Albspirit

Media/News/Publishing

Aksioni anti-informalitet, Tabaku: Të rishikohet politika fiskale

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka deklaruar se aksioni kundër informalitetit i paralajmëruar nga ministri i Financave Arben Ahmetaj nuk do të ketë efekt pozitiv për një sërë arsyesh.

“E dini çfarë e shkakton informalitetin? Taksat e larta, sistemi i komplikuar fiskal me 6 nivele, burokracia dhe korrupsioni. Të njëjtat pengesa që kanë varfëruar vendin dhe larguar investimet e huaja, që janë në nivelin më të ulët historik”, ka deklaruar Tabaku.

Tabaku ka theksuar se herën e fundit që qeveria nisi aksionin anti-informalitet u verifikua mungesa më e madhe në të ardhurat e shtetit, me një vlerë prej 80 milionë dollarë në vetëm një muaj.

“Ka një mësim që duhet ta kishin kuptuar gjoja reformatorët. Lufta ndaj informalitetit nuk është aksion, por një përpjekje dhe politikë qeveritare përmes levave të ndryshme fiskale. Në vend të propagandës që të mbushë portale e lajme do qe më e udhës të rishikohej politika fiskale”, ka vijuar Tabaku raporton tch.

Për këtë të fundit, është shprehur ajo, duhet vizion dhe ndjeshmëri politike, që “qartazi i mungojnë” qeverisë.

“Mungesa e tyre përkthehet në abuzime dhe korrupsion, për të cilat qeveria është kampione, përndryshe si do shpjegohej gropa 325 mln që KLSH zbuloi se mungonin në buxhetin e shtetit”, ka saktësuar Tabaku.

Please follow and like us: