Trump, paralajmërim i fortë për Korenë e Veriut

Presidenti Donald Trump është shprehur me paralajmërime të hapura për një shkatërrim të plotë të Koresë së Veriut nëse regjimi komunist i Kim Jong Unit kërcënon Shtetet e Bashkuara. Presidenti i Shteteve të Bashkuara e bëri kërcënimin në fjalimin e tij të parë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku zoti Trump foli edhe për terrorizmin, programin bërthamor iranian dhe sfida të tjera dhe rolin e OKB në përgjigje të këtyre sfidave.

Ishte një fjalim që reflektonte mishërimin e realizmit parimor që Presidenti Trump thotë se do të ndjekë administrata e tij në përgjigje të sfidave globale.

Ai u ndal tek ato që identifikoi si sfidat madhore ndaj paqes dhe sigurisë globale, ku veçoi terrorizmin dhe vendet e papërgjigjeshme që mbështesin terrrorizmin apo kërcënojnë rendin global. Duke folur për Korenë e Veriut, Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara kanë fuqi dhe durim të pamasë, por se do të veprojnë nëse nuk kanë rrugëdalje tjetër. Ai i dërgoi një paralajmërim të fortë regjimit koreano-verior.

“Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë për ta shkatërruar plotësisht Korenë e Veriut, nëse nuk ka rrugëdalje tjetër për të mbrojtur veten dhe aleatët”.

Presidenti Trump u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare në OKB të punojnë së bashku për të izoluar regjimin e Kim Jong Unit. Ka ardhur koha që Koreja e Veriut të kuptojë se çarmatimi bërthamor është e vetmja rrugë drejt së ardhmes, tha zoti Trump.

Në fjalimin e tij presidenti i Shteteve të Bashkuara foli edhe për regjimin iranian që e akuzoi se po mban peng të ambicjeve të tij bërthamore një komb me një histori të gjatë e të shquar. Presidenti përsëriti synimet e tij për të anuluar marrëveshjen bërthamore me Iranian të arritur gjatë administratës Obama.

“Nuk mund të lejojmë një regjim vrasës të vazhdojë në këtë rrugë destabilizimi. Nuk mund të vazhdojmë me këtë marrëveshje nëse nuk është gjë tjetër veçse një maskim i një programi që synon prodhimin e armëve bërthamore. Sinqerisht ky program është turp për Shtetet e Bashkuara”.

Presidenti Trump përsëriti në momente të ndryshme gjatë fjalimit se në politikën e jashtme, administrata e tij do të udhëhiqet nga parimi i vënies së interesave amerikane në plan të parë, ashtu si çdo udhëheqës tjetër në botë që duhet të vërë të mirën e kombit të tij në plan të parë, tha zoti Trump.

Ai kritikoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nuk po përmbush misionin e saj. Në rrjedhën e viteve, tha Presidenti Trump, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të kontribuojnë shumë më tepër se pjesa dërrmuese e anëtarëve të organizatës, por nuk po shohin përfitime nga ky angazhim. Tepër shpesh fokusi i kësaj organizate nuk ka qenë zgjidhja e problemeve, por elemente burokratike të procesit, u shpreh zoti Trump. Ai përsëriti nevojën që edhe vende të tjera të përmbushin angazhimet që u takojnë në mbështetjen e organizatave ndërkombëtare.

Presidenti tha se kjo periudhë është e mbushur me premtime e potencial të madh në drejtim të shkencës e mjekësisë, mundësi të pafundme që do të përmirësojnë jetën e njerëzimit, por gjithashtu edhe me me sfida madhore, si terrorizmi dhe kërcënimet ndaj sigurisë globale që kërkojnë një punë të përbashkët në adresimin e tyre.