Ina Cekaj: Deputetët kanë pishina në shtëpitë private, kurse Kristinat s’kanë ujë të pijnë

 

Deputetët aty panë një film me metrazh të shkurtër 6 minuta nga përshkrimi i fshatit dhe asgjë më shumë. Asgjë nuk ndryshon, sepse media atje është pjesë e mafies politike, ekonomike, sociale etj. Atje nuk ka shoqëri civile, OJQ të pavarura, nuk ka lëvizje anti mjerim. Deputetët kanë pishina në shtëpitë private, kurse Kristinat s’kanë ujë të pijnë apo dushe për t’u larë, por vazhdojnë të marrin ujin në burim dhe lahen me safa. Pse Kristinat kanë këtë emër, ishin të shtypura dhe paguanin taksën e xhizies pse janë të krishtera gjatë kohës së Perandorisë Osmanae…, kurse diktatura komuniste e gjakosi disa herë Mirditën dhe e la me qëllim në mjerim… Dhe mbas 27 vjeteve është e njëjta pamje, nuk ka ndryshuar asgjë. Sot është një formë e re e asgjësimit të kësaj popullsie që mbijetoi shekujve. Nuk është faji vetëm i popullit. Nëse shfleton ose rilexon shtypin e kohës para 1944 publicistët, intelektualët e pavarur dhe kleri katolik përmes buletineve të tyre të përkohshme kanë trajtuar mjerimin duke kritikuar regjimet grykësore…, kurse sot në liri kleri është larg besimtarëve e të tij dhe nuk i mbron. Ato kanë qejf të bëjnë foto me deputetë dhe ministra, dalin para kamerave duke u mburrur pse kanë ndërtuar këtë apo atë kishë dhe besimtarët e tyre nuk kanë bukë të hanë… Edhe një meshtar që mbahej si publicist, shkruante aty këtu hartime adoleshentësh tek ‘Panorama’. Ai shpesh bënte shkrime limonatë pa prekur asnjëherë ‘thembrën e Akilit’, mbasi ishte mik kafesh me pushtetarët e majtë dhe të “djathtë”. Si në botën e çudirave për asnjë meritë në shërbim të besimtarëve të tij të varfër u bë ipeshkev, por në Mirditë ku mjerimi është ulur këmbkryq… Në Pukë mos qofsha gabim është një meshtar italian që jeton me mjerimin e zonës ku ai është famullitar. Ai ka bërë ndryshime me inisiativen e tij, duke hapur një minifermë së bashku me banorët e fshatit, duke futur në shpirtin e banorëve dashurinë për punën, tokën dhe blegtorinë në ato zona të ashpra malore. Ai mbeti prift i thjeshtë edhe sot, kurse zëdhënësi i shtypit i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë u bë Ipeshkev. A kemi të bëjmë këtu me drejtësi!? Pra nuk ka kush ta mbroj Kristinën dhe shumë si ajo Lezet, Mariet, Dranet apo burrecat që heshtin para mjerimit të grave dhe fëmijëve të tyre në Mirditë dhe kudo në Krahinën Malore Veriore të Shqipërisë…