Kush është Rigerta Loku, mirditorja që mbajti fjalimin e sinqertë e magjik e që përloti parlamentin…

Kur vendosi të kthehej në Shqipëri me një diplomë të “La Sapienza-s” në duar, Rigerta Loku nuk e çoi ndërmend se vendlindja do ta sfidonte me një të ardhme si fermere.
Vajza nga Rubiku u kthye nga Italia gjashtë vjet më parë, pasi studioi shkenca politike në universitetin prestigjoz të “La Sapienza-s” në Romë dhe u specializua për marrëdhënie ndërkombëtare; dy diploma që i jepnin sigurinë se mund të ndërtonte një karrierë në qytetin e saj të lindjes në Veri të Shqipërisë.

Besoja se nuk do e kisha të vështirë të gjeja një punë, veçanërisht në Rubik, kur të gjithë synonin të vinin në Tiranë,” kujton 34-vjeçarja Rigerta Loku.

Megjithatë, realiteti ishte larg përfytyrimit të saj. Rigerta Loku i tha BIRN se e dërgoi CV-në në disa institucione të pushtetit vendor në Rubik dhe në Rrëshen, por iu kthye mbrapsht pa asnjë shpjegim. Ëndrrat e saj për të bërë një ndryshim në vendlindje u thyen në mes.

E papunë dhe me familje të sapokrijuar, Rigerta mësoi shpejt arsyen e refuzimit, edhe pse askush nuk ia tha hapur.

Të zgjedhurit e partisë e dinin fort mirë që unë dhe Nardi (bashkëshorti) nuk ishim militantë dhe nuk votonim për ta,” thotë Loku.

Para ofertës për t’u rreshtuar politikisht, Rigerta Loku dhe bashkëshorti i saj, Leonard Tusha zgjodhën rrugën më të vështirë. Me paratë e kursyera në Itali, ata vendosën të ndërtojnë fermën e tyre larg qytetit dhe politikës dhe gjashtë vite më pas, janë krenarë që ia kanë dalë. Fshati Prostek, ku ndodhet dhe ferma e Rigerta Lokut | Foto nga : Lindita Cela

Ferma e Rigerta Lokut dhe Leonard Tushës gjendet në fshatin Prosek, mes gjelbërimit dhe maleve të Mirditës. Fshati shtrihet 6.5 kilometra larg qytetit të Rrëshenit, por rruga mund të përshkohet vetëm me një automjet të lartë 4×4 në një urdhëtim të vështirë që të merr më shumë se 40 minuta.

Mungesa e rrugës, e energjisë dhe e ujit kanë sjellë largime masive në fshatin që dikur numëronte 1500 banorë. Shumica e shtëpive janë të braktisura, ndërsa të zotët nuk kanë mundur t’i shesin as për 100 mijë lekë.

Në Prostek, Rigerta Loku dhe bashkëshorti i saj ndërtuar fillimisht një kasolle në pronat e babait në vitin 2010 dhe blenë disa dhi rrace. Vendimi i tyre i habiti jo pak banorët e zonës, të cilët nuk ua kursyen të tallurat dhe paragjykimet.

Ka dy diploma dhe tani po ruan dhitë-dëgjoja shpesh pas krahëve,” kujton Loku. Por ne jemi të lumtur këtu. Arrijmë të sigurojmë një jetesë normale dhe mbi të gjitha jemi të pavarur,”-shton ajo.

Ideja për zhvillimin e fermës u frymëzua nga tradita e zonës, e cila sot është lënë në harresë. Rigerta Loku thotë se e dinte që ndryshe nga e shkuara, zona kishte sot mungesë të djathit të dhisë.

Për këtë arsye vendosën që paratë e kursyera nga puna në Itali t’i investonin në fermën e dhive, gjashtë vite të shkuara. Sot, burrë e grua e kanë shtuar tufën e tyre në 500 krerë, ndërsa kanë hapur edhe një dyqan të vogël në Rubik, ku tregtojnë mish të freskët keci dhe djathë dhie të përpunuar në fermën e tyre.

Për punët e shumta në fermë, Rigerta dhe Leonardi kanë punësuar disa banorë të zonës, ndërsa prindërit e Leonardit i ndihmojnë për rritjen e dy vajzave.

Zgjerimi i fermës deri në prodhimin e një produkti që do të mbajë emrin e tyre është ëndrra e re e dy bashkëshortëve. Për të realizuar këtë synim, Leonard Tusha ka nisur studimet në Universitetin Bujqësor të Kamzës.

Pas orëve të studimit, ai nxiton pasditeve drejt fermës për t’u kujdesur për bagëtitë. Leonardi tregon se zona është e vështirë dhe problemet nuk mungojnë, ndaj atij u duhet të përballet që nga vjedhjet e deri tek mbrojtja e bagëtive nga kafshët e egra.

Duhet të jesh vetë këtu e t’u qëndrosh punëve mbi kokë, ndryshe atë që e ke ngritur për një kohë të gjatë, të rrënohet brenda ditës,” thotë ai.

Gjashtë vjet pas rikthimit, Rigerta Loku është përshtatur si me jetën në fermë, ashtu edhe me kulturën e përgjithshme të pafuqisë për të ndryshuar rendin e gjërave në Shqipëri. Megjithatë, ajo dhe bashkëshorti i saj ndjehen krenarë për kurajon që patën për të ndryshuar jetën e tyre.

Unë nuk do të kem fuqinë të ndryshoj Shqipërinë, as pushtetarët tanë, por kam fuqinë të ndërtoj mikrobotën time këtu, pa i shtrirë dorën kujt dhe me dinjitet,”-përfundon Loku.

NJË PJESË E FJALIMIT TË RIGERTA LOKUT

Ejani ta shikoni, ejani në fshat se nuk vend ku ka hahet më mirë se në fshatrat tanë. Në doni bukë, kripë, ushqime e zemër bio ejani në fshat. Në doni qetësi e dashni ejani në fshat por do t’ju lutesha gjithsecilit prej jush mos të vijë me një makinë të vogël por të vijë me një fuoristradë sepse fshatrat, sidomos ato fshatra që nuk janë në akset rrugore kryesorë nuk shkon dot makina. E atje ku nuk shkon makina, nuk shkon asgjë, e as jeta. Fshatrat sidomos ata të strukurit nuk kanë rrugë, rrugë si arterie gjaku që e ushqejnë dhe i japin jetë. Jepini ujë dhe rrugë fshatit dhe i keni dhënë zhvillim. Nuk po kërkojmë asgjë tjetër: Ujë dhe rrugë. Unë kam ardhur këtu që të tregoj pse jo Gertën por kam ardhur këtu të sjell edhe Kristinën. Kristina është një bashkëfshatare e imja. Besoj se gjithsecili prej jush, sidomos ata që janë fshatarë e kanë nga një Kristinë në fshat. Ajo ka rrudha fisnike të përzhitura nga dielli, duar të çara e të ashpra si brusketat e restoranteve në qendrat urbane, sy të qeshur e të ëmbël ka Kristina. Ngrihet para diellit e ulet shumë pas tij. Oh, ngrihet në mëngjes, mjel lopën, çel pulat, pastron vathin. Ngrihet dhe çon fëmijët në shkollë, ndoshta me furgonin që nuk vjen kurrë, ajo i përcjell më këmbë. Shet qumështin në shishet e coca-colës të lara me kujdes sepse ky është fshati. Shet ato 20 kokrra vezë, 3-4 kile rrush, domate jeshile, ato që kanë mbetur nga kopshti i mbjellë me lakra të zeza dhe presh që t’i ketë si rezervë për dimër. Shet ashtu Kristina e ulur në rrugë dhe po t’i thoni Kristinës ju se çfarë do Kristinë të të japë shteti ty, ajo me shumë modesti do të thotë: unë dua ujë edhe rrugë. Se ka dinjitet Kristina, nuk i kërkon asgjë tjetër shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë. E unë do t’i shtoja kërkesave të Kristinës, ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase, e miq e shokë. E nëse ju e pyesni përsëri Kristinën kë do të votoje, do të thotë do votoja që më sillte rrugën. Por Kristina e shkretë, që kur ishte bijë në fshatin e të atit dhe deri tani sot që është grua në fshatin e të shoqit, Kristina votoi e rivotoi ata që rrugën nuk ia sollën kurrë. E nëse do të pyesni ku është burri i Kristinës…Ai ka punuar ca kohë në kantieret e Rilindjes Urbane por presim që fshati të rilindë, atë presim ne. Kur fshatari t’i kthehet fshatit të tij, atëherë politika ka bërë diçka madhështore për fshatin. /BIRN/