Albspirit

Media/News/Publishing

Jorgo Bllaci: Vreshti i poezisë

 

– Kujtimit të L. Poradecit –

– Naimi shkuli rrënjët, preu shkurret,
Pastaj qilizmë truallin punoi.
Fidanet mbollën me durim të tjerët
Dhe vreshti i bukur shpatin gjelbëroi.

Kur vajta unë atje, – më tha Lazgushi, –
Një mbrëmje buzë gjolit tek shëtisnim, –
Hardhitë kishin lidhur vile rrushi,
Por kemi etje, dukej sikur flisnin.

Ahere ç’bëra? Nëpër shkëmb të malit
Një brazdë hapa deri te burimet
Dhe më së fundi, ujrat si kristali
U derdhën nëpër të me mërmërime…

Si tha këto, mbështeti të dy duart
Mbi bastun e shtoi si nëpër lotë:
– E keni radhën ju për ta punuar,
Këtë të bukur vresht, pa shok në botë!

Ta rrisni të shëndetshëm, ta selisni,
Ta doni si thesarin më me vlerë!
Dhe neve që aty e lamë shpirtin
Na sillni nëpër mend ngandonjëherë!…

Please follow and like us: