Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: Revolta e Spaçit

Bedri Blloshmi: Revolta e Spaçit - Albspirit

Fragment nga libri i Bedri Blloshmit “Revolta e Spaçit”

Kujtime të hidhura

E dinë shumë kush se mbas kapitullimit të nazizmit (në Luftën e II-të Botërore) dhe në Shqipëri do të merrte fund lufta civile që bënë terroristët komunistë. Tre të mëdhenjtë e Botës; Franklin Delano Roosvelt, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, marshalli Josif Vissarionoviç Dzhugashvili Stalin, president i Këshillit të Komisarëve të popullit BRSS dhe Winston Spencer Churchill, kryeministër i Madhërisë së Tij Giorgio VI, mbret i Britanisë së Madhe, që nga 4-11 shkurti 1945 në Livadia, jo larg nga Jalta do të ndanin Botën.
1- Jalta përgatit ndarjen e Evropës në dy blloqe…
Një shtatmadhëri komuniste është vënë në krye të Shqipërisë së Re. (f. 217. A.Conte). Jalta në vend që të çojë në një paqe të qëndrueshme, lë të lira të gjitha egërsitë e realizmit sovjetik. Në Jaltë komunizmi ndërkombëtar kuptoi lehtësinë e Perëndimit. Dhe që atëherë dhe më pas nuk do të lodhet së bëri padrejtësira. f.218 Jalta diskutoi dhe ranë dakort për ndarjen e shumë shteteve dhe më në fund kur arriti diskutimi për Bullgarinë dhe Jugosllavinë e Titos, vendosën ashtu si deshën ndërsa për Shqipërinë asnjë fjalë. Në ndarjen e Evropës kur Stalini kërkoi Greqinë, Churchilli u nxeh dhe goditi tavolinën me grusht. Jo. Jo. Në asnjë mënyrë, më pas diskutimi kaloi mbi Poloninë. Për Shqipërinë e copëtuar që kishte njohur vetëm terror e mjerim, për Shqipërinë që kishte njohur vetëm dhimbje, e mbuluar e gjitha nga plagët e lumenj gjaku, askush nuk e ngriti zërin. Kjo Angli që kishte borxhin e madh në copëtimin e Shqipërisë
në 1913, jo që s’u kujtua për këtë copëtim të padrejtë por dhe në këtë rast nuk e vuri veton por heshti dhe na la nën ombrellën e Stalinit.
Një orë para se të vdiste, në telegramin e fundit drejtuar Churchillit, Roosvelti do të arrijë të pranojë se “Të minimizojmë sa më shumë që të jetë e mundur problemin sovjetik. Megjithatë duhet të mbetemi të fortë”. E fjala e tij e fundit do të jetë më mallëngjyese: “Kufiri i vetëm i realizmave tona të nesërme janë dyshimet e të sotmes… ”.
Terroristët komunistë mbas 1944 kur pushtuan vendin, të cilët kultivuan me kënaqësi terrorin, të frymëzuar më pas nga mijëra të vrarë gjatë rrugës së tyre për të instaluar, për të mbjellë babanë e terrorizmit dhe shkatërruar e gjakosur vendin, për të krijuar liqene gjaku, lumenj lotësh, për të veshur mijëra nëna me shami të zeza, për të lënë gjithmonë rënkime e dhimbje të pashërueshme e për të hapur mijëra gropa, për të ngritur mijëra trekëmbësha, për të lënë përjetësisht në veshët e këtij populli zhurmën rrënqethëse të kallashnikovit, duke vrarë njerëzit e dashur të tyre, për të ngritur kudo burgje e kampe përqëndrimi në të gjithë vendin, vendosën komunizmin.
Sapo hyri viti 1945 filluan arrestimet në masë, filluan varjet në litarë, vrasjet masive, burgosjet, sekuestrimet dhe internimet. U hapën çmendinat për të mbyllur përjetësisht të gjithë ata të arrestuar që gjatë torturave çnjerëzore në bodrumet e errëta e të lagështa pësonin tronditje psiqike. Kjo bandë e kuqe e përbërë nga injorantë, barinj, mullixhinj, vrasësa me pagesë, dykëmbësha që nuk dinin as të firmosnin apo shkruanin emrin e tyre, ishin këta që mushkëritë e tyre nuk thithnin e mbusheshin me ajër për të jetuar, por thithnin vetëm gjakun e pafajshëm të shqiptarëve.
Këta kanibalë, këta hiena, këta gjakderdhësa e gjakpirësa u vunë për të drejtuar vendin. Këta, për të kontrolluar popullin, për ta bërë të jetonte në varfëri ekstreme, për ta sfilitur në punë të pashpërblyer, huazuan nga Siberia e përbindëshit Stalin, kooperativat. Një organizim i çorganizuar që kontrollohej nga komunistët, bashkëpunëtorët, informatorët, denoncuesit dhe ata që bënin pjesë tek forcat e lira të sigurimit. Çdokush kishte frikë e nuk fliste, ashtu të heshtur, të rraskapitur, të shtrembëruar, zbathur, të leckosur, me dhëmbë të rënë apo të krimbur, të parrojtur e me erën e thartuar të djersës, kur ktheheshin nga puna, kalonin pranë dyqanit ku shitej buka e misrit me racion, shënonin emrin (bukë me listë se s’kishin para) dhe ashtu duke u zvarritur e hanin thatë bukën derisa shkonin në shtëpi. Shtriheshin për tre-katër orë siç ishin veshur që të ishin gati në mëngjes, për të shkuar prapë në punë. Kjo ishte lumturia e fshatit, ditët “e lumtura” që solli partia. Aty nga viti 1973, Vilsoni, i cili punonte në minierën e Përrenjasit, ndaj te errur vjen në shtëpi, mbasi u përshëndet me ne të tjerët, vajti në konakun ku rrinte xhaxhai (Hasani), i cili gëzohej shumë kur vinte Vilsoni se bisedonin gjithë natën, madje kishte
raste deri në mëngjes, pa u shtrirë fare, ku Vilsoni merrte rrugën prapë për në minierë. Në bisedë e sipër Vilsoni i thotë xhaxhait se kishte ndodhur një revoltë në burgun e Spaçit. Se të burgosurit ishin përleshur me policinë, i kishin mundur dhe i kishin nxjerrë jashtë territorit të kampit.
– E dëgjova në lajmet që dha Italia, e ka dhënë dhe radio Prishtina xhaxha, -perfundoi Vilsoni.
Xhaxhai shtangu, mbushi përsëri llullën e mbasi i vuri një thëngjill përsipër, e thithi nja dy-tre herë dhe i drejtohet Vilsonit:
– Aman ore burrë mos fol me njeri për këto punë se të ikën koka. Ti di të ruhesh, megjithatë unë të porosis, shmangiu sa më shumë bisedave me të tjerët, janë kohë të turbullta e neve na zë plumbi gropave, prandaj ulni kokën e mos u ndjeni. Dëgjon ti Bedri, mos u ndje fare për asgjë.
Biseda vazhdoi gati gjithë natën. Xhaxhai rrinte e rrinte dhe vazhdonte:
-Paska ndodhur shumë keq, kushedi sa do vrasin këta katila.
-Pse,- i thosha unë xhaxhait, – ata në burg janë, ç’do u bëjnë?
-Bedri, ti mos e mësofsh kurrë e mos e pastë fat asnjëri nga ne, për të ditur se ç’është burgu, unë me tët atë e dimë se si është atje.
Vilsoni vetëm dëgjonte dhe më porosiste mua, “kujdes Bedri”.
Vitet 70-të ishin më të nxehta si për kupolën komuniste, por dhe gjithë vendin. U godit festivali i 11-të e me radhë ushtria, ekonomia, industria e goditjet në naftë e kështu me radhë.Bëheshin arrestime, dënime dhe mjerimi kishte arritur kulmin, megjithatë ne nuk mendonim kurrë se familjes tonë mund t’i ndodhte ndonjë gjë. Xhaxhai ishte dënuar, kishte bërë pesëmbëdhjetë vjet burg. Babai po ashtu tetë vjet burg i kishte bërë. Ne nuk ndjeheshim për asgjë, ruheshim si i thonë fjalës, si delja prej gërshërës, e megjithatë gjëma ndodhi. Na arrestuan; mua, më vonë Vilsonin, më pas Gencin dhe pas më shumë se pesëmbëdhjetë muaj torturash, na dënuan me akuzë të sajuar. Vilsonin dhe Gencin i ekzekutuan ndërsa mua më
dënuan me 25 vjet. Më pas internuan familjen, po atë ditë arrestojnë xhaxha Hasanin për së dyti dhe e dënojnë me dhjetë vjet, pas pesë vjetësh sëmuret dhe ndërron jetë në burg. Unë përfundoj në burgun e Spaçit. Këtu erdhi puna me shokët e burgosur, të pyes e të di me hollësi se si ndodhi, çfarë ndodhi e si përfundoi revolta. Biseduam gjerë e gjatë se çfarë kishin dëgjuar jashtë në ato vite mbasi tani ishin katër vjet e më shumë nga 21 maji i vitit 1973. Tani jemi në tetor të 1977.
Unë në Spaç bisedoja me shumë të ridënuar në këtë revoltë si pjesëmarrës. Kam biseduar me Murat Martën, të cilin e kisha nga fshati, Mersin Vlashin, icili kishte pikturuar shqiponjën në flamur, pa yllin e komunizmit. Kisha biseduar me Qemal Demirin, Luan Kokën, Luan Burimin e plot të ridënuar në këtë revoltë të përgjakur. Nga të gjithë këta mësova për katër të pushkatuarit: Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain dhe Pal Zefin. Këta kishin qëndruar deri në fund të palëkundur, si heronj ishin këta të katër që janë arrestuar në tarracë nga një lukuni sigurimsash. Por dhe nga vetë fakti që ata u “gjykuan” bashkë me tetë të tjerë dhe brenda pak orësh u pushkatuan e u groposën nga dora gjakatare, duke fshirë çdo shenjë e çdo kujtesë. U mbushën dyzet vjet që janë pushkatuar dhe këta trima, këta heronj nuk kanë një varr. Ka njëzetë e dy vjet që familjarët e tyre kërkojnë e kërkojnë, përrua më përrua, mal më mal e shteg më shteg, pyesin e interesohen se kush di apo ka informacion anekënd. Por deri tani asgjë nuk dihet, vetëm heshtje dhe heshtje. Këto kohët e fundit botova një libër, “Revolta e Qafë-Barit dhe terrori komunist”, kam përshkruar këtë revoltë si dëshmitar okular, kisha vite që përpiqesha dhe mblodha dokumentat që flinin në arkivat e sigurimit, dokumenta nga Komiteti i Partisë e deri në KQPP që flasin dhe japin direktiva për dënimin e tyre. Atë mendova të bëj dhe për revoltën e Spaçit të vitit 1973. Nuk kam qenë në ato vite në burgun e Spaçit, isha në burgun e madh si shumë të tjerë në kooperativë. I prekur nga dhimbja dhe i nxitur nga urrejtja për komunizmin barbar, i jam vënë punës duke kërkuar nëpër korridoret e errëta, në prezencën e mykut, nëpër letrat e lagura e të gjakosura, në prezencën e rënkimeve të atyre shpirtrave që kurrë nuk kanë për të gjetur prehje, po mbledh copa letrash, vendime, urdhra që nga K.P. të rrethit të Mirditës, të firmosura nga nallbani Jovan Bardhi, nga komandanti i kampit, nga Ministria e Brendshme e deri në majën e piramidës së krimit, Hysni Kapo. Po ashtu dhe vendimet e refuzimit për faljen e jetës (të katër të dënuarve me vdekje, pushkatim) nga injorantët e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Këtu do sjell dëshmitë nga të dënuarit në këtë revoltë, të cilët shpjegojnë me hollësi se si ndodhi, si u torturuan, si u masakruan të dënuarit, kur u futën brenda me forcë ushtria e sampistave të ardhur nga Tirana. Po ashtu dhe forcave të tjera të ardhura nga rrethe të ndryshme, të vënë nën urdhërat e Ministrisë së Brendshme, të drejtuara nga Feçor Shehu. Kjo torturë zgjati tre ditë rresht nën valëvitjen e flamurit pa yllin komunist, nën valëvitjen e flamurit të Skënderbeut. Të atij flamuri, që për të u masakruan dhe dhanë jetën mijëra bij të këtij vendi.
Me këtë rast, mijëra të rënëve për Shqipërinë etnike, ata që përpara grykës së kallashnikovit do jepnin shpirt, duke shqiptuar krenarë e me kokë lart “Të rrojë Shqipëria”, këtyre mijëra patriotëve do t’u shtoheshin dhe katër emra të tjerë: Dervish Bejko, Skënder Daja, Pal Zefi dhe Hajri Pashai, që kundërshtuan diktaturën bashkë me gjashtëdhjetë e dy të dënuar të tjerë, në kampin e Spaçit. Këtu do të sjell dëshminë e tij rrënqethëse, një nga të dymbëdhjetët e grupit të parë, i ridënuari Luan Burimi, i cili ka një dramë rrënqethëse në familje, që vetëm pena e Shekspirit mund ta vinte në skenë, se askush tjetër nuk do ta merrte përsipër. Dëshmia tjetër do të vinte nga grupi i dytë i të arrestuarve, i cili përbëhej nga
njëzet të dënuar, një nga të cilët është Bedri Çoku. Dëshmia tjetër do të përshkruhej nga i arrestuari dhe i dënuari Gëzim Çela. Janë këto katër rrëfime apo përshkrime të cilat rrëfejnë që nga fillimi deri në shuarjen e plotë të kësaj revolte. E vetmja dhe e para revoltë që në kulmin e terrorit komunist, në atë kohë që komunizmi vazhdonte të hante pjellën e vet, u ngrit dhe u valëvit flamuri pa yll në tarracën e katit të tretë të fjetores. Kjo ngritje flamuri do të paguhej me gjakun e katër dëshmorëve të lirisë dhe me mijëra vjet burg shtesë të shumë të dënuarve. Më të zgjeruar do t’i shikojmë më poshtë se cilët emra
janë. Si janë ndarë në grupe dhe dënimin e secilit.
Tani u mbushën dyzet vjet nga kjo ndodhi e përgjakur dhe katër të pushkatuarit në këtë revoltë mbetën pa varr. Ata treten dalëngadalë në përrenjtë e thatë të kësaj shkretëtire të mbetur shkretë buzë ndonjë humnere, të groposur nga dora gjakatare e kriminelëve komunistë. Ata do të mbeten të paharruar përjetësisht. Ata do t’i përfshijë historia për t’i bërë të pavdekshëm e të ngelen në jetë të jetëve duke u lexuar nga shumëkush dhe patjetër do të shprehem se në vitin…ka ndodhur…brez pas brezi. Aty do të tregohen plagët e ulërimat që dalin nga thellësia shpirtit, nga zemra e një nëne që shpërfytyrohet nga dhimbja që i shkakton djali, vëllai, burri, të cilët janë marrë nga gjiri i saj dhe  janë masakruar. Kjo Nënë fatzezë që sa herë do të marrë frymë do i dhembë gjoksi. Kjo nënë kurrë më s’ka për ta bërë gjumin e qetë, shpesh do të zgjohet e llahtarisur nga shfaqjet në atë përgjumje, nga zërat që i bëhen sikur dikush e thërret për ndihmë, ta shpëtojë nga thonjtë e xhelatit. Kjo Nënë gjithë kohën ashtu e plagosur, e kërrusur, me shpirt ndër dhëmbë do të endet ditë e natë, e lotuar, zbathur e me ato duar të rreshkura që ecën duke u mbajtur mbi shkop e damarët jeshil që duken nën lëkurën e shumëvuajtur e të tharë, duke shpresuar ta gjejë groposjen e djalit të copëtuar. Duke psherëtirë shpesh me vehte: O Zot, të paktën më
trego në ëndërr ku e kam djalin ta marr e vendos, ja me këto duar, në varr e ta shikoj sa herë të dua e të flas me të. Ja ky truall i djegur, me emrin e tij të përshtatshëm Spaç, është gjithandej me plagë, me gropa të cilat mbajnë brenda një grumbull eshtrash të pushkatuari apo vrarë nga ushtari. Të gjallët e vdekur ecin përmbi ta. Të tjerë të burgosur politik të vrarë në galeritë e errta dhe vdekjeprurëse të Spaçit, treten dalë nga dalë të groposur në vendin e quajtur Shpal pranë një kishe. Ata i ka mbuluar harresa, bari i përzier me ferra dhe disa shkurre të mbira aty këtu. Ndërsa në dimrin e egër e me tufan, shi, furtunë e dëborë i mbanë të ngrirë nën dherin e djegur e të zhuritur për vetë faktin e përbërjes së tij në mesin e një pllaje e cila vetëm rënkon nga dhimbja dhe amaneti….

Please follow and like us: