Albspirit

Media/News/Publishing

Dosja e Musine Kokalarit, zbardhen pseudonimet e 20 spiunëve të Sigurimit të Shtetit

Pseudonimet e bashkëpunëtorëve

  1. BAMJPJEKUR
  2. SORKADHJA
  3. LULE ZAMBAKUT
  4. ÇAJUPI
  5. REFERATI
  6. NJË-ZAMBUTKA
  7. SHKËNDIJA
  8. BRISKU
  9. KALAJA
  10. RRUFEJA
  11. BESNIKU
  12. PIKTORI
  13. LISI
  14. MEDIKAMENTI
  15. MOTORRI
  16. BESA
  17. MUNELLA
  18. MALI
  19. APARATI
  20. PLLUMBI

Musine Kokalari u përndoq për gati 4 dekada. Por nga 10 shkurti, dosja e saj u hap me kërkesë të vetë familjes, për të hedhur dritë mbi ata që e survejuan dhe ata që e dënuan gjatë regjimit komunist. Hapry për herë të parë dosja dhjetëra vjeçare e disidentes së burgosur dhe internuar nga diktatura. Për mbi 20 vjet dosja e saj qëndronte në arkivin qendror të shtetit, mes mijëra dosjeve e miliona faqeve te shkruara për ata që u përndoqën dhe u dënuan gjatë regjimit komunist. Por në 10 shkurt, në 100 vjetorin e lindjes, dosja e Musine Kokalarit u hap e para, për të hedhur dritë mbi të shkuarën, për të mësuar emrat e atyre që e dënuan përjetë në vetmi, për ta zhytur në dhimbje e vuajtje, ata që për 38 vjet e përndoqën në çdo moment të jetës. Kjo është dosja e Musine Kokalarit, disidentes së burgosur e internuar nga diktatura, e cila hapet per here te pare nga TCH. Historia rikthehet, këtë herë me kërkesë të vetë familjes, si e para dosje që hapet në sagën e mijëra të tjerave që për dekada u pluhurosën në arkivat e shtetit. Është dosje e vjetër, e paruajtur mirë, ka shkrime të saj, biografinë, shënime, raportime, relacione. Detajet janë ato që e bëjnë atë të jashtëzakonshme, mbushur me foto e përshkrime të ditëve të saj, aktiviteti para dënimit nga gjykata, koha e burgut apo edhe ditët kur ajo u internua në Rrëshen, madje edhe shëtitjet që ajo bënte për orë të tëra e vetme në këmbë, ku shoqëri i bënte vetëm lapsi dhe letra. Shkruante kudo, edhe në copa fare të vogla letre, për të mos harruar në asnjë moment se ishte e vetme dhe këto copa letre do të mbeteshin kujtimi i saj i vetëm në botë. Mbi njërën prej tyre shkruante:

“Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje sa andej këtej”. “Ç´fat tragjik. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”.

Gjithë materiali është i ndarë në 2 dosje, në njërën përshkruhet i gjithë procesi gjyqësor ndaj Musine Kokalarit, dhe tjetra është kjo dosje, me etiketimin “Top Sekret”. Në të përshkruhet mënyra se si Musineja është përndjekur për gati 4 dekada nga ata që njihen si bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Dhe janë 20 të tillë qe kane pseudonime nga me te ndryshmet:

Pseudonimet e bashkëpunëtorëve

  1. BAMJPJEKUR
  2. SORKADHJA
  3. LULE ZAMBAKUT
  4. ÇAJUPI
  5. REFERATI
  6. NJË-ZAMBUTKA
  7. SHKËNDIJA
  8. BRISKU
  9. KALAJA
  10. RRUFEJA
  11. BESNIKU
  12. PIKTORI
  13. LISI
  14. MEDIKAMENTI
  15. MOTORRI
  16. BESA
  17. MUNELLA
  18. MALI
  19. APARATI
  20. PLLUMBI

“Musineja kishte një vizion tjetër për të ardhmen dhe ky ishte ai konflikti për të cilën ajo u arrestua. Aty gjenden të gjithë bashkëpunëtorët e ish sigurimit të shtetit. Zakonisht këta bashkëpunëtorë ishin mbi 18 vjeç, por ka patur raste që ishin edhe më të vegjël. Janë pseudonime dhe emra. Me aprovimin e këtij ligji, do griset ajo perdja e këtyre njerëze. Kanë qenë afro 20 ata që kanë survejuar Musinenë. Ka pas edhe Brenda në burg, por edhe pas burgut, kur u internua në rrëshen. Ajo ka bërë jetë të mbyllur, njerëzit kishin frikë ta takonin, edhe familjarët. Mund të kishin pasoja, edhe familjarët nqs shkonin ta takonin, do kishin pasoja. Ka qenë një luftë e tmerrshme klasash. Ajo bënte një rrugë të gjatë, shëtiste vetëm sepse shihej si armike e partisë”, shprehet Simon Mirakaj, Anëtar i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit.

Musineja njihen ndër radhët e bashkëpunëtorëve me epitetin “Armike e Rrezikshme’.

“Se çfarë rreziku vjen nga intelektuale si Musineja, vetëm ai lloj sistemi bën të tilla arsyetime”, vë në dukje Mirakaj.
Vdekja e saj ishte ashtu si vetë jeta:

 “Ajo ka vdekur në 1983, ashtu sic jetoi e vetmuar edhe vdekja e saj ishte e vetmuar. E kanë hipur në një riportabël, është makinë me një karroceri prej hekuri që ngarkon beton për ndërtime. Është varrosur nga njerëzit e komunales”, shton Mirakaj.

“Kjo dosje, që është dosja formulare e Musinesë, është hapur nga sigurimi shtetit në 1945, për 39 vjet ajo është ndjekur, para bugrut, në burg dhe pas, gjatë periudhës së internimit në Rrëshen, shprehet Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit të Hapjes së Dosjeve të Sigurimit.

Ajo çka familja kërkon të dijë është kush e ka përgjuar Musine Kokalarin, kush e ka përndjekur hap pas hapi për gati 4 dekada? Ishin të afërm, miq të saj?

“Përgjithësisht bashkëpunëtorët zgjidheshin nga të afërm, rrethi i miqve sepse ishin ata që kishin akses dhe mund të informonin për aktivitetin e saj”, thotë Altin Hoxha.

Dosja e Musine Kokalarit ka vetëm 119 faqe. Nuk përbëhet vetëm nga raportet e hartuara në ato vite nga bashkëpunëtorët e ish sigurimit por edhe nga detyra, plane biografi, një sërë metodash të përdorura në atë kohë për ndjekjen e personave. Top Channel publikon për herë të parë atë çka në dosjen për Musine Kokalarin njihet si “Koncepti i Social-Demokracisë”, material që përmblidhet në 23 faqe, që ishte edhe platforma që Musineja kishte hartuar për vendin.

“Njerëzit që duhet të qeverisin vendin duhet të vijnë nga rradhët e arsimtarëve, mjekëve, artistëve….për 6 muaj me rradhë një grup prej tyre, duhet të shkojnë në terren, në cdo cep të Shqipërisë, të takojnë njerëzit, të njohin realitetin e tyre, pastaj të ulen të gjithë bashkë dhe të hartojnë një platformë të përbashkët. Më pas, po aty të shkojë një grup tjetër, të bëjnë të njëjtën gjë për 6 muaj, të kthehen dhe vetëm kështu mund të kemi një program të denjë politik dhe ekonomik”, citat nga dorëshkrimi i Musinesë.

Për këtë platformë Musineja u dënua me burg.

Pas dënimit, e internuar në Mirditë, ku nisi të punonte me beton tulla e llaç. Një koleg i saji, spiun e bashkëpunëtor i shtetit, i kërkonte gjatë orarit të punës, për të bërë pushim, duke i thënë “mjaft se u lodhëm, fundja ne shumë pak paguhemi”. Dhe Musineja, shkruhet më tej në dosje, I citon një fjali të shkrimtarit francez Zhan Zhak Ruso: “Papunësia është shkak për vese të këqija”. Bashkëpunëtori i sigurimit edhe në raportin e bërë për atë ditë shkruante, Musineja më foli më një Zhak, por nuk e di për kë e kishte fjalën.

“Ju patë platformën e Musinesë për social demokratët. Material 23 faqe, iluminues dhe I pjekur. Është për tu admiruar se si një vajzë vetëm 28 vjece, ishte në gjendje të artikulojë aq mirë. Kërkesa tjetër e familjes ka të bëjë me materialin tërësor, ato duan nëj kopje. Bëhet fillimisht një process kërkimor pëtr gjithë personat e përmendur në dosje dhe më pas fshirja e emrave të personave që janë palë të treta, që sjanë përfshirë në raportin prekur-bashkëpunëtorë. Ishin disa dhjetëra persona. Identiteti i tyre bëhet i palexueshëm. Kemi bërë disa axhustime të shpejta. Hapi tjetër, zbulimi i identitetit të bashkëpunëtorëve”, shprehet Genta Sula, kryetare e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve.

“Misioni hnë kryesor është që s’do ketë më të fshehta, që të keqpërdoren. Familjarët do njihen me dhimbjen dhe ata që kanë shkaktuar dhimbjen. Dosjet s’do përdoren më as për shantazh, as për të trilluar dhe as për inskenime”, thotë Altin Hoxha.

Por në qoftë se për familjarët apo vetë Autoritetin për hapjen e dosjeve, ky proces do të hedhë dritë mbi të shkuarën qe vijon te mundoje edhe sot, Fatos Klosi, ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, thotë se përveç shuarjes së kuriozitetit, hapja e dosjeve nuk shërben për asgjë.

“Dosjet po të ishin hapur dhe të kishin efekt për shoqërinë shqiptare, duhet të ishin hapur që në vitin 1991-1992. Që mbase kishte efekt direkt. Por sot, hapja e dosjeve ka vetëm natyrën e shuarjes së një kurioziteti. Nuk mund të influencojë në shoqërinë shqiptare, çfarë do bëjë? Ja u hapën dosjet…ja dolën dhe ca pseudonime. Edhe pastaj? Nëse ata bashkëpunëtorë, duke qenë në shërbim të atij regjimi, thjesht kanë thënë të vërtetën, unë nuk shoh ku është krimi. E vërteta, hap dosjet, kanë thënë kështu kështu. Asnjë se di, përveç Musinesë vetë, cila është e vërteta. Bashkëpunuesit s’kanë ç’duhen për t’ju mësuar emrat, ata nuk dënohen dot as me ato ligje, as me këto që kemi sot. Ligjet nuk kanë fuqi prapavepruese”, shpjegon ish- kreu i SHISH.

Për Fatos Klosin, ata që njiheshin si bashkëpunëtorë të sigurimit, në atë kohë ishin njerëz të nderuar.

“Kush ishte bashkëpunëtor, regjimi e konsideronte të nderuar, njeri që i shërbente shtetit, që e ndihmonte shtetin në luftën kundër gjithë armiqve që ishin turrur atëherë. Kjo ishte propaganda”, shton Klosi.

Klosi thotë se një pjesë e dosjeve ende sot nuk duhen prekur.

“Dosjet e zbulimit si ka ngarë njeri. Ato janë të rëndësishme se lidhen me aktivitetin e botës kundër Shqipërisë. Dosjet e kundërzbulimit janë edhe më interesante se është lufta e bërë nga shërbimet e huaja brenda Shqipërisë. Nuk do hapen këto, do ishte një gafë shumë e madhe të prekeshin ato”

Por si e kujton sot familja e Musien Kokalarit këtë “kundërshtare të regjimit komunist”?

“Unë e kam njohur Musinenë pak por e kam njohur shumë nga tregimet e gjyshes time. Ajo fliste përditë, pra ky lloj edukimi ka qenë i përditshëm. Ajo më fliste përditë për gjyshin, për Musinenë, për jetën që ata kishin përpara tragjedisë, pra para vitit ’44”, tregon Linda Kokalari, mbesa e Musine Kokalarit.

Linda kujton takimin e parë me të pas shumë vitesh, kur ajo dergjej në spital nga sëmundja, sërish e vetme.

“Në atë takim u përqafuam gjatë të dyja. U përqafuam shumë gjatë. U emocionova. Ajo më tërhoqi vërejtje. Më tha asnjëherë mos të të shoh me lot në sy. Kishte ndryshuar sigurisht por më shumë kisha ndryshuar unë. Unë e njoha menjëherë”, thotë ajo.

Mbesa e Musinesë, vajza e të vëllait me të cilin shkëmbente vazhdimisht letra dhe ishte shumë e lidhur kujton një fjali të shkrimtares, kur ajo ka qenë vetëm 20 vjeç.

“Lirinë unë e kërkova gjithandej dhe e gjeta Brenda vetes. Pra flasim për vitet 1940-1942. Parakohshmëria e Musine Kokalarit është e pakrahasueshme. Ajo ishte shumë para kohës së vet. Musine Kokalari qëndron diku lart, është një figurë e përkryer, e paatakueshme, sipas mendimit.”, shprehet Linda Kokalari.

Linda, në emër të familjes Kokalari i ka kërkuar Autoritetit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, zbardhjen e të vërtetës për jetën dhe vdekjen e saj. Por a do të mjaftojë kjo për të shuar dhimbjen e familjes?

“Nuk di të them do shuhet dhimbja apo jo. Të dalë e vërteta. Të dihet se kush është kush”, shprehet ajo.

20 bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit, që për 40 vjet përndoqën e spiunuan Musine Kokalarin, së shpejti do të kenë një emër dhe “Shkëndija” apo “Piktori” do të përballen me të vërtetën publike.

Ky është një proces që sapo ka nisur dhe duket se do të ketë një rrugë të gjatë edhe pse është me shumë vonesë tek ne.

Debati për hapjen e dosjeve e ka shoqëruar politiken dhe shoqërinë shqiptare gjatë këtyre 27 viteve të demokracisë. Në disa vende ish-komuniste dosjet u hapën dhe u panë si çlirim nga e shkuara.

Ndërkohë në Shqipëri dosja e Musine Kokalarit është e para. Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sapo ka nisur grumbullimin e të gjitha materialeve.

Koha do ta tregojë se sa i vështirë apo i lehtë do të jetë ky proces dhe cilat dosje nuk janë prekur deri më sot dhe mbi to do të mësohet e vërteta, apo cilat dosje janë zhdukur ndër vite dhe a do të ketë çlirim për shoqërinë gati 3 dekada pas rënies së Komunizmit.

Please follow and like us: