Arinda Gjoni zbulon dashurinë….

Energjike, dinamike, e gjallë dhe gati-gati e transformuar. Të gjithë ata që këtë vit kanë ndjekur Maratonën e Këngës në Tv Klan, këto përshkrime janë më e pakta që mund të bëjnë për këngëtaren Arinda Gjoni. Së fundi, Arinda ka publikuar klipin e saj të ri “A jena”, i cili jo vetëm që është kthyer në hit, por është kënduar nga i madh e i vogël gjatë Maratonës së Këngës e jashtë saj.

Është një sukses i madh për Arindën që kënga është pritur mjaft mirë, por edhe koncertet këtë verë i kanë shijuar pa fund. E ftuar në “Rudina”, në Tv Klan për të prezantuar “A jena”, ajo ka rrëfyer edhe se nuk do të heqë dorë asnjë vit nga Maratona, për shkak të emocionit të gjallë që ka marrë nga publiku: “Në Maratonën e Këngës jam kënaqur pa fund, është kënaqësi shumë e madhe kur je në sheshe të mëdha, edhe kur dal në skenë, shndërrohem komplet, jam shumë dinamike, jap energji pa fund, këndoj shumë, aq sa më ikën edhe zëri komplet”. Por njëkohësisht, ka treguar edhe të tjera sekrete të vetes, pasione të fshehura që i ka zbuluar vetëm pak muaj më parë. Si pasioni për kuajt e për kalërimin. Gjatë një inserti të përgatitur në Akademinë e Hipizmit, në Tiranë, Arinda tha se koha që kalon me kuajt është një prej argëtimeve që i fal shumë dashuri. Edhe Malboro, kali i saj i preferuar, është një dashuri e madhe, është i dashuri i saj: “Të gjithë ju që më pyesni kush është i dashuri im, po jua prezantoj – ja kush është”, – tregon Arinda Malboron, pikën e saj të dobët me të cilin argëtohet pa fund. Ka rreth 6 muaj që merret me kalërim dhe ky lloj sporti po i fal shumë dashuri, të cilën më parë nuk e kishte ndier. Sa herë që do t’i largohet zhurmës së kryeqytetit, Arinda shkon për të kalëruar – aty ku është Malboro – dashuria e saj tjetër: “Përtej shakave, Malboro është vërtet dashuri, është miku im më i mirë, unë vij shpesh e vizitoj, argëtohem shumë me të, bëjmë xhiro, kaloj kohë të bukur”, – tha Arinda./class/