Gjergj Habilaj: Lëreni të qetë Rigertën në hallet e veta!

 

 

 

Lëreni të qetë Rigertën në hallet e veta, ju njerëzit që keni pushtuar politikën dhe bëni sikur bëni politikë, duke konsideruar vehten të pazëvendësueshëm.

Ju që e keni filluar jetën nga porta e Parlamentit dhe po e përfundon i po aty, pa njohur realisht Shqipërinë, ju njerëzit që vetëm kur futeni në parlament merreni duke “sistemuar, sajuar” ndonjë diplomë universiteti, pasi deri në këtë moment keni qenë shumë të ngarkuar me punë.

Lëreni të qetë Rigertën me hallet e saj që realisht përfaqëson hallet e gjithë fshatarëve që rropaten maleve, kodrave dhe fushave për të mbijetuar, me ëndrrën të rrisin, ushqejnë dhe edukojnë fëmijë të shëndetshëm, pa kujdesin tuaj që e kini detyrë.

Lëreni të qetë Rigertën dhe sa nuk është vonë mënjanoni për një moment grindjet për luksin tuaj, bashkohuni të gjitha grupet parlamentare dhe hartoni një program dinjitoz për bujqësinë. Bujqësia, blegtoria, peshkimi janë baza e ekonomisë të kujdo vendi, janë baza për një ushqim të mirë, janë baza për rritjen e të ardhurave kombëtare.

Thërrisni njerëz më të mençur se ju për këtë fushë, i dëgjoni dhe u vendosni detyra me bindje se do ta bëjnë mirë punën.

Lëreni të qetë Rigertën në hallet e veta ju njerëzit që keni pushtuar mediat dhe vetëquheni gazetarë, analistë e gjithçka tjetër dhe konsideroheni specialistë për gjithçka, duke hamendësuar dhe bërë koment mbas komenti pa u marrë me thelbin, pa prekur realitetin që ekziston dhe përjetojnë më shumë se gjysma e popullsisë.

Lëreni të qetë Rigertën dhe shkoni, shkelni çdo cep të Shqipërisë duke pasqyruar realitetin, duke dhënë alarmin për këtë realitet dhe të vini përpara përgjegjësisë njerëzit, “baballarët e politikës”, ata që sjellin shiun dhe diellin por fatekëqsisht nuk njohin realitetin.

Më shumë se broçkullat se “kush e thirri, kush e mësoi, kujt i shërben” e tjera përralla si këto ka vlerë realiteti.

Mos u merni me “La Sapienzen” dhe diplomat e saj, por merruni me realitetin e bujqësisë shqiptare.

Përputhet realiteti i sjell nga Rigerta me realitetin e mbarë Shqipërisë.

Po ose jo!

Në qoftë se po ndryshojeni realitetin me programe konkrete sa nuk është vonë se e kini në dorë, në qofte se jo sillni argumente të besueshme.