Studentja shqiptare në Turqi fiton bursë nga “Google”

Evis Hoxha, studente shqiptare në vitin e dytë e Inxhinierisë Kompjuterike në Universitetin Ndërkombëtar të Antalyas në Turqi (UAÜ), është studentja e vetme nga Turqia që ka fituar këtë vit bursën që Google jep vazhdon të japë nga viti 2004 e këtej në emër të informaticienes Dr. Anita Borg për studentet që duan të vazhdojnë studimet universitare dhe pasuniversitare (bachelor, master, doktoraturë) në fushën e kompjuterisë. Bashkë me 20 studente të tjera nga universitete të rëndësishme të botës që kanë arritur ta fitojnë këtë bursë Evisi është ftuar në takimin që do të mbahet në zyrën e Google në Zyrih.

Bursën “Anita Borg”, një bursë që u jepet 20 studenteve të zgjedhura nga universitet e Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës me qëllim për të mbështetur punimet që bëhen në fushën e teknologjive kompjuterike dhe për të inkurajuar vajzat e reja në këtë drejtim, këtë vit nga Turqia e ka fituar studentja shqiptare e vitit të dytë të degës së Inxhinierisë Komjuterike në Universitetin Ndërkombëtar të Antalyas, Evis Hoxha, e cila bashkë me studente të tjera nga universitete prestigjioze të botës, si  Oxford, Ecole Polytechnique, Royal Institute of Technology ka fituar çmimin me vlerë 7000 Euro. Evis Hoxha është studentja e katërt nga Turqia që e arrin një sukses të tillë që nga viti 2007 e këtej.

Praktikën e verës do ta bëjë në Google

Evis Hoxha është shtetase shqiptare. Ajo ka dalë e para në Olimpiadën e Fizikës në Shqipëri, ka fituar medalje bronzi në Olimpiadën Ballkanike të Informatikës në vitin 2014. Për studimet Bachelor Hoxha ka preferuar Universitetin Ndërkombëtar të Antalyas, ku edhe i vazhdon studimet edhe sot me bursë të plotë dhe është e para e grupit.

Për ta fituar këtë bursë kam kaluar një proces aplikimi mjaft të vështirë. Fillimisht ju duhet të plotësoni formularin online, të cilit i bashkëngjisni CV-në, listën e notave (transcript), referencat dhe përgjigjet në formën e esesë për 4 pyetje. Pastaj kërkesa juaj vlerësohet nga specialistë të Google dhe më pas ju thërrasin në një intervistë online. Intervista kishte të bënte kryesisht me sukseset e mia të mëparshme, projektet sociale dhe shkencore, në të cilat unë kam marrë pjesë në universitet. Jam shumë e lumtur që pas intervistës edhe emri im u rendit në mes të 20 kandidateve më të mira”, rrëfen Evisi.

Hoxha fitoi të drejtën që stazhin këtë verë ta bëjë në zyrat e Google në Zyrih, ku do të ketë mundësi të marrë pjesë në aktivitetet e veçanta që do të realizohen këtu për 20 studentet që kanë fituar bursën Anita Borg.

Për studimet universitare zgjodhi Turqinë

Pas sukseseve në Shqipëri për të vazhduar studimet Bachelor unë zgjodha Turqinë. Ajo që ndikoi tek unë të merrja një vendim të tillë ishte gjuha e mësimdhënies (anglisht) në universitet, stafi akademik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar i këtij universiteti”, sqaron Hoxha.

“Të qenurit e anglishtes si gjuhë e mësimdhënies në Universitetin Ndërkombëtar të Antalyas (UAÜ), përdorimi i kësaj gjuhe si një gjuhë të përbashkët edhe për të ndjekur leksionet, edhe për të komunikuar përbën një lehtësi të madhe për studentët që vijnë jashtë Turqisë. Një avantazh tjetër i rëndësishëm për mua është mundësia që më jepet për të fituar përvojë, pasi universiteti bashkëpunon me firma kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të siguron mundësi për të bërë praktikë me shpenzime të mbuluara. Gjithashtu këtu, në kampusin e universitetit kam gjetur rastin të njihem nga afër me kultura të ndryshme falë diversitetit të krijuar nga prania e studentëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Stafi kompetent akademik i universitetit gjithmonë më ka qëndruar pranë gjatë këtij procesi (aplikimi) duke më mbështetur dhe ndarë me mua përvojë e tij”, shprehet informaticienia e ardhshme shqiptare.

Çfarë është bursa Google Anita Borg?

Bursa “Google Anita Borg” është një bursë që jepet nga Google në kujtim të informaticienes amerikane Anita Borg (1949-2003) me qëllim motivimin dhe inkurajimin e femrave në informatikë dhe teknologji. Në vitin 2004 kompania gjigande e internetit “Google” ka nisur një program të tillë për mbështetjen e studenteve që studiojnë në shkencat kompjuterike, inxhinieri kompjuterike, informatikë ose në fusha të ngjashme me këto. Deri tani në kuadër të këtij programi janë ndihmuar me bursa rreth 1000 studente nga e gjithë bota.

Synimi i bursës “Anita Borg” është që të sigurojë krijimin e kontaktit mes punonjëseve/studenteve/akademikeve që janë të angazhuara ose të interesuara në fushat e shkencave/teknologjive kompjuterike, ti inkurajojë ato të krijojnë rrjete për të mbështetur studente të tjera, ti motivojë ato të informojnë vajzat më të reja mbi shkencat e kompjuterit dhe të bëjnë punime në këtë drejtim.

Suksesi i studentes shqiptare ka zënë vend edhe në median turke.