Dr.Yzedin Hima: Saga e triumfit të dashurisë mbi dhunën

Shënime për librin e At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”

Ndër librat më të shenjuar të prozës dokumentare të “Letërsisë së penguar” libri “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit zë një vend të veçantë. Është një dokument i vyer që rrëfen dhunën e pashembullt me një kahje, që diktatura ushtroi mbi klerin katolik përgjatë katër dekada e gjysmë. Në këtë tekst dokumentohet dhuna, që ushtroi lindja obskurantiste kundër vlerave të qytetërimit perëndimor. Termi luftë në fjalorin e gjuhës shqipe ka këtë përkufizim: “Ndeshje e armatosur ndërmjet shtetesh a forcash kundërshtare, që zhvillohet zakonisht në një varg betejash; koha sa vazhdon kjo ndeshje dhe gjendja që krijohet midis palëve që ndeshen; përleshje e armatosur nëpërmjet forcash ushtarake kundërshtare në një vend të caktuar.” Siç na shpjegon Fjalori, që të kemi luftë duhet të kemi dy shtete apo dy forca kundërshtare. Në fakt kundërshtia e klerit katolik me ideologjinë komuniste ishte thjesht në planin ideologjik. Në këtë rast nuk kemi luftë, sepse njëra nga forcat është e armatosur, ndërsa tjetra jo. Nga të gjitha kriteret që përcakton Fjalori, plotësohen vetëm dy: koha sa vazhdoi kjo ndeshje dhe gjendja që u krijua midis palëve që u ndeshen. Koha ka qënë vërtetë e gjatë: katër dekada e gjysëm luftë e diktaturës kundër klerit në përgjithësi dhe klerit katolik në veçanti. Gjendja e luftës nuk pushoi asnjëherë nga diktatura, deri ditën kur në fillim të viteve ’90 u dëgjuan kambanat e kishave, që kishin heshtur gjatë afro një çerek shekulli. Gjendja gjatë këtij harku kohor u përcaktua nga diktatura si gjendje lufte. Nuk mund të përcaktohet as si luftë civile lufta e klasave që u ushtrua nga shteti mbi qytetarët e tij dhe institucionet e klerit. Qe thjesht dhunë e pamëshirshme, e pandalur, e cila shkaktoi me mijëra viktima në njërin krah, pra në atë të dhunuarin, me dhjetra mijëra të burgosur e internuar, me qindra mijëra të refuzuar, me një popull të tërë të zhytur në mjerim. Libri “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit nis me një pyetje retorike: “…Kur po lexoj Biblën, o kur po kundroj piramidat atje në shkreti, pves: Si asht e mundun që njeriu i Shekullit XX, në kulm të qytetnimit material, të jetë po aq barbar sa ai i 40 shekujve përpara?” Natyrisht, kjo pyetje vjen pas përvojës që kaloi autori i këtij teksti gjatë gjysëm shekulli.
“O Zot, rri me ne se është kah erret”! – shkruan At Zef Pllumi kur në qytet u shfaqën fitimtarët, më 28 Nëntor 1944. Kuvendi Françeskan në qytetin e Shkodrës, krahas punës së priftërinjve si barinj shpirtërorë, qe kthyer në një akademi të kulturës dhe qytetërimit. Më lart kemi shkruar se gjuha shqipe dhe qytetërimi shqiptar u përcoll përmes shekujve nën zhgunin e këtyre priftërinjve, e bashkë me të erdhi deri te ne edhe vetëdija kombëtare dhe përkatësia europiane. “Ishem një bir i padenjë i Françeskut që ka për moto pax et bonum…” – shkruan At Zef Pllumi në librin e tij. Hetuesi i tij tronditet nga kjo thënie: “Kje një gabim fatal. M’u turr si i tërbuem: Me dashtë anmikun? Po ky është diversioni më i madh i shekujve”- shkruan At Zef Pllumi.
Dhuna kurdoherë e ka absurdin me vete. Edhe në tekstin e “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit dhuna, krahas tipareve të tjera, është edhe absurde. Shkaqet kryesore të ushtrimit të dhunës janë urrejtja që frymëzon veprimin dhe përgjithësisht qenien e diktaturave, hakmarrja si motivim i njeriut-instrument, që përdoret nga diktatura, padija që instrumentalizohet lehtësisht dhe përdoret diabolikisht në diktaturë. Absurdi i dhunës shfaqet në akuzën që ia lexuan në gjyq At Zef Pllumit dhe klerikëve të tjerë katolikë: “ Se janë klerikë të Kishës Katolike, qendër e obskurantizmit botnor gjatë gjithë historisë; Se i kanë shërbye skllavopronarëve e të gjithë monarkve gjatë shekujve; Se kanë shkaktue shumë luftra fetare, Kryqëzatat antiislamike, por kanë përgatitë edhe Natën e Shen Bartolomeut në Francë; Se kanë pengue shkencën dhe kanë persekutue shkenctarët tue djegë për së gjalli Galileo Galilein dhe Xhordano Brunon; Se kanë bashkëpunue aktivisht me të gjitha perandoritë për shtypjen e popujve; …” etj.
Kjo aktakuzë absurde i dënon mjaft nga klerikët e Kishës Katolike me vdekje dhe burgime të gjata. Dhuna e ushtruar nga padituria bëhet edhe më e verbër: “Njerëzit e ditun nuk dijshin ma kurrgja, ndërsa të paditunit kishin në dorë gjithçka: atë që nuk dihej.” Urrejtja është një shkak tjetër i egërsisë së pashembullt të diktaturës kundër klerit dhe klerikëve katolikë në Shqipëri. Në këtë tekst autori sjell mjaft shembuj, ku klerikët e burgosur torturohen me një urrejtje të pashembullt, duke i varur prej shpatullash për ditë e netë të tëra në trungun e një peme, duke përdorur rrymën elektrike të një telefoni, duke i lënë pa bukë e pa ujë për një kohë të gjatë. Një shënim në murin e burgut ku qëndroi autori i këtij libri flet për sjelljen çnjerëzore të shtetit ndaj të burgosurve të pafajshëm: “Un Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinën time për mos me dekë etjet”. Të qenit prift i ndihmoi mjaft këta burra të përballonin me stoicizëm torturat fizike: “Të gjithë ishim të lidhur si Krishti. Të gjithë të rrahun dhe të munduem si Ai” – shkruan At Zef Pllumi. Ndodhte, që për shkak të torturave, sjelljes çnjerëzore të policëve, mendimet e autorit të errësoheshin deri në atë shkallë sa që të shprehte edhe idene e seleksionit artificial në shoqërinë njerëzore: “…Ai (njerëzimi – shënimi im- Y. H.) kultivon me saktësi të gjitha kafshët e gjalla e bimët e kopshtit, kultivon vetëm racat e zgjedhura, kultivon frytet e arave e të pemëve, të gjitha raca të zgjedhura, jo vetëm të bukura, por edhe frytdhënëse. Kultivon racat e kuajve, lopve, berrave. Edhe të derrave. Por nuk kultivon veten. Raca njerzore duhet kultivue. Seleksionimi asht nji detyrë e domosdoshme për me dashtë me shpëtue njerëzimi…” Më poshtë, arsyetimi i tij ndriçohet dhe vjen në përfundimin se: “O Kanuni ynë i maleve, ti je ma i urti i botës: “Prej të mirit del i keqi e prej të keqit del i miri”.
Libri memuaristik i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue” është më tepër se një libër kujtimesh për kalvarin që vuajti kleri katolik gjatë diktaturës. Ai është edhe një plotësim i misionit të një prifti për të dokumentuar qendresën që Kisha Katolikë dhe klerikët e saj i bënë diktaturës nën moton “Fali , o Zot se nuk dinë se çfarë bëjnë!”
Themi plotësimi i një misioni sepse në këtë tekst, pikërisht në kohën ma t’keqe që ka pasë Katolicizmi, At Marin Sirdani, prift i moshuar, superior i fratit Zef Pllumi e thërret këtë të fundit në odën e vet dhe i thotë:
“Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton shka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe ti: të gjithë shkojmë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallxue si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë ! Nuk është fjala që po mbarojmë sot. E dijmë këtë. Nuk duhet të mbarojmë për nesër e për shekujt e ardhshëm. E kupton këtë? Fra Zef, un jam sot për sot Superjor: po të jap urdhën: ik rrno! Vetëm për me tregue!”
Siç shihet në këtë tekst shkrimi i këtij libri nga At Zef Pllumi që plotësimi i një urdhëri, qe realizimi i një misioni. Ky urdhër është vendosur si titull i librit, pikërisht për të treguar zanafillën e tij.
Studjuesi i letërsisë Sabri Hamiti shkruan:“ At Zef Pllumi e pranon rolin e misionarit, por kthehet në misionar të rebeluar. Rebelimi i tij fundamental në veprën Rrno vetëm për me tregue është rebelim kundër harresës. Nëse mund të falet diçka, asgjë nuk duhet të harrohet.”
Kisha Katolike në Shqipëri është kishë martire. Priftërinjtë katolikë u arrestuan dhe u dënuan me burgime të gjata. Mjaft syresh u ekzekutuan. I vetmi faj i tyre qe se u shërbenin me devotshmëri besimtarëve katolikë, i shërbenin vendit të tyre nëpërmjet studimeve të kulturës kombëtare dhe përkthimit të veprave të mëdha në gjuhën shqipe.
Në librin e At Zef Pllumit është botuar faksimilja e njoftimit të gjykatës ushtarake të Shkodrës për Gjykatën e Lartë, e nxjerrë nga arkivi, ku tregohet për qendrimin burrëror të klerikëve para pushkatimit nga shteti diktatorial. Ja si shkrihet në këtë tekst: “ Ju njoftojmë se të dënuarit me vdekje 1.Monsinjor Frano P. Gjini 2. P. Mati K. Prendushi dhe D. Nikollë Deda të gjithë nga Shkodra u ekzekutuan më dt.11.3.1948 ora 5 paradite dhe fjala e fundit ka qënë: 1. Frano Pjetri tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë. Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i jem mbeten këtu, por shpirti dhe zemra është te Papa. Rroftë Shqipnia. 2.Padër Mati K. Prendushi tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’ime. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnia. U bëj hallall gjyqit dhe ata që do të shtijnë mbi trupat tona të pafajshëm. 3. D. Nikollë Deda tha se : Rroftë Shqipnia, po vritem në punën time. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar.”

Në këtë libër njihemi me qendrimin burrëror të klerikëve katolikë edhe gjatë kryerjes së dënimit nëpër burgjet e vendit si në Beden, Orman Pojan, Spac apo Ballsh. Krahas klerikëve katolikë në këto burgje përfunduan specialistët më të mirë të vendit, të cilët qenë edukuar e diplomuar në Universitetet e njohura të Europës. At Zef Pllumi shkruan: “Aty në kamp ishin me siguri, ma shumë se gjysa e intelektualëve të Shqipnisë. Inxhinjera e profesora, ekonomistë e ish- ministra, priftën katolikë, shkrimtarë e studenta.”
Në këtë libër mësojmë se e vetmja armë që kishin priftërinjtë katolikë pëballë dhunës qe dashuria. Kjo “armë” mund të çarmatos këdo, por kurrsesi instrumentat e ideologjizuar e të programuar të diktaturës. At Zef Pllumi rrugën e mundimit e ka zgjedhur me vullnetin e tij. Pas vendosjes së diktaturës, si një djalë i ri, ai mori mjaft oferta dhe këshilla për të filluar një jetë tjetër. Po ai kurrsesi nuk e braktisi besimin e tij: “Kur mbrrijta në fund t’oborrit, solla kryet. Fëtyrat e trishta të prindve sikur thirrshin: “Djalë, ku po mbytesh? A e sheh stuhinë? Kthehu!” Por un vazhdova para. Vetëm mjegull. Gjithçka mjegull. Shifshem vetëm një kryq. Eca mbas tij.
Me një talent lerar të lindur, por edhe të edukuar, At Zef Pllumi në këtë tekst tregon se nëpër mjegull të vetmin objekt që dalloi që një kryq. Dhe ndoqi atë. Dihet se kryqi është simboli i vuajtjes së padrejtë, kryqëzimit të Jezu Krishtit. Udhën e vuajtjes së pamerituar zgjodhi autori dhe personazhi kryesor i këtij teksti, At Zef Pllumi, duke pohuar më se njëherë se ai nuk ishte hero, por një besimtar i devotshëm, një misionar, të cilit i dhimbej jeta pikërisht për të kryer misionin që i kishin ngarkuar: Rrno vetëm për me tregue atë mizori që përballoi Kisha Katolike dhe misionarët e saj. Shkrimtaria e At Zef Pllumit është origjinale. Nuk ngjet me shkrimet e meshtarëve të tjerë pararendës, me ata, që kaluan persekutimin e pushtuesve osmanë. Në shkrimet e tyre ka kronika të ftohta, ku flitet për mundime dhe durimin e tyre në emër të misionit kishtar. Te shkrimtaria e At Zef Pllumit nuk dallojmë vetëm misionarin kishtar të përndjekur, por edhe qytetarin që e përbuz dhunën e shtetit, atdhetarin që e përbuz poshtërimin kombëtar, klerikun katolik që dallon përjetimin e ungjillit edhe te ata që nuk e njifnin atë libër të shenjtë. Ai shkruan : “Ungjilli duhej jetue e jo veç predikue… Ungjilli i vërtetë jetohej edhe prej atyne që nuk e njofin. Dashuni. Dashuni për njerëzit. Çaste lumnije në tokë.”
Në këtë vepër njihemi me punën prej meshtari të At Zef Pllumit në malet e Dukagjinit. Krahas priftit, te personazhi kryesor që është edhe autori i këtij teksti, njohim humanistin At Zef Pllumi, që dërgon në shkollë me ndërhyrjen e tij, madje edhe me të hollat e tij fëmijët e zgjuar, por mjaft të varfër të krahinës. Ushqen me prodhimet e arës së kishës fëmijët e malësorit të varfër, që shpif dhe i del dëshmitar i rremë në gjyq. Përshkrimet e natyrës së bukur të maleve, përshkrimet e riteve dhe zakoneve të hershme të malësorve, zënë një vend të rëndësishëm në këtë tekst. Misioni prej meshtari i At Zef Pllumit dhe i priftërinjve të tjerë, siç rrëfehet në këtë tekst, është në kufijtë e të pamundurës. Shteti i përndiqte dhe i vëzhgonte këta misionarë të fesë, por edhe të qytetërimit, si armiq. Do të vinte viti 1967, vit kur diktatura në Shqipëri do të shpallte Shqipërinë si të vetmin vend ateist në botë. Për klerin në Shqipëri dhe për atë katolik në veçanti do të nisë një ferr i vërtetë. Institucionet e fesë do të rrënoheshin, ose do të ktheheshin në salla argëtimi, apo stalla për gjënë e gjallë. Priftërinjtë do të përndiqeshin. Edhe At Zef Pllumi do të arrestohej dhe do të dënohej me vdekje. Personazhi-autor, kur ballafaqohet me dhunën dhe dhunuesit, shprehet: “Asht i mjerë ai popull që nuk ia del me zotnue bijtë e vet të kqij.”

Dhuna ndaj misonarëve dhe institucionit të Kishës, por edhe të feve të tjera po bëhej intensive. At Zef Pllumi shkruan: “Ndër ato ditë lajmet plakeshin çdo orë.” Ai, së bashku me priftërinj të tjerë përfundojnë sërish në pranga. Gjyqi farsë do t’u japë klerikëve katolikë dënime maksimale. Diktatura është po ajo që u vendos para një çerek shekulli: “Gjygjtarët u tërhoqën mbrapa skenës, ndërsa në sallë buçiti kanga e vjetër partizane: “Hakmarrje rini, dëshmori thërret! …Mbeta shtang. Nuk mund e kuptojshem se në cilin vit ishim: në vitin 1948 apo në 1968. Populli shqiptar kishte mbetë në vend.”
Edhe shijet estetike të autorit-personazh janë diametralisht të kundërta me ato të të personazheve realë, instrumenta të dhunës dikatoriale. Në një episod nga burgu, oficeri shprehet për të burgosurit politikë: “Do të kënaqem vetëm atëherë kur t’i shoh kufomat tuaja duke u prishur nëpër kanale.” Kjo lloj kënaqësie që rrjedh vetëm nga urrejtja dhe është produkt i sadizmit, kundërshtohet me forcë dhe drejtpërdrejt nga At Zef Pllumi, tashmë një i burgosur:
“…As ujku nuk mund kënaqet me nji pamje të tillë. Njeriu dishron me pa ndonji gja të bukur, si për shembull, nji vepër, nji ndërtesë të bukur, nji lule, o nji femën, por jo kurrë kërma të çdo lloji e aq më pak njerzore. Zoti oficer, të baj thirrje që të shtini në punë ma shumë logjikën se inadin.”
At Zef Pllumi kaloi gati gjysëm shekulli ferr. Ai, si misionar i Kishës Katolike, por edhe i qytetërimit perëndimor në përgjithësi dhe i atij shqiptar në veçanti, e kuptonte se urrejtja dhe dhuna ishin armët e të dobtit, të atij që nuk do të kishte të ardhme. Ndërsa “arma” e tij dhe e misionarve të tjerë të Kishës Katolike qe dashuria, humanizmi kristian, tani i përqafuar nga qytetërimi botëror si vlerë themelore. At Zef Pllumi predikon dashurinë si kundërvënie ndaj dhunës dhe si zbutje të saj dhe të ushtruesve saj: “O dashuni, – thashë me vedi,- vetëm ti duhet të sundosh botën. Vetëm ti mund t’i zbutish kafshët e egra.”
Krahas shkrimtarisë si mision, të cilin At Zef Pllumi e përmbushi me sukses, nga libri i tij “Rrno vetëm për me tregue” mësojmë se urrejtja dhe produkti i saj, dhuna u dorëzuan para dashurisë dhe humanizmit: “Kur e fillova meshën, zemra m’u çue peshë. Më rrethuan gjithfarë mendimesh. Ato katër gra, qi luteshin nan za, mos me i përgjue kurrkush, ai terr i nades, para agimit, ato dhoma t’ulta dhe t’errta ma çuen mendjen te vitet e para të krishtënimit, te katakombet. E në ç’shekull jena sot?… Pse Doktrina e dashunisë gjithmonë do të rrijë e strukun prej dhunës?”
Kambanat e kishës në fillim të viteve ’90 lajmëruan triumfin e humanizmit mbi urrejtjen dhe dhunën.