CIA: Hrushovi më 1962 bëri thirrje për rrëzimin e Enver Hoxhës…

CIA ka zbardhur detaje nga prishja e marrëdhënieve mes Shqipërisë komuniste dhe Bashkimit Sovjetik. Përmes një dokumenti të deklasifikuar për vitin 1962, tregohet e si Moska i hapi luftë të hapur Tiranës. Nikita Hrushov në kongresin e partisë kërkoi rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Nga ana tjetër, tregohet se si qeveria shqiptare ju përgjigj akuzave vetëm përmes editorialeve në gazeta.

Maj 1962

Pasojat e kongresit të 22-të të Partisë Komuniste sovjetike në botën komuniste

Kongresi i Partisë Komuniste sovjetike në tetor 1961 preku vendet brenda dhe jashtë orbitës sovjetike. Lëvizja botërore komuniste kishte probleme edhe para hapjes së kongresit, të përkeqësuara nga fërkimet mes Kinës dhe sovjetikëve. Këto probleme nuk kishin gjetur zgjidhje në konferencën ndërkombëtare komuniste të Bukureshtit në qershor 1960 dhe as në atë të Moskës në nëntor. Situata u kthye në një krizë kur Hrushovi u përpoq t’i vendoste me forcë politikat e tij në Kongresin e 22-të. Kjo u krye duke ringjallur fushatën kundër Stalinit, duke stërholluar akuzat ndaj grupit antiparti të Molotov, Malenkov, Kanganovic dhe duke sulmuar Shqipërinë. Në këtë mënyrë Hrushovi shpresonte të zhdukte rezistencën ndaj politikave të tij në lëvizjen komuniste, përfshi dhe ato brenda BRSS. Me këtë ai kërkonte të izolonte dhe të diskreditonte kundërshtarët. Ofensiva sovjetike vazhdoi dhe pas Kongresit, kryesisht kundër armikut kryesor Kinës, e cila refuzonte të dorëzohej dhe as të provokohet sa për t’u ndarë nga blloku botëror komunist. Një numër vendesh aziatike janë bërë palë me Kinën dhe Shqipërinë, duke refuzuar diktatin sovjetik. Gjithashtu një numër zhvillimesh në BRSS sugjerojnë dhe rezistencë brenda partisë komuniste sovjetike, prandaj Kongresi ishte dhe një ekspozim i disiplinës së dobët në parti. Disa fraksione komuniste besojnë se debati Kinë-BRSS do të sjellë më shumë unitet rreth partisë sovjetike. Me hapjen e Kongresit të 22-të në 17 tetor 1961 u dalluan divergjencat brenda lëvizjes komuniste dhe mungesa e aftësive të kontrollit, pa përmendur mosmarrëveshjet me Kinën dhe përkeqësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Debati me Kinën nisi prej politikave ekonomike brenda bllokut komunist dhe u zgjerua me refuzimin e Kinës ndaj dominimit sovjetik. Kinezët e quajtën propozimin sovjetik të “bashkë-ekzistencës paqësore” një braktisje të parimeve të Leninizmit. Ndërsa marrëdhëniet sovjetike me Shqipërinë u përkeqësuan publikisht në konferencën e nëntorit 1960 ku Hoxha sulmoi verbalisht Hrushovin dhe deklaroi solidaritet me Kinën. Pas kësaj Shqipëria nuk mori pjesë në disa konferenca të komunizmit botëror dhe në qershor BRSS tërhoqi nëndetëset e tij nga Shqipëria. Deri në mesin e vitit 1961 u bë e qartë se kritikat e Kinës dhe Shqipërisë ndaj BRSS, mbështeteshin në një farë mase dhe nga Partitë Komuniste të Koresë, Vietnamit të Veriut, Indonezisë, Italisë, Polonisë, të cilat po humbisnin besimin në komandën sovjetike. Nga tetëdhjetë parti që morën pjesë në Kongres, dy nuk u identifikuan publikisht, ndërsa Partitë Komuniste të Guatemalës, Paraguajt dhe Luksemburgut nuk deklaruan pozicionimin e tyre mbi çështjen. Kongresi u përpoq të influenconte delegatët duke bërë lidhjen mes kundërshtimeve të strategjisë së Hrushovit, dhe bashkëpunimit në krimet e epokës së Stalinit. Ky argument kulmoi më 27 tetor, me thirrjen e Hrushovit për përmbysjen e liderëve të Shqipërisë dhe për kritikat ndaj Kinës që i mbështeste ata. Organizatorët e Kongresit gjithashtu manipuluan radhën e folësve të delegacioneve, për të tërhequr sa më shumë vëmendje për kritikat mbi Shqipërinë. Deri në fund të kongresit më 31 tetor, u bë e qartë se delegatët nuk kishin arritur të bindnin Kinën t’i nënshtrohej dominimit sovjetik dhe as ta provokonin aq sa për t’u larguar nga blloku komunist, kështu që shumë vende nuk u përkushtuan as ndaj një krahu as ndaj tjetrit.

Reagimi i Shqipërisë

Partia komuniste e Shqipërisë reagoi ndaj prishjes së marrëdhënieve diplomatike duke sulmuar publikisht grupin e partive pro-Hrushov se po tentonte të përçante lëvizjen komuniste. Ata detajuan publikisht aktet e fshehta sovjetike për nënshtrimin e qytetarëve apo autoriteteve shqiptare, si dhe shpërndanë një rezolutë në gjuhë të huaja më 3 gusht 1961. Në janar një editorial në Zërin e Popullit sulmonte Hrushovin dhe mohonte akuzat e BRSS, duke thënë se sovjetikët kërkonin të vendosnin hegjemoninë ndaj të gjithë lëvizjes komuniste, duke hequr dorë nga përgjegjësitë për pasojat e veprimeve të tyre. Artikulli ishte një përsëritje e akuzave të Kinës ndaj partisë sovjetike, të bëra në konferencën e Bukureshtit dhe të Moskës. Ndërsa kinezët reaguan duke forcuar lidhjet ekonomike me Shqipërinë. Zëdhënësit kinezë në frontet ndërkombëtare ishin në krye të kritikave ndaj strategjisë së përgjithshme sovjetike, veçanërisht ndaj “bashkëjetesës paqësore”. Me gjithë retorikat armiqësore, asnjëra palë nuk ishte e gatshme të niste ndarjen finale. Shqipëria kishte përzënë ambasadorin e Paktit të Varshavës në Tiranë për përfaqësuesi shqiptar ishte ende në detyrë në Sofje.

Nëntor 1976

Lideri shqiptar Enver Hoxha theksoi në fjalën e tij në kongresin e shtatë të partisë javën e kaluar, temat e vetë-mjaftueshmërisë dhe izolimit, por vështirësitë ekonomike të vendit duket se po e detyrojnë të zhvendoset nga politikat e tij tradicionale duke u hapur ndaj kontratave të mundshme tregtare me vendet e huaja. Në nivel kombëtar udhëheqja e Enver Hoxhës dhe Shehut duket e pacenuar. Byroja politike mbetet e pandryshuar në 12 anëtarët e saj, numri i kandidatëve për Byronë është pesë dhe dy prej tyre janë fytyra të reja. Kandidatët Lenka Çuko dhe Simon Stefani janë liderë të rinj partiakë me eksperiencë teknik dhe administrative në nivel lokal, të cilët janë ndihmuar vitet e fundit në ngritjen e tyre nga vetë Enver Hoxha. Stefani ka përvojë të fortë ekonomike dhe më parë ka drejtuar Institutin e Studimeve ekonomike në Tiranë. Ai ka drejtuar gjithashtu delegacionin shqiptar në një takim ekonomik të sponsorizuar nga KB në Gjenevë në 1970. Zgjedhjet për komitetin qendror të partisë konfirmuan efektin e spastrimeve të viteve të fundit, teksa mes anëtarëve të rinj përfshiheshin figurat e preferuara nga Hoxha për fytyra rinore në hierarkinë e partisë. Fjalimi i Hoxhës në Kongres u shtrinë dy seanca dhe zgjati rreth 14 orë. Në të ai mbrojti me zell stilin e tij të udhëheqjes dhe i bëri thirrje frymës nacionaliste të shqiptarëve, duke thënë se vetë-izolimi i Shqipërisë e mbron vendin nga pushtimi i huaj dhe nga kreditë e huaja skllavëruese, si dhe nga spiunët, turistët apo kultura dekadente dhe e degjeneruar. Gjithsesi Hoxha tha se Shqipëria do të ndiqte politika të afrimit tregtar me Perëndimin. Ai pranoi ndihmën e gjerë të Kinës për Shqipërinë por komentet e tij ishin disi të rezervuara, duke reflektuar njëfarë sikleti në lidhje me zhvillimet e fundit në Pekin. Përsëritja e Hoxhës e qëndrimit të paanshëm të Shqipërisë mund të sjellë pakënaqësi në Pekin, i cili e ka këshilluar të ruajë një kurs politik më të hapur. Komentet e tij mbi politikën e jashtme përfshinin gjithashtu një ricitim të listës së “miqve dhe armiqve” që niste nga denoncimi i BRSS deri te marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Francës.

Mars 1968

Spiunët shqiptarë gjykohen në Jugosllavi

Pesë shqiptarë kanë dalë para gjyqit të Bitolj në Maqedoni, të cilët i deklaruan fajtorë për akuzat e spiunazhit për llogari të shërbimeve të inteligjencës së Shqipërisë. Jugosllavët akuzuan liderin e tyre Oloman Selja për krijimin e një grupi me qëllim nxitjen e manifestimeve pro-shqiptare në zonat kufitare Shqipëri-Maqedoni. Mes incidenteve të përmendura në gjyq ishte ngritja e flamurëve shqiptarë, disa prej të cilëve me parulla pro Hoxhës ose pro Mao Ce Dung, në ditën kombëtare të Shqipërisë nëntorin e shkuar. Akuza më e rëndë nuk është ajo e spiunazhit por e nxitjes së separatizmit pro-shqiptar në Jugosllavi, në një kohë kur Beogradi prej muajsh po promovon fushatën e tij të “miqësisë” drejt Shqipërisë. Gjyqi i fundit tregon për ndjeshmërinë e jugosllavëve ndaj fushatës së Tiranës për joshjen politike të miliona shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi.

Janar 1982

Artikull i gazetës franceze “Jeune Afrique”

Vendi që zhduku fenë islame

Michel Sidhom

Për Shqipërinë nuk flitet kurrë, ose kështu ishte deri në vdekjen e kryeministrit Mehmet Shehu më 18 dhjetor, kur të gjithë u kujtuan se ekzistonte dhe shteti i Enver Hoxhës. Shqipëria na intereson sepse ai është vendi ku Zoti dhe Muhamedi janë zhdukur për t’i lënë vendin etikës socialiste. Por si arritën komunistët të çrrënjosnin fenë islame? Kam dashur të vizitoj Shqipërinë, vendin e vetëm që pretendon se është ateist dhe ka fituar betejën kundër fesë. Vendi stalinisit marksist-leninist nuk lejon vizitorë të huaj individualë, dhe jep viza vetëm për grupe, kështu që unë mora gruan dhe të voglin tonë Uilliam për të bërë një përshtypje të mirë. Që prej shekullit të 15-të Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë me shumicë myslimane, e konvertuar nga pushtuesit otomanë me një shpejtësi të rrallë, prej strategjisë së uljes së taksave. Pesë shekuj më vonë deri para vendosjes së regjimit komunist, dy të tretat e Shqipërisë ishin myslimane, 10 për qind katolikë dhe 20 për qind ortodoksë. Ndërsa sot partia komuniste dhe lideri Enver Hoxha, dinosauri i fundit politik në Evropë, deklarojnë se feja islame është çrrënjosur në vend, përveç disa qytetarëve të pakorrigjueshëm. Në të gjithë vendet e tjera të lindjes, besimtarët munden të paktën të shkojnë në kishë, por në Shqipëri xhamitë dhe vendet e tjera të lutjes janë mbyllur. Por shahu i Iranit që burgosi mullahët humbi kurorën e tij, ndërsa Rusia ende nuk di ç’të bëjë me muslimanët e Azerbajxhanit.

 

Çrrënjimi i besimit

Si arriti atëherë Shqipëria të çrrënjosë besimin fetar? Askush nuk do ta besonte nëse dikush thotë se feja është zhdukur pa luftë, pa përpjekjen hyjnore, pasi fetë e mëdha i kanë rezistuar shumë shekujve persekutim. Duke bërë një shëtitje në Tiranë, në rrugë shikoj vetëm mercedesat e zinj të zyrtarëve, ndërsa të gjithë të tjerët flenë para orës 10 të darkës. Të gjitha dyqanet kanë në vitrina të njëjtat mallra bazë, të njëjtën bukë, të njëjtat konserva apo veshje, njerëzit udhëtojnë në këmbë ose me autobus. Shqipëria po e mbron kështu premtimin e saj socialist, për të ushqyer popullin duke qenë e pavarur. Tashmë ajo nuk merr më asnjë ndihmë pas prishjes me Kinën dhe Bashkimin Sovjetik, të cilat i konsideroi “revizioniste”. Në çdo cep shikon strehime apo bunkerë në formë kërpudhe ku njerëzit duhet të futen në rast të sulmit të pritur të jugosllavëve. Dikush i afërt me pushtetin, shpjegon se “bunkerët janë shumë të rëndësishëm pasi prej tyre mund të qëllohet drejt armikut, në të njëjtën kohë që forcat ajrore të Shqipërisë dërrmojnë pa mëshirë pushtuesit”. Pas vizitës në një fabrikë inxhinierie në Korçë, do të vizitojmë më në fund muzeun e ateizmit në Shkodër. Kuratori i muzeut ngjan si Volteri, me sy të thellë e të ligë. Sapo kalojmë derën gjejmë citimet e Karl Marks në një sfond blu të çelët: “Feja është opiumi i popullit”. Në muzeun e ateizmit nuk ka shumë për të parë. Një dhomë tregon foto të xhamive të vjetra me shumë komente në shqip, ndërsa dy postera dallohen nga të tjerat. Dy portretet tregojnë dy gra të verbuara, njëra nga një krye, tjetra nga një minare. Kuratori qartëson fytin dhe nis shpjegimin: “Marrim frazën e Darvinit: Feja është bija e injorancës. Ai kishte të drejtë. Muhameti pretendon se bota është e rrafshët dhe se mbahet nga një grua, gruaja qëndron në kokën e një demi, kurse demi qëndron mbi një peshk. Peshku është në det kurde deti në pafundësi”. Kuratori përpiqet të bëjë sa më shumë efekt, ndërsa i gjithë grupi ynë nis të qeshurat. Ai vazhdon më tej me të njëjtin ton ironik: “Këtu kemi masakrat e mëdah të kryera nga kristianët. Masakra e Shën Bartolomeut, Inkuizicioni. Këtu kemi nj vizatim të Galileut në burg. Kështu pra feja i ka shkaktuar njerëzimit miliona të vdekur gjatë çdo shekulli”, na thotë Volteri shqiptar.

Deklaratat

Në dhomën e dytë shohim disa karikatura priftërinjsh, ndërsa më tej shohim një manekin dylli me fytyrë serioze, i mbuluar me të kuqe: “Ky është Shën Prosperi, një prift martir spanjoll, i vrarë nga muslimanët. Kisha thoshte se trupi i tij mbeti i paprekur. Këtë e kemi gjetur në katedralen e Shkodrës , interesant apo jo?” thotë muratori me gjeste të ekzagjeruara, duke shtuar me pas se katolikët shqiptarë kanë bashkëpunuar me fashizmin, dhe se Papa ka bekuar Musolinin, kardinalin Spellman dhe ushtarët amerikanë në Vietnam. Një vend socialist duhet ta eliminojë totalisht fenë, thotë ai. Dhe turistët e huaj ndjekin ligjëratën e tij qesharake dhe i shkojnë mbas fijes. “Në vitin 1937 në Shkodër kishte 144 kisha e xhami, por vetëm 34 shkolla dhe 1 spital. Sot kemi 357 shkolla dhe 408 qendra shëndetsore”, thotë kuratori komunist muzeut të Shkodrës. Unë e pyes: “Por përsëri duhet të ketë elemente të mbetur nga feja islame, si të moshuar që luten fshehurazi, apo fshatarë që ndjekin agjërimin e Ramazanit …” Ai përgjigjet: “Përpjekja jonë ideologjike vazhdon. Ne duhet të ruhemi nga ish-priftërinjtë që organizojnë ceremoni fetare sekrete, si dhe që të vetrit të mos kalojnë te të rinjtë supersticionet fetare. Ka grupe të huaja që na mbushin me fletushka nga deti e nga liqeni. Prandaj aktivistët tanë duhet të mbeten vigjilentë. Shoku Enver Hoxha thotë se secili duhet të pastrojë ndërgjegjen e tij çdo mëngjes”. Dhe unë vazhdoj të tallem: “Por a dënohen këto zakone të vjetra? Çfarë bëni kur zbuloni në fëmijë që e kanë bërë synet?” “Po, përgjegjësit dënohen me 2 ose 3 vjet burgim”, përgjigjet kuratori. “A kanë mbetur shumë xhami?” “Të gjitha ndërtesat fetare në gjendje të mirë janë konvertuar në ambiente publike. Katedralja e Shkodrës është tashmë një arenë sportesh, ndërsa kisha fanciskane është kthyer në kinema. Disa ndërtesa janë ruajtur për vlerat arkitekturore ndërsa të tjera janë rrafshuar.

Gjurmët e fesë

Por unë dëshiroja të zbuloja gjurmët e fesë në Shkodër dhe bashkë me një vajzë nga grupi kaluam nga zona e Qytetit të Vjetër. Nuk shikonim asnjë minare por gjetëm një ndërtesë me dritare ovale e cila ishte shkatërruar nga brenda. Shoqëruesja ime Natalie pyet dy kalimtarë, dhe ata pohojnë tinës se kishte qenë xhami. Kur pyesim më tej një 40-vjeçar, ai na bën me shenjë ta ndjekim, dhe ne besuam se do të na çonte në ndonjë ceremoni sekrete. Por pas 5 minutash kuptojmë se ka kishte çuar në polici. Ai sqaron për 30 sekonda policin në detyre dhe ne kuptojmë se jemi në telashe. Duke na marrë nga krahu ata na shoqërojnë përsëri në hotel dhe na lënë të lirë. Unë jam i zhgënjyer që nuk arrita të zbuloj nëse feja islame praktikohet ende, dhe ende nuk e kuptoj se si qeveria komuniste ka arritur të zhdukë fenë. Por vendos të mos heq dorë, në fund dikush do ta pranojë. Ditën tjetër nis të flas me guidën turistike të një grupi turistësh francezë, teksa ata vendosen në çadrat e plazhit. Nis t’i citoj atij një fjalim të vitit 1949 ku Enver Hoxha jepte siguri se nuk do të shkatërronte kurrë xhamitë. I riu shqiptar përgjigjet: “Gjithçka ndryshoi në 1967, me një deklaratë të re për fenë nga Enver Hoxha”. Unë përpiqem të rindërtoj hapat kryesorë të kësaj përpjekjeje, që prej ardhjes në pushtet të komunistëve në 1944, kur Enver Hoxha nuk sulmoi drejtpërdrejt besimin fetar. Asokohe ata i lidhën rroga hoxhallarëve dhe priftërinjve dhe rikonstruktuan kishat e xhanit për t’iu shmangur reagimit të popullit, por në të njëjtën kohë Hoxha mbylli të gjitha shkollat fetare. Arsimi fetar u zhduk dhe u ndalua emërimi i priftërinjve të rinj, kështu që mjaftonte të pritej deri në vdekjen e priftërinjve të mbetur. Por ditë pas dite shtypi dhe radio sulmonte zyrtarët fetarë duk i quajtur parazitë që nuk punonin, derisa në 1967 erdhi ndryshimi i strategjisë dhe ringjallja e luftës kundër fesë nga Enver Hoxha. Shoqëruesi i turistëve nuk mban mend shumë për këtë, por thotë se nuk pati fare rezistencë, dhe se ai që më parë ishte prifti i lagjes së tij tani është roje magazine. Ai tregon se edhe ata më besimtarët nuk reaguan, dhe unë i lutem të japë ndonjë shembull të kësaj. “Ndodhi njëherë në Durrës. Një mysliman i vjetër lutej çdo mbrëmje në shtëpinë e tij, por një ditë i erdhën në shtëpi anëtarët e Organizatës Rinore dhe e zhdëpën në dru”, sqaron guida turistike. Unë e imagjinoj se skena të ngjashme duhet të kenë ndodhur shumë. Të rinjtë komunistë të fryrë nga propaganda dhe servilizmi, vinin në lojë dhe ushtronin presion mbi besimtarët deri sa ata të hiqnin dorë. Një tjetër histori ishte ajo e hoxhës që u ekzekutua me akuzën e pjesëmarrjes në një grabitje, ndërsa të tjerë dërgoheshin në burg, në miniera ose në kampet e përqendrimit. Kjo është një nga periudhat më të errëta të vendit, deri në 1976, kur Shqipëria ndaloi totalisht besimin fetar me kushtetutën e re të vendit. Etika socialiste fillimisht ishte futur në shtrat me fenë, deri para se të mbyste. Aj tani mori vendet e lutjes, duke i mbushur me parulla marksiste. Stalini dhe Enveri kishin përjashtuar Zotin dhe Muhamedin dhe në vend të shërbesave ata kryenin ceremoni edukimi politik dhe të luftës për prodhim. Aktivitete fetare ishin zëvendësuar me një muaj punë në vit në hekurudha ose në fusha për nxënësit e studentët, 3 javë zbor ushtarak për punëtorët, ndërsa heretikët ishin zëvendësuar me revizionistë. Në takimet e partisë lavdërohej etika revolucionare familjare dhe inkurajoheshin martesat mes fshatarëve e qytetarëve, muslimanëve dhe kristianëve. Bashkëjetesa pa kurorë dënohej me 1 vit burgim, kurse ata që donin të divorcoheshin bindeshin nga zyrtarët të mos e bënin. Pra etika e re kujdesej për gjithçka.