Albspirit

Media/News/Publishing

Katjusha Pogaçi: Dritarja vjeshtore

 

Erdhi vjeshta,
shkroi ca fjalë,
Te gjethja lyer në të verdhë,
I gdhendi në shpirt, në ecje, në ballë
Në fletën që kërcellin përkthen.

Ke filluar të rrish më shumë në dritare
Sikur flet me gjuhën e zogjve,
I vesh fytyrës një dhimbje të madhe
A thua fundi i vjen kësaj bote.

E di,
afron dimri, do të kemi ftohtë.
Ndoshta për drurët në mal mendohesh,
Ndoshta të vjen keq që koha shkon
Dhe stinët varg ndërrohen.

Je bërë më i heshtur, sa çudi
Ç’të mban
e s’të lë të flasësh?!
Më ngjan se stina bisedon me ty
Dhe zogjtë që në xham trokasin.

Unë hesht,
heshtja flet me shpirtin,
Ndaj mbetet shpesh e bekuar…
Ti mendon për vende të largëta
Që bora tashmë ka mbuluar?!

Ndoshta kjo reale nuk është
Por, thjesht, fantazia ime,
Çarten në erë figura të përmallshme
Mendimi, kjo pronë divine.

Për një çast t’i kam veshur ty kujtimet
E kohëve të largëta,
që ikën, më s’vijnë,
Dimrin, një sobë, në një fshat të vogël
Nënën në dritare…të priste t’i vije.

Nëna s’është më, më dhimbset si iku,
Ndoshta në heshtje shohim të njëjtën gjë,
Të përqafoj me mendje, në dritaren vjeshtore
Vjen koha të hyjmë në dimër,
përgjithnjë.

E diel, 17 prill 2005

Botuar në librin “Shkruaj kohën”, Tiranë, 2016

Please follow and like us: