohonin se flisnin gjuhën amtare maqedonase. Në të njëjtin regjistrim, 998 qytetarë deklaronin se i përkisnin kombësisë malazeze dhe 1695 të tjerë të vendosur në Vrakë të Shkodrës flisnin gjuhën amtare serbokroate. Censusi i vitit 1945 vuri në dukje se në Shqipërinë e asaj periudhe kishte 13000 të huaj, kryesisht italianë e jugosllavë, të cilët u riatdhesuan pas Luftës.

 

Please follow and like us: