Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Abaz Hado: Ҫështja “Himara”, grekët dhe ne ҫamët!

Në këtë periudhë diplomacia greke u njoftua me krijimin e një pseudo alibie të krijuar në Himarë për t’u hedhur në ofensivë, duke mos fshehur prepotencën e një shteti, që vazhdon të mendojë se mund të bëjë dhe të thotë ҫfarë të dojë dhe kur të dojë për Shqipërinë, duke ndërhyrë në këtë mënyrë në punët e brendshme për probleme që nuk kanë të bëjnë fare me të. Edhe për këtë, nuk kanë lënë rast pa treguar me gisht, për këtë gjë që nuk ka logjikë dhe pa lidhje, siҫ kanë bërë gjithmonë duke alarmuar të gjitha institucionet ndërkombëtare, për gjoja padrejtësitë që po i bëhen pjestarëve të minoritetit grek në Shqipëri dhe veçanërisht në Himarë. Sigurisht është e drejtë e tyre të mbrojnë dhe të mbështesin minoritetin e tyre, kur atyre u cënohet liria, barazia, prona me të padrejtë, por të ngresh zërin, për një ҫështje që nuk përbën problem, të shfrytëzosh disa avantazhe si shtet, për të nëpërkëmbur të drejtën e një vendi dhe një shteti tjetër, kjo nuk është një veprim serioz, dhe nuk bazohet në respekte reciproke, dhe nuk ka asnjë bazë ligjore ndërkombëtare.

Presidenti i vendit dhe ministri i Jashtëm, Kotzias, nuk po ndalej pa folur dhe pa anatemuar për rastin e fundit, ku vetëm për aprovimin e një studim zhvillimi urbanistik të qytetit të Himarës, e kanë kthyer këtë në një “kauzë të madhe” duke ndërmarrë një ofensivë aktive të tillë ndërkombëtare, këtë vetëm politikanë me mentalitet nacionalist, mund ta bëjnë. Sepse vazhdojnë ta kenë strategji diplomatike të pandryshuar, se kur Shqipëria bën përpara, zhvillohet dhe tani që në këtë periudhë po afrohet më shumë me Europën, do dalin në ndonjë variant për të kritikuar dhe ngritur probleme të paqena, si gjithmonë.

Realisht ҫ’ka ndodhur?! Qeveria shqiptare po përgatit prioritetet e zhvillimit të rilindjes urbane, si për gjithë qytetet e Shqipërisë, për të bërë Himarën, një nga qytetet më atraktive të bregut për turizmin. Kjo bazohet në norma urbane dhe mbi koncepte moderne, që po e kthejnë Himarën në një qytet europian dhe një vend shumë prioritar, për një turizëm që pritet të zhvillohet dhe më shumë. Ky është një prioritet i qeverisë Rama, që po zbatohet tanimë në qytetet e mëdha e të vogla të vendit. Pikërisht tek ky program dhe te kjo nismë kanë gjetur zbatim, planet e Lungomares në Vlorë, ndryshimet në Sarandë, Konispol, ku bën pjesë edhe qyteti i Himarës. Natyrisht për realizimin e këtij projekti, kërkohet të krijohen hapësira që janë të domosdoshme, për realizimin e projekteve të tilla, ku mund të preken dhe disa prona të qytetarëve të Himarës, dhe këtu nuk po bëhet ndonjë dallim, por brenda ligjeve do bëhet dhe shpronësimi i tyre. Himara ka dhe popullsinë autoktone që janë shqiptarë që jetojnë me minoritet në paqe dhe vëllazëri të vjetër dhe të re, por që herë pas here politikanë për interesa të vogla politike, duan të prishin këtë marrëdhënie.

Kjo është një praktikë në ҫdo vend të botës, kur janë bërë projekte të zhvillimit urban, të një qyteti të caktuar, kur janë bërë pengesë janë prishur dhe godina shumë më të mëdha, që t’i hapin rrugën zhvillimit të projekteve, dhe shembuj për këto ka shumë. Ajo që të ҫudit në këtë rast, është zgjimi i një mentaliteti të vjetër të një vendi arrogant, që me ҫdo parti dhe kusht përpiqet ta trysnojë dhe të imponojë Shqipërinë, kur është në momente të rëndësishme. Ndërsa ne, ndonëse kemi një sërë problemesh në marrëdhëniet, me ta, përsëri nuk kemi vënë tellallin por kemi kërkuar gjithnjë miqësi dhe respekt reciprok. Kur sheh ministrin e Jashtëm të Greqisë, që nuk lë moment pa shfrytëzuar kudo që është, duke folur sa për ҫamët sa dhe për ҫështjen e Himarës, sikur këtij diplomati dhe vendit të tij po i bëhen shkeljet më të mëdha në botë.

Më duket paradoksale që fqinjët tanë të jugut, nuk duan një Shqipëri që zhvillohet, që përparon në disa drejtime, pavarësisht se përpiqen të fshehin qëllimin e vërtetë. Këto projekte të rilindjes urbane, janë prioritet i gjithë bregu i jugut, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol, që të përfundohen dhe që të kthehen në qytete të vërteta evropiane. Ky zhvillim, do rrisë me siguri dhe potencialet e këtyre qyteteve, e mirëqenien e banorëve, do rrisë dhe do ofrojë më shumë një turizëm masiv dhe më dinamik. Kjo ka filluar me një intensitet, pasi po projektohen disa zona me resorte moderne, që do i japin gjithë bregut një pamje tjetër, do e bëjnë një destinacion turistik me vlera unike, me potenciale të mëdha.

Po ta ndjekësh me vëmendje, politikën greke ndaj Shqipërisë është e dukshme, se në këtë periudhë kanë gjallëruar veprimtaritë diplomatike. U sajua një çështje si kjo e Himarës, sepse duan të bëjnë presion për të realizuar qëllimet e tjera, të cilat herë pas here artikulohen në kancelaritë diplomatike evropiane. Këto besoj se janë të qarta për të gjithë ne, por edhe për diplomacinë Shqiptare, prandaj ne duhet të mbajmë qëndrime dinjitoze, bazuar mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të respektit për njëri tjetrin. Pra gjejnë momentin, krijojnë alibinë dhe më tej hidhen për të mbrojtur “kauzën” e tyre, ku gjithmonë është motoja hidh dhe prapë hidh se kështu u mbetet diçka.

A mundet një shtet, që vazhdon të mbahet prej vitesh me kontributin ekonomik të Evropës, të mund të imponohet realisht, ashtu siҫ u shpreh Kotzias, për përdorimin e vetos për negociatat e Shqipërisë në Europë. Së pari, kjo është një alibi, që nuk ka arsye për të ngritur tonet, se Shqipëria po shkel të drejtat e njeriut dhe Greqia po i mbron ato sepse nuk ka askund në Shqipëri shkelje të tilla. Europa besoj se është mësuar dhe lodhur me këto absurditete të diplomacisë greke. Shqipëria tanimë nuk është më ajo që mund të merret lehtë e të trajtohet pa respekt, sepse po tregon, se ka një politikë të qartë, që kërkon partneritet duke ruajtur reciprocitetin mes palëve. Kjo është bërë e qartë dhe në programin e ri, të qeverisë shqiptare dhe nga kryeministri Rama.

Në jetë, ndodhin fenomene natyrore që nuk shmangen dot; i madhi plaket, i vogli rritet dhe vazhdon të ndjekë rrugën e vet, pa patur nevojë ta marrin përdore, kështu është dhe me shtetet, do rriten dhe zhvillohen ashtu dhe Shqipëria është një vend, që po ecën me ekonomin e vet, që duhet më shumë, që ka një politikë aktive paqësore, që ka partnerë seriozë dhe po bëhet gjithashtu e më shumë pjesë e Europës. Sigurisht ata kërkojnë të drejtat e minoritarëve dhe kanë të drejtën e vet, po harrojnë se janë një shtet, që i kanë mohuar këto të drejta ndaj një popullsie të tërë, të drejtat themelore të pronësisë dhe vazhdojnë t’i trajtojnë shqiptarët e Ҫamërisë me përbuzje duke mos zbatuar asnjë normë ndërkombëtare sidomos atë të pronësisë. Por duhet të dinë se të gjithë ҫamët kanë edhe sot të ruajtura, me fanatizëm, dokumentat e hipotekave, të pronave në Greqi në dy gjuhë greke dhe turke. Kjo nënkupton se këto prona janë të vjetra dhe tregojnë se sa të lashtë janë banorët në ato zona. Megjithëse është një popullsi rreth 250.000 banorë sot, përsëri kërkojnë të drejtat e tyre të pronësisë, duke qenë shumë më fisnikë se diplomati Z. Kotsias, sepse besojnë në zot dhe kanë besim, se të drejtat e tyre janë universale, dhe kanë garanci konventat ndërkombëtare.

Nëse si shtet ke krijuar një model të mirë vetë, në këtë rast ke të drejtë dhe moral, ta kërkosh edhe tek të tjerët. Në këtë situatë, të një realiteti politik grek, të dhimbshëm dhe jo të drejtë sepse mohojnë në mënyrë kategorike të drejtat universale të popullsisë, shqiptare të Ҫamërisë, nuk ka mundësi të ndërtojnë një realitet alibish dhe kauzash të paqena në një kohë kur ke shumë borxhe historisë. Europa i ka të gjitha mundësitë për të monitoruar ҫdo veprim të Tiranës dhe të kuptojë realitetin, si dhe të ndajë se në ҫfarë ane peshon e drejta.

Please follow and like us: