Kur shqiptarët e jugut quheshin «maqedonas»

Prej viteve 90’, Greqia dhe Maqedonia përfytën për të monopolizuar gjithçka që lidhet me emrin ‘maqedonas’. Debatet zgjaten deri në thellësitë e kohërave, prej mesjetës deri në lashtësi.

Por, në shekullin e shtatëmbëdhjetë në rrethe të ngushta ku lëvrohej greqishtja termi «maqedonas» nuk përdorej as për grekë dhe as për bullgarë, por rezervohej ekskluzivisht për shqiptarët.

Në të shumtën e herëve, ky term përdorej ndërkëmbyeshëm dhe merrej si i mirëqenë për shqiptarët e jugut, shkruan Konica.al.

Përveç faktit të ditur kaherë që një regjiment në ushtrinë napolitane, i përbërë nga stradiotë shqiptarë të Himarës dhe viseve të tjera të jugut, quhej «regjimenti maqedonas» (Reggimento Real Macedone), një poezi e panjohur e shekullit shtatëmbëdhjetë e përforcon edhe më tej këtë bindje.

Shumica prej nesh nuk kemi dëgjuar asnjëherë për poetin Stavri, e lëre më të kemi lexuar diçka prej tij.

Sipas disa studiuesve grekë, Stavri, i pari poet i Epirit, kishte lindur në Delvinë diku kah gjysma e dytë e shekullit të gjashtëmbëdhjetë.

Përkatësinë e tij etnike nuk e zënë fare në gojë, por pas çdo gjase kemi të bëjmë me një shqiptar ortodoks që ishte mjaft mirë i familjarizuar edhe me greqishten dhe vllahishten.

«Nëse do të dish, atdheu im është Malsian, ky është vendi im, një pjesë e Delvinës», (Αν θέλετε να μάθετε κι εμένα την πατρίδα Μαλσιανή η χώρα μου, του Δέλβινου μερίδα), ishin ndër fjalët e rralla të poetit që tha fare pak gjëra për vetën e tij.

 

Ndonëse nuk mund të ndiqet me saktësi rrugëtimi i tij në jetë, Stavri ishte një zyrtar i besuar i princit zulmëmadh të Vllahisë dhe Moldavisë, Mihajl Trimit që sundoi gjatë viteve 1593-1601.

Autor i një poeme për princin vlleh që më vonë do të bëhej hero kombëtar i rumunëve, Stavri do të dritësonte edhe praninë e stradiotëve të shumtë shqiptarë, madje edhe përplasjet e tyre me vllehët.

Përpos pranisë së priftërinjëve të emëruar nga Patriarkana e Konstandinopojës, në rrethet oborrtare të Mihajlit gjejmë edhe njerëz që mbanin emra thjesht shqiptarë: Gjin, Golin, Dedë, Piper, Uran, etj, gjëra që janë fare pak të rrahura në historiografinë tonë.

Nga poeti delviniot shqiptarët quhen rëndom «Μακεδόνες» (maqedonë), dhe sipas studiuesve ata duhet të kenë qenë kryesisht shqiptarë ortodoksë nga jugu të lidhur me grekët vetëm për nga përkatësia fetare.

Stavro në vjershërimin e tij «Rimë për Lekën», shqiptarët (në tekst termi «maqedonë») i konsideron si pasardhës të traditës ushtarake të Lekës.

Përmbajtja e kësaj poezie flet për 300 ushtarë shqiptarë në shërbim të Mihajlit dhe betejat kundër armiqve të tij që duhet të kenë ndodhur para vitit 1611. Sipas Stavrit, ata vunë në ikje një forcë të madhe, prej 12 mijë vetash të aleatëve tartarë të Sulltanit.

Ai u vë në gojë këto fjalë ushtarëve shqiptarë para se të sulmonin kampin:

 

«Le të shkojmë vetëm ose të fitojmë lavdi ose të japim jetët tona
A nuk po i shihni se vllehet duan të na shkatërrojnë?
Kjo pse ata na sollën këtu,
që të zihemi (rob)
Edhe sa do të përçmohemi nga vllehet,
Edhe sa do të munxohemi nga i madh e i vogël?
Mbreti Lekë e sundoi krejt botën
Me ndihmën e grekëve, që ishin burra trima.
Dhe ne a do bëhemi frikacakë e të ikim,
Nëse sot jemi maqedonas, sot duhet ta provojmë këtë,
t’i japim lavd popullit tonë dhe atdheut tonë,
ose sot të vdesim pa shpresë».

© Salih Mehmeti